EmailFacebookKontakt

Lindi Jeta

Qetësi. Heshtja e natës ka mbuluar vendin ngado. Bota ka rënë në gjumin e saj të rëndë, të thellë…

Papritur, tinguj të lehtë jete nisin të rendin gjithëkund në hapësirë. Prej qiellit, fillon të pikojë drita e mrekullueshme e një ylli të paparë ndonjëherë dhe grimcat e saj sapo prekin ajrin vrapojnë drejt një grazhdi. Tek kjo shpellëz; një Nënë, një at përkulen, vështrojnë, mrekullohen. Kafshët falin ngrohtësi me frymëra, çuditen, gëzohen. Se në ushqimin e tyre, në kashtën e koritës, qëndron një Fëmijë Drite, të Cilin ato e njohin, e ndjejnë, që prej krijimit….

Shpërthen drita verbuese e rreshta të panumërt engjëjsh sjellin parajsën mbi tokë, himnet e tyre, i falin ngjyrë paqeje çdo gjëje në atë vend të bekuar. Këmbanëzat lodrojnë ëmbëlsisht e shoqërojnë engjëjt në lavdërimet qiellore dhe barinjtë shtangen, habiten, dëgjojnë…

Lindi një Princ i mrekullueshëm, hyjnor dhe rruzulli vazhdoi rrugën në orbitën e tij, njerëzit gjumin e tyre; veç barinjtë u nisën drejt Vithleemit, duke himnuar Perëndinë.

Pa një shtëpi të ngrohtë linde Ti, pa pelena cohe të zbukuruara, pa një djep të punuar nga zdrukthtari, pa brohoritje e bujë të zhurmshme. Oh, Krishti im i mrekullueshëm, pa këto linde Ti, Bir i Perëndisë së Gjithëpushtetshëm; edhe pse Princ, u linde i varfër, i thjeshtë. Djepi Yt ishte Përulësia, pelenat e Tua – Dashuria. Ti o Diell Dashurie, me rrezet e Tua ngrohe gjithçka, dhurove Jetë dhe Paqe; lotin e ktheve në Shpresë; errësirën e shpërndave dhe mbolle Dritën; heshtjes i dhe ngjyra tingujsh qiellorë; me lindjen Tënde rilinde njeriun….

Dhe unë, sonte në këtë Natë, që lindi Yllin e Mëngjesit, me një pëllumb të bardhë dërgoj zemrën time lart, lart… dhe lutem e përlotur prej dashurisë “Eja, eja o Krisht, se nuk do të jem Bota e fjetur për Ty, por në shpirtin tim do të gjesh Grazhdin e Ngazëllimit!”.