EmailFacebookKontakt

Letër Presidentit Sali Berisha

Shkëlqesisë së Tij
Zotit SALI BERISHA
President i Republikës
TIRANE

Tiranë, më 9 Maj 1994

Shkëlqesi Zoti President,

Në radhë të parë, uroj me gjithë shpirt që paqja, dashuria dhe shpresa e Pashkës, në atmosferën e së cilës jetojmë këto ditë, të mbushin jetën dhe veprën tuaj.

Në vazhdim, jam i detyruar që me anën e kësaj letre, të shpreh keqardhjen time të thellë për zhurmën e padrejtë, artificiale, që u krijua në periudhën e kësaj të kremte të madhe kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me epiqendër personin e Kryepiskopit.

Me habi u informova se në një intervistë tuajën në stacionin televiziv Antena keni thënë se: “Asnjeri nuk e dinte këtë problem. Të gjithë u zemëruan pse Kryepiskopi ia paraqiti problemin Qeverisë Greke. Mendoj se ka qenë një shprehje pakënaqësie”. Pikëpamje të ngjashme shprehët, gjithashtu, edhe në një intervistë tjetër të fundit tuajën, që u transmetua në buletinet e lajmeve të Televizionit Shqiptar (7.5.1994).

Me qartësi absolute dhe në mënyrë kategorike, deklaroj se kurrë ndonjëherë, nuk i jam drejtuar, as direkt dhe as indirekt, Qeverisë Greke. Të vetmit të cilit iu drejtuam si Kishë Orthodhokse, me transparencë dhe besim të plotë, është Shkëlqesia Juaj; dhe kjo u bë me një peticion të përbashkët, i cili u miratua njëzëri brenda Kishës Katedrale të Tiranës, të Premten e Madhe, në orën 7 të mbrëmjes dhe iu dorëzua të nesërmen zyrës tuaj (shih bashkangj.1).

Por, meqë kam frikë se nuk jeni informuar plotësisht për disa detaje të rëndësishme, që zbulojnë qartë të vërtetën, do të më lejoni të parashtroj me thjeshtësi dhe qartësi ngjarjet, duke bashkangjitur dokumentacionin përkatës.

Refuzimi i policisë ndaj kërkesës sonë për procesionin e Epitafit dhe për ceremoninë e Shërbesës së Ngjalljes jashtë Kishës ishte i qartë dhe kategorik. Shkresa nr. 1195-/1/-27.4.1994 midis të tjerave thekson: “Asnjë veprimtari jashtë objektit të Kishës, për vetë pozicionin e saj, nga ana jonë nuk miratohet dhe nuk do të lejohet. Për veprime në kundërshtim me ligjin personal përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi.”(shih. bashkangj. 2).

Iu rikthyem me një kërkesë të dytë, duke iu lutur që të lejohej, qoftë vetëm për Pashkën. Dhe përsëri përgjigja ishte në mënyrë të qartë negative: “…ngelet në fuqi përgjigja e dhënë në shkresën me nr. 1195/3, dt.28.04.94, që të mos lejohet zhvillimi i ceremonisë fetare në atë vend.” (shih bashkangj. 3). Urdhërat verbale që iu dhanë përfaqësuesit të Kishës ishin akoma më të qartë e më të fortë. Kur mijëra orthodhoksë, të mbledhur në Kishë prej orës 6 pasdite, prisnin nxjerrjen e Epitafit dhe me indinjatë njoftoheshin për ndalimin, u përpoqa të zbutja gjakrat, duke rekomanduar publikisht për t’iu drejtuar Shkëlqesisë Suaj, të sigurtë për përfundimin e mbarë.

Të nesërmen, në Shërbesën e mëngjesit, u njoftova se kishte ardhur tashmë miratimi me shkrim (shih bashkangj. 4), i cili madje i qe dorëzuar rojes së natës, në orën 10 të natës sepse Kisha ishte e mbyllur. Çfarë ndërmjetësoi nga koha e miratimit publik të peticionit, që ju përcillet Juve i bashkangjitur (ora 7 pasdite) dhe dërgimit të miratimit (ora 10 e natës), pa ndonjë kërkesë tjetër tonën në polici? Me sa duket, njerëz me përgjegjësi të pushtetit shtetëror u informuan për ngjarjen nga kërkesa jonë, që u bë publikisht në Kishë. Njoftimet përkatëse për ndalimin qarkullonin në Kishë qysh në Shërbesën e mëngjesit të së Premtes së Madhe dhe është e natyrshme që ato të jenë bërë të njohura edhe në nëpunës diplomatikë grekë, të cilët, si orthodhoksë, merrnin pjesë në Shërbesat. Në mëngjesin e së Shtunës (30.4.1994), megjithë që leja tashmë ishte dhënë, unë insistova që Ju të informoheshit plotësisht për çdo gjë dhe z. Thoma Dhima informoi z. Gene Polio dhe dorëzoi në Presidencë një peticion të popullit Orthodhoks të Tiranës, si edhe një shënim sqarues përkatës.

Kjo është e vërteta e thjeshtë dhe transparente. Nuk iu drejtuam asnjë Qeverie të huaj për ndërmjetësim; iu drejtuam vetëm, dhe në mënyrë të qartë, Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Por, sigurisht, krijon habi dhe zhgënjim, se në një vend demokratik lihen në heshtje në mënyrë sistematike të gjitha deklaratat e Orthodhoksëve, që u drejtohen autoriteteve të larta shtetërore, jo vetëm të atyre të Tiranës, (shih bashkangj. 5,6), por edhe të qyteteve që u nderuan me vizitën e udhëheqjes së lartë demokratike: Berat, Durrës, Korçë, (shih bashkangj. 7,8,9), si edhe shumë të tjerëve; (shih bashkangj. 10,11,12); dhe se, në të kundërtën, jepen deklarata nxitëse komitetesh të çuditshëme, pa mbështetje popullore ose edhe partish, të cilat as nuk përfaqësohen në Parlament. Në të njëjtën kohë akuzohen Orthodhoksët se nuk i drejtohen Qeverisë Shqiptare.

Shpresojmë që shpejt do të kapërcehen keqkuptimet dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të jetë me të vërtetë e lirë për të vazhduar përpjekjen e vështirë të rimëkëmbjes së saj nga gërmadhat, që la pas persekutimi i egër i së kaluarës, si edhe të vazhdojë veprën e saj shoqërore. Zhvillimi i saj i papenguar do të jetë gjithmonë i favorshëm për demokracinë, për tërë popullin, për procesin e mëkëmbjes së Shqipërisë, për të cilën Ju luftoni, edhe për forcimin më të gjerë të paqes në Ballkan.

Me nderim të veçantë

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë