Për Fortlumturinë e Tij, Anastasin, Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë
Me rastin e lumur të përvjetorit të njëzetë të fronëzimit Tuaj Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, ju dërgoj urime të ngrohta, bashkë me vlerësimin dhe dashurinë time vëllazërore. Me zemër i bashkohem lutjeve të falënderimit të Fortlumturisë Suaj për shumë bekime që Zoti ka derdhur mbi ju dhe punën tuaj gjatë këtyre viteve. I kërkoj Perëndisë së Tërëfuqishëm, burimit të çdo dhurate, t’ju falë shëndet, gëzim shpirtëror dhe hire të reja të bollshme në gjithçka bëni.
Ruaj ende kujtimet e dashura të takimeve tona të ndryshme, më i fundit ishte ai i vitit të fundit në Asizi me rastin e Ditës së reflektimit, dialogut dhe lutjes për paqe dhe drejtësi në botë. U jam thellësisht mirënjohës për pjesëmarrjen tuaj në pelegrinazhin e përbashkët, duke dhënë dëshminë se paqja e vërtetë mund të ndërtohet vetëm me kërkimin për Perëndinë dhe për të vërtetën. Jam në dijeni se këto shqetësime kanë qenë përherë në qendër të punës, studimit dhe lutjes së Fortlumturisë Suaj dhe se me bazë këto bindje, ju keni punuar për rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas diktaturës së tmerrshme që u përpoq të zhdukte çdo referim të Perëndisë. Mua më ngushëllon shumë që Orthodhoksët dhe Katolikët në Shqipëri, sot kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë merr pjesë aktivisht në punën e “Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialog Theologjik midis Kishës Orthodhokse si një të tërë, dhe Kishës Katolike”. I kërkoj Perëndisë, burimit të çdo të mire, t’i falë Fortlumturisë suaj fuqi dhe shëndet që të vazhdoni me gëzim dhe entuziazëm shërbimin tuaj për paqe dhe pajtim.
Me urime të përzemërta të ripërtërira, uroj përzemërsisht Fortlumturinë tuaj në emrin e Krishtit, Zotit tonë.
Benedikti XVI
Kastel Gandolfo, 2 gusht 2012