EmailFacebookKontakt

Letër ngushëllimi nga Patriarku i Serbisë, † Porfiri

Patriarku i Serbisë, † Porfiri

Sinodit të Shenjtë të episkopëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë

Vëllezër të dashur dhe bashkëmeshtarë në Krishtin,

Me besim të palëkundur në ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amshuar, por edhe me hidhërim të thellë, pjesë e natyrës njerëzore, morëm lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të vëllait tonë të dashur dhe bashkëmeshtarit në Zotin Krisht, Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të të Gjithë Shqipërisë, Anastasit. Fortlumturia e Tij, përmes dashurisë së pashtershme për Bariun e Përjetshëm të shpirtrave njerëzorë, Krishtin Perëndinjeri, ishte një ikonë besnike e shërbesës vetëmohuese ndaj Kishës sonë të Shenjtë dhe një zbukurim i mrekullueshëm i botës orthodhokse. Veprimtaria e tij misionare, e barazvlershme me atë të apostujve, e bëri atë një figurë të shquar shpirtërore, tek e cila shumë njerëz të humbur dhe të dëshpëruar gjetën një atë të dashur dhe morën dritën e besimit në Jisu Krishtin, në të Cilin të gjithë ne gjejmë kuptim, ngushëllim të përjetshëm dhe gëzim.

Duke mos u pikëlluar si ata që nuk kanë shpresë (1 Thes. 4:13), do ta ruajmë me dashuri dhe lutje në kujtesën tonë Kryepiskopin e paharrueshëm, Anastasin, si një mik të madh dhe të sinqertë të Kishës serbe, me të cilën ai ushqeu një marrëdhënie vëllazërore, dashurie dhe respekti. Po ashtu, dëshira e tij e zjarrtë për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme kishtare që prekin botën orthodhokse do të mbetet në histori si një zë i fuqishëm përgjegjësie i këtij Ati të bekuar ndaj premtimit të dhënë Krishtit dhe Kishës së Tij fort të Shenjtë.

Duke i shprehur ngushëllimet tona të sinqerta dhe më të thella Hirësive Tuaja dhe të gjithë Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, në emër të besimtarëve së Kishës Orthodhokse Serbe – Patriarkanës së Pejës dhe në emrin Tonë personal, për humbjen e Kryebariut të madh dhe të dashur, Kryepiskopit Anastas, figurës së ndritur të Orthodhoksisë, lutemi te Zoti i Ngjallur që shpirti i tij i drejtë të gjej prehje në Mbretërinë e dashurisë së përsosur dhe të përjetshme të Krishtit, ku shërbëtorët besnikë të Zotit janë të bekuar përjetësisht!

Qoftë i përjetshëm kujtimi yt, fort i lumur Kryebari dhe vëlla, Anastas!

Me dashuri në Krishtin Zot,
† PORFIRI
Patriarku i Serbisë