EmailFacebookKontakt

Libra të rinj: Shën Siluan Athoniti

Para pak kohësh doli në shitje libri “Shën Siluan Athoniti” me autor Arkimandrit Sofroni Saharov, i përkthyer në shqip nga Imzot Joan Pelushi

Në oqeanin e pamasë të racës njerëzore, dëshmuesit e dashurisë më Krishtin janë kaq të pakët, kaq të rrallë, një nga këta ishte dhe Starec Siluani, për të cilin bëhet fjalë në këtë libër

…Jisu Krishti e deshi botën pa masë, dhe Starec Siluanit iu dha ta përjetonte efektivisht këtë dashuri. Si pasojë e kësaj, ai pati dashuri për Krishtin dhe për shumë vite vazhdoi me një përpjekje të jashtëzakonshme asketike, për të siguruar se asnjë dhe asgjë nuk mund ta zhvishte atë nga kjo dhuratë, dhe të thoshte në fund të jetës së tij, së bashku me Apostullin e madh Pavël: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?… Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, që është në Jisu Krishtin, Zotin tonë.”

Nëse ndalojmë dhe mendojmë mbi këto fjalë të Shën Pavlit, ne do të kuptojmë se ai mund të fliste kështu vetëm mbasi të kishte kaluar nëpër të gjitha vështirësitë e përmendura. Dhe kushdo që do të ndjekë pas Krishtin, si ka treguar përvoja e shekujve, duhet të durojë një shumicë sprovash. Gjithashtu, edhe Starec Siluani i vuajti ato.

I lumuri Starec skima-murg Siluani e praktikoi asketizmin për dyzet e gjashtë vjet në manastirin rus të Shën Pandeleimonit në Malin Athos. Autori i këtij shkrimi kaloi rreth katërmbëdhjetë vjet në të njëjtin manastir. Gjatë viteve të fundit të Starecit – pothuaj prej vitit 1931 deri në vdekjen e tij (11/24 shtator 1938), ndodhi që unë isha më i afërti i atij. Dhe tani jam nxitur të shkruaj historinë e jetës së tij – një mision jo i lehtë për dikë që nuk ka as talentin dhe as përvojën e të shkruarit. Megjithatë, unë kam pranuar, përsa jam i bindur thellësisht dhe sinqerisht, se është detyra ime t’ia bëj të njohur botës këtë njeri me të vërtetë të madh.

Nga përmbajtja ky libër është i destinuar për një rreth të ngushtë njerëzish, interesimi i të cilëve është përqëndruar në asketizmin e krishterë dhe kështu shqetësimi im kryesor nuk është të prodhoj literaturë, por të shkruaj në mënyrën më të qartë, përsa është e mundur, portretin shpirtëror të Starecit.

E tërë vëmendja ime kur isha me Starec Siluanin ishte pushtuar nga personaliteti i tij shpirtëror, duke qenë qëllimi im dhe e mira ime shpirtërore. Kurrë nuk e pata ndonjëherë idenë për të shkruar biografinë e tij, dhe nuk mësova shumë gjëra që normalisht do të ishin me interes për kronikanin. Gjithashtu, jam i detyruar të hesht për shumë gjëra që kanë të bëjnë me njerëzit që janë akoma gjallë. Do të jap këtu vetëm pak fakte që kanë të bëjnë me jetën e Starecit, të cilat ai i tregonte në raste të ndryshme gjatë bisedave tona të shpeshta, ose që i kam dëgjuar nga asketë të ndryshëm në Malin e Shenjtë, të cilët ishin miq të Starecit. Nuk mendoj se informacioni im i pakët, në lidhje me jetën e tij të jashtme, paraqet ndonjë pengesë themelore. Do të isha krejtësisht i kënaqur t’ia dilja mbanë, qoftë edhe pjesërisht, me detyrën më të rëndësishme, domethënë, të portretizoj ngjashmërinë shpirtërore të Starecit për ata që nuk e kanë patur lumturinë e kontaktit direkt me atë. Përsa unë mund të tregoj dhe të gjykoj nga kontaktet e mia me njerëz të tjerë, ai ishte një shpirt i çliruar nga të gjitha pasionet, të cilat m’u dhanë t’i takoja në jetën time tokësore. Tani kur ai nuk është më me ne, e shohim atë si një gjigant shpirtëror të jashtëzakonshëm…

Emrat starec (rusisht), jerond (greqisht) dhe ava (sirisht), i referohen një murgu të virtytshëm dhe të respektuar, udhëheqës shpirtëror dhe zakonish i shkuar në moshë.

Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë