Kohët e fundit doli në qarkullim libri “Nga Thesari i Shenjtorëve”, që u mbështet mbi punën shumëvjeçare të At Justinit, i cili ka punuar për këtë botim me përkushtim të veçantë.
Libri “Nga Thesari i Shenjtorëve”
Jetët e shenjtorëve që jepen këtu, janë pothuajse të gjitha të botuara në gazetën e Kishës “Ngjallja”, që nga viti 1995 e deri tani.
Shenjtorët janë ata që iu dhanë plotësisht Perëndisë; i janë ngjitur fronit të Tij, sipas ikonës madhështore të Apokalipsit: “Përreth fronit [të Perëndisë], njëzet e katër frone dhe mbi fronet të ulur njëzet e katër presviterë [d.m.th. shenjtorë], të veshur me rroba të bardha dhe mbi kokat e tyre kurora të arta, dhe nga froni shkrepëtijnë rrufe dhe ushtojnë zëra e bubullima” (Apokal. 4.4 – 5).
Shenjtorët! “Fronti hyjnor, ushtarët hyjfolës të ballit të Zotit; yje të shumëndritshëm të kupës qiellore; kështjellë e pamposhtur e Sionës mistike; lule me aromë të këndshme të Parajsës; gojët e gjitharta të Fjalës; mburrje e Kishës; shkëlqimi i botës”, siç psal një himn i mrekullueshëm (Lavdia e Lavdërimeve të Etërve të Shenjtë).
Shenjtorët! Figura nga Polli Ngrirë i Veriut të Rusisë, deri tek Ekuatori i nxehtë dhe jugu i Afrikës; nga “vendi ku lind dielli”, Japonia, deri tek perëndimi amerikan; foshnja e njëqindvjeçarë; të rinj dhe të moshuar; burra dhe gra; shkencëtarë dhe analfabetë; mbretër dhe shërbëtorë; të pasur dhe të varfër; klerikë, murgj dhe laikë.
Ishin analfabetë, shërbëtorë, të varfër, laikë këtu në tokë, “në luginën e qarjes” (Psalm. 83.7), por ishin si të gjithë shenjtorët plot “me çdo urtësi” (Efes. 1.8), të mbushur me “pasurinë e hirit” (Efes. 1.7), pjesëmarrës “në gëzimin e Zotit” (Mat. 25.21) “në panaire dhe Kisha të të paralindurve në qiej” (Hebr. 12.23).
Figura nga parakrishterimi profetik dhe Kisha të pandarë deri në shekullin e njëzetenjëtë; nga Adami i paragatuar deri tek shenjtorët e kohëve të fundit.
Ndriçimet nga të gjitha galaktikat e Qiellit, plejadat e “stëretërve, etërve, patrikëve, profetëve, apostujve, predikuesve, ungjillorëve, omologjetëve, oshënarëve”, të drejtëve (Urata pas shenjtërimit të Dhuratave të Shenjta).
Udhëtarë për tek Qielli, që u drejtuan për në mbretërinë e Perëndisë nëpërmjet rrugëve dhe monopateve të shumëllojshme. Në disa raste, ata vetë hapën rrugët dhe ua lanë si trashëgimi të shkëlqyer pasardhësve për tek Jerusalemi sipërm; “udhët e të drejtëve shkëlqejnë njësoj me dritën” (Fjalë të urta 4.18).
BOTIM I KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
TIRANË, 2004
Çuditemi me “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8.21), që ta zgjedhin vetë mënyrën e ecjes së tyre nga një anë, dhe nga ana tjetër, me respektimin e karaktereve njerëzore nga Krijuesi!
“Për shkak të njeridashjes së Perëndisë që na krijoi, të shumta janë udhët e njerëzve drejt shpëtimit, që kthehen e lartësojnë shpirtrat në Qiejt”, konstaton shën Athanasi.
Kështu, Agjiologj-i i Kishës sonë (Agjiologj quhet libri i jetëve të shenjtorëve), bëhet “fanar”, ngaqë shenjtërimi i larmishëm, “drita”, ndriçon “të gjitha brenda shtëpisë” (Mat.5.15), “së Perëndisë që është Kisha e Perëndisë” (1Tim. 3.15).
Njëkohësisht, kontakti ynë me shenjtorët e çdo kategorie dhe në veçanti, e lë pa mbrojtje e pa justifikim neglizhencën tonë, pasi shohim se shenjtorët u perfeksionuan në kushte të njëjta, madje më të këqija se tonat…
Jetët që paraqiten këtu janë shumë të përmbledhura, kështu që është e mundur të lexohen nga çdo njeri edhe nga më i nguturi.
Pra, kur festohen shenjtorët që janë këtu, është e mundur t’i lexojmë brenda pak minutash, që t’i fusim në mendjen e zemrën tonë…
Si përfundim, themi se qëllimi që dëshirojmë të arrijmë është ky: Lexuesi, i ndihmuar nga afrimi me anëtarë të kurorëzuar të Kishës, ta shfrytëzojë me leverdi shpirtërore, duke u udhëhequr në zbatimin e thënies së Joan Krisostomit (Gojartit); “Nder i dëshmorit [dhe gjithashtu i çdo shenjti] është imitimi i dëshmorit [dhe gjithashtu i çdo shenjtori]”.
Tani, sjellja dhe jeta jonë do të komunikojë me një mënyrë të gjallë me jetët e shenjtorëve. Këtë e vë në dukje edhe jeta e shumë shenjtorëve, që u bënë të tillë duke u frymëzuar nga jetët e shenjtorëve paraardhës!
(Kjo pjesë është shkëputur nga parathënia e librit)