EmailFacebookKontakt

Letër ngushëllimi nga Kryepiskopi i Greqisë, † Jeronimi II

Kryepiskopi i Greqisë, † Jeronimi II

Fort i hirshëm, Mitropolit i Korçës, vëlla shumë i dashur dhe i shtrenjtë në Krishtin Perëndi dhe bashkëmeshtar i Përulësisë sonë, z. Joan, Mbikëqyrës i Fronit të Kishës fort të Shenjtë të Shqipërisë, me shumë kënaqësi ju drejtohemi me përqafime të përzemërta.

Me shumë trishtim dhe dhimbje shpirtërore, marrim pjesë në pikëllimin e Kishës fort të Shenjtë të Shqipërisë për fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.

Kryepiskopi i ndjerë dhe vëllai ynë fort i dashur dhe bashkëmeshtar, gjatë gjithë jetës së tij të gjatë mishëroi idealin dhe shpirtin misionar të Kishës së Krishtit. Prandaj, i udhëhequr nga zelli apostolik, ai e predikoi Jisu Krishtin, e Kryqëzuar dhe të Ngjallur, me vepra dhe me fjalë, duke u bërë sipas shembullit të apostull Pavlit: “tek të gjithë u bëra të gjitha, që me çdo mënyrë të shpëtoj disa vetë” (1 Kor. 9:22).

Ai shkëlqeu si një ikonë e gjallë e besimit dhe e çdo virtyti dhe u dallua në mënyrë të veçantë, fillimisht si katekist laik, duke tërhequr turma të rinjsh dhe studentësh në Kishë. Më pas, si klerik dhe episkop, si profesor në Fakultetin e Theologjisë të Universitetit të Athinës, si drejtor i Shërbimit Apostolik (Apostoliki Diakonia) të Kishës së Greqisë, si misionar në Afrikë dhe, mbi të gjitha, si Kryepiskop i Shqipërisë. Me hirin e Shpirtit të Shenjtë, ai e ringjalli Kishën Orthodhokse të Shqipërisë nga hija e vdekjes, ku ishte zhytur nga persekutimi i egër 46-vjeçare.

Shërbesa e tij në Kishë ishte vetëmohuese, e mençur, e matur, e ndriçuar dhe frytdhënëse, sepse ai vetë ishte Njeri i Perëndisë, “plot me besim dhe fuqi” (Vep. 6:8), i drejtë, i ndershëm, fisnik, i urtë, i hirshëm, optimist, i palëkundur, i mbushur me praninë e Zotit dhe bartës i Krishtit.

Jemi të bindur se Zoti ynë do t’ia shpërblejë Punëtorit të denjë të Ungjillit të Tij përpjekjet e panumërta dhe mundin e palodhur që bëri për lavdinë e Emrit të Perëndisë.

Duke përmbyllur, lutemi me gjithë zemër që Zoti i Ngjallur ta prehë Kryepiskopin e ndjerë të Shqipërisë, Anastasin, i cili mbante emrin e Ngjalljes, në vendin e të gjallëve dhe në shkëlqimin e Shenjtorëve të Tij, si edhe të ngrejë një pasardhës të denjë për të vijuar veprën e tij të shumanshme!

Me shumë dashuri e respekt në Zotin,
Vëllai i dashur në Krishtin,
JERONIMI II
Kryepiskopi i Greqisë