EmailFacebookKontakt

Libra të rinj – Si do të besojnë, po të mos dëgjojnë?

Libra të rinj

Si do të besojnë, po të mos dëgjojnë?

Nevoja imperative për një komunikim të vazhdueshëm me grigjën shpirtërore të krahinës sonë metropolitane, më nxiti të hartoj një mesazh të shkruar kryesisht mbi leximet ungjillore të të Dielave të vitit dhe t’ua dërgoj enorive, që priftërinjtë tanë t’i lexojnë gjatë Liturgjisë Hyjnore.

Sigurisht, fjala e shkruar ka mangësi për sa i takon spontanitetit në krahasim me fjalën e folur dhe me kontaktin direkt të komunikimit njerëzor. Megjithatë e ruan praninë e Episkopit në një farë mënyre, i cili ka përgjegjësi shpirtërore për 102 enori të shpërndara në vende të largëta dhe që ka pak priftërinj me edukim universitar, përderisa pjesa më e madhe nuk shkëputen lehtë nga qendrat e mëdha urbane.

Pas 54 vitesh shërbimi të fjalës së Perëndisë, 17 si predikues dhe 37 si episkop, përfundoj gjithmonë në të njëjtat formulime. Nevojitet lutje e vazhdueshme, që mendja të ndriçohet dhe të çelen sytë në kuptimin e predikimeve ungjillore dhe një kërkim intensiv, që të gjejë dikush ato gjëra për të cilat bota kërkon përgjigje.

Pavarësisht kësaj, nuk është e vështirë për dikë të kuptojë se të vërtetat esenciale të besimit tonë në shumë raste nuk njihen dhe se besimi ynë orthodhoks shpesh identifikohet me besëtytni, me kode të vjetruara qytetërimi ose akoma edhe më një fis të caktuar, duke u konsi- deruar privilegj ekskluziv i tij.

Të gjithë ne kemi pjesën tonë të përgje- gjësisë. Por dhimbja bëhet më e fortë, kur

dikush konstaton se tekstet liturgjike, leximet biblike, himnet dhe uratat mbeten të huaja për pjesën më të madhe të popullit që shkon në kishë. Shpesh, si pasojë e kësaj, ndodh që adhurimi ynë logjik të shikohet si “ceremonial magjik”.

Jo rrallë këto konstatime të hidhura më çuan të bëj predikime, që kapërcenin pesëmbëdhjetë minutat e orës, sipas asaj që na porositi mësuesi ynë i lumur, Panajotis Trembelas. Qëllimi im besimtar, ishte të shpjegoj, nëse është e mundur në një predikim, të gjithë të vërtetën e Ungjillit, duke lënë jashtë shpjegimet zemërngushta dhe konceptet ritualistike.

Nuk më ka shpëtuar fakti se kërkesa themel- tare për predikuesin edhe e mbledhjes kishtare më dashamirëse dhe vullnetmirë është bërja e një predikimi në mënyrë të përmbledhur. Zgjatja e fjalës nga ana tjetër është një mangësi e njohur, e përbashkët, herë e falshme dhe herë e papra- nueshme, e pjesës më të madhe të folësve në mbarë dheun.

Me mesazhin e shkurtër të ditës së diel u ushtrova në shmangien e thënies së gjërave të tepërta, duke u kufizuar në shtjellimin e një teze dhe shmanga enumeracionin e mesazheve.

Në këtë vëllim, përfshihen predikimet e shkruara të katër viteve (1999-2003). Janë vendosur në radhë kronologjike, sipas të Dielave të vitit liturgjik, që i referohen. Botohen me lutjen e nxehtë që të ndihmojnë në fuqizimin e pje- sëmarrjes së ndërgjegjshme të lexuesve në mbledhjen eukaristike dhe në prezencën e

përgjegjshme të tyre brenda shoqërisë sonë multikulturore.

Falënderoj nga thellësia e zemrës bashkë- punëtorët e mi të zgjedhur, që u munduan për hartimin e kësaj përmbledhjeje, si dhe shtëpinë botuese “Akritas”, që e përfshiu në botimet e saj.

Mitropoliti i Polianisë dhe i Kilkisit,
(f) Apostoli

Kilkis, E kremtja e protokorifenjve Petro
dhe Pavli 2004