Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Imzot Joanit dhe nën mbikëqyrjen e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollës, organizoi Kampet Verore kombëtare me kohë të plotë për fëmijë, adoleshentë dhe të rinjtë aktivë të të gjitha Mitropolive në vend.
Dy kampet e para për djem të moshës 10-13 vjeç dhe 14-17 vjeç u zhvilluan te Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Zvërnec të Vlorës, ndërsa 2 kampet e para për vajzat e moshës 10-13 vjeç dhe 4-17 vjeç, u zhvilluan te Manastirin “Shën Joan Vladimirit” në Shijon të Elbasanit. Kampet u zhvilluan në datat 5-12 dhe 14-21 korrik 2025. Në një atmosferë të mbushur me paqe, gëzim dhe përjetim shpirtëror, qindra fëmijë dhe adoleshentë nga e gjithë Shqipëria u bashkuan kampeve të organizuara me përkushtim të veçantë, duke pasur përvojën e organizimit të tyre që prej 1995.
Tema e kampit të këtij viti: “Krishti është paqja jonë!”, u bë një realitet në jetën e përbashkët të pjesëmarrësve. Programi i çdo dite ishte përjetim i modelit të jetës së një të krishteri, model që do të shoqërojë çdo kampist gjatë gjithë jetës. Dita niste dhe përfundonte me lutje. Pjesë e programit ishin studimi i Shkrimit të Shenjtë, shërbimet në kamp, biseda me tematika të sfidave të përditshme. Lojërat, punimet e dorës, olimpiada e njohurive dhe koha në natyrë i dhanë edhe më shumë gjallëri programit.
Kryepiskopi Joan vizitoi kampin e parë të vajzave më 7 korrik 2025 dhe nga urtësia e tij ofroi një fjalim në lidhje me temën e kampit. Ndërsa, më 19 korrik, ai vizitoi kampin e dytë të djemve, fjalimin e të cilit do ta gjeni të plotë në vijim.
Një moment i veçantë ishte vizita në qytetin e Beratit, më 20 korrik, ku kampistët morën pjesë në përshpirtjen e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Hirësi Ignatit. Pagëzimet e anëtarëve të rinj që iu shtuan Kishës dhe pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore ishin edhe përjetimi më kulmor i programit të kampeve. Njohja me Besimin e Krishterë Orthodhoks, jetët e shenjtorëve dhe të Shkrimit të Shenjtë, pasuruan mendjen dhe shpirtrat e kampistëve.
Organizimi dhe realizimi i kampeve u bë i mundur nga Mësuesit e Edukimit të Krishterë (katekistët) nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë e vendit tonë, si edhe nga vullnetarë të ndryshëm.
Atë Nikolla Kodheli