Me dhimbje dhe dashuri, për një Hierark të madh
Letra ngushëlluese të primatëve të Kishave Orthodhokse në botë me rastin e jetëndërrimit të Kryepiskopit tonë Anastas
Patriarku i Jerusalemit, † Theofili III
Drejtuar fort të hirshmit Mitropolit të Korçës, Hirësi Joanit, Mbikqyrës i Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, vëlla i dashur në Zotin dhe bashkëmeshëtar i Përulësisë Sonë, ju përshëndesim me përqafime të shenjta në Krishtin Jisu!
Me hidhërim të thellë, por jo pa shpresën që na jep Krishti i ngjallur prej së vdekurish, morëm lajmin për fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Duke marrë pjesë në dhimbjen e shenjtë të Kishës motër të Shqipërisë, lutemi me gjithë shpirt nga Golgothaja e Shenjtë, te Krishti, Mbreti i pavdekshëm dhe Perëndia ynë, që ka pushtetin mbi të vdekurit dhe të gjallët, për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë në vendin e të gjallëve, së bashku me të drejtët, duke shprehur sigurinë tonë se: “Luftën e mirë e luftova, garën e përfundova dhe besimin e ruajta. Pas kësaj më pret kurora e drejtësisë, që Zoti, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë dhe jo vetëm mua, po edhe të gjithë atyre që kanë pritur me dashuri ardhjen e tij.” (2 Tim. 4:7-8)
Ju përshëndesim, hirësi, me përqafime të përzemërta nga Varrimi i Shenjtë dhe Jetëdhënës.
Në Qytetin e Shenjtë të Jerusalemit, më 25 janar 2025.
Vëllai i dashur në Krishtin,
† THEOFILI III
Patriarku i Jerusalemit