EmailFacebookKontakt

Ligjërata e Kryepiskopit të ndjerë të Athinës dhe të Gjithë Greqisë, Jeronimit I

DORËZIMI I EPISKOPIT TË ANDRUSËS, ANASTASIT (19 nëntor 1972)

Ligjërata e Kryepiskopit të ndjerë të Athinës dhe të Gjithë Greqisë, Jeronimit I

Anastas,

Ndodh shumë rrallë që gëzimi, gjatë hirotonisjes së një kleriku, të jetë kaq i gjithanshëm dhe të burojë nga e tërë bashkësia e krishterë. Sepse shërbimi yt përmes hirit hyjnor, deri në këto çaste, ka qenë jo vetëm i paqortueshëm, por edhe i bekuar. Hiri i Perëndisë të mbulonte kudo që shkelnin këmbët e tua në vreshtin e Zotit dhe bekimi i tij drejtonte hapat tu dhe shumëfishonte frytet e dhimbjeve të tua. Prandaj, emri yt dhe shërbimi yt nderohet kudo, si nga të rinjtë, edhe nga të vjetrit, si nga klerikët, edhe nga laikët, si nga ata që gjenden afër, edhe nga ata që ndodhen larg.

Dhe emri yt njihet jo vetëm në atdheun tonë, por shtrihet edhe përtej kufijve të tij, në shtetet e kontinentit tonë, por edhe të kontinenteve të tjera, qofshin afër apo larg. Prandaj, gëzimi që ndien në këto çaste e tërë bota shpirtërore dhe tokësore, pa dyshim, edhe ajo qiellore, mund të them se është më se i dukshëm.

Edhe Zoti të pranon nga tani e tutje me përshëndetjen e bukur: “Hyr në gëzimin e Zotit tënd!”. Tashmë po ngjitesh në shkallët më të larta të altarit të shenjtë që të mbarështosh hirin e Perëndisë edhe si episkop.

Dhe Zoti, jo vetëm ta shpërblen për mundimet e tua, por edhe bekon shërbimin tënd të deritanishëm dhe, duke të besuar tanimë edhe hirin e kryepriftërisë, të fton ta vazhdosh shërbimin me bekimin e hirit dhe me gëzimin dhe miratimin e tij të plotë.