EmailFacebookKontakt

Le t’i shkojmë pas edhe ne ΚΊΉΙΜ – “Iku larg… Por erdhi në vete…”

Të gjitha i kishte në shtëpinë e tij atërore i riu i paravolisë. Edhe rehati, edhe, komfort, edhe pasuri, edhe dashurinë e madhe prindërore. Dhe megjithatë, çdo gjë i dukej e kufizuar dhe monotone; dhe dashuria prindërore i dukej robëri. Prandaj kërkoi në fund, në mënyrë të prerë pjesën e trashëgimisë së tij. Atë, ma jep atë çka më takon për të marrë… Dhe pas disa ditësh biri më i vogël mblodhi gjithçka që kishte patur dhe iku në dhe të huaj, në një vend të largët. Atje, duke bërë një jetë prej plangprishësi, e harxhoi pa mend gjithë pasurinë që kishte marrë.

Kjo paravoli e sotme nuk i referohet eksluzivisht një të keqe të vetme. Ajo zbulon qatyrën më të thellë të mëkatit, që i është: Rebelimi i njeriut dhe gabimi i tij përfundimtar.

Eshtë një pështjellim dhe një vrazhdësi e çuditshme në kërkesën e birit më të vogël. Ai kërkon diçka që, sipas të drejtës nuk i takon para se të vdesë babai. Për të, thua se, i ati është tashmë i vdekur. Në këtë absurditet, gjërat i kanë humbur lidhjet dhe raportet e drejta. Mëkati merr në dorë penelin e imagjinatës dhe e prish pamjen e gjërave. Fjalën dhe porositë e Perëndisë i paraqet si vargonj të rëndë, ngrohtësinë dhe paqen e jetës kristiane si gjëra që nuk meritojnë të përmenden, përvojën dhe këshillat e më të moshuarve si mendime të vjetëruara. Por më kryesorja është se kjo shkallmon lidhjen e njeriut me Perëndinë Atë. Njeriu kërkon për të marrë nga Ai gjithçka të mundshme – shëndet, fuqi, mendje, forcë krijuese, liri të plotë, – për t’i përdorur ato larg Tij, dhe me kriteret e veta. Nuk do “marrje-dhënie” me Atin, thua se Ai, nga i cili i mori këto të mira, sikur nuk ekziston më.

Thelbi i mëkatit është prishja e lidhjes personale me Perëndinë, spekulimi i shëmtuar i dashurisë së Tij. Dua pasuritë e Tua, nuk të dua Ty. Dua “të mirat” e Tua, jo personin Tënd. Çdo goditje e mëpastajme në marrëdhëniet njerëzore është vazhdim dhe rezultat i kësaj plagosjeje fillestare të dashurisë. Më vonë miqtë e tij do të sillen ndaj tij ashtu siç u soli ai ndaj Atit. Do ta braktisin. Duam pasurinë tënde e jo ty. Dhe do të mbetet fillikat. Të provuarit e një jete vetmie pa dashuri është më e rëndë edhe nga vetë skamja, nga vetë jeta pranë derrave dhe të ushqyerit me çiçibanozë.

Tragjizmin e kësaj gjendjeje e zbulon me një ton të lehtë kjo paravoli, kur në vazhdim thotë: “erdhi në vete”. “Pra, deri atëherë, biri më i vogël nuk ishte në vete”, ishte në një gjendje paranoike. Prishja e personalitetit, marrëzia në format e ndryshme, është bashkudhëtare e mëkatit. Madje, në një kohë rebelimi – siç është rasti konkret – bëhet formë më karakteristike e jetës së njeriut.

Por ama, ekziston diçka shpresëdhënëse në këtë analizë të mëkatit. “Ardhja në vete” përbën një mirësjellje të veçantë ndaj njeriut të mashtruar. Krishti e shikon atë që “s’është në vete” por jo fare i pavlerë. Pra, ai i ka të gjitha hapësirat që ta kapërcejë këtë gjendje deliri. Dhe e kapërceu. “Erdhi në vete”.

Gjeti veten e vërtetë të tij, duke rigjetur lidhjen e tij personale me atin e vet. Fjala e parë e pohimit të tij e korrigjon lidhjen e dëmtuar të dashurisë reciproke. “Atë jam yt i jam i imi; këtë lidhje të pathyeshme të dashurisë prindërore unë e prisha dhe atë e kërkoj prapë”.

Pendesa, në analizë të fundit, është kapërcim i marrisë njerëzore të prishjes së brendshme, është rigjetja e vetes sonë të vërtetë brenda raportit të dashurisë me Atin, i cili mishëron Dashurinë e pafund. Por tragjikja është se shumë njerëz e pasojnë birin më të vogël të paravolisë gjer në stadin e izolimit të tij në stallën e derrave. Pretekste të ndryshëm të papërfillshëm e përgjumin dëshirën për kthim. Njërit mëkati i pëshpërit: “më vonë”, tjetrit i fut helmin e dyshimit, duke i thënë: “dhe kush të garanton se me ndryshimin e mënyrës së jetesës do të jesh më mirë?” Një të tretit i hedh pluhurin e zhgënjimit: “tani, kështu siç u katandise, nuk është e mundur të ndryshosh”, një tjetër e paralizon me qesëndinë e miqve.

Këto ditë Kisha jonë na nxit të gjithë neve, që jemi larguar, kush më pak e kush më shumë, në një pendim të sinqertë. Na fton për të rigjetur veten tonë të vërtetë, brenda dashurisë së Perëndisë.

Dhe vrapoi (ati) dhe e përqafoi dhe e puthi me mall.

Asnjë aludim për të kaluarën. Me bujari ia jep të gjitha përsëri: edhe “veshjen e parë”, që tregon nderim, dhe “unazën” që do të thotë pushtet, edhe “këpucët” që e dallojnë të birin nga shërbëtori dhe ishte kështu simbol liror. Ati urdhëron që të përgatitet një festë gëzimi. Do të ishte më drejtë që paravolia të quhej jo e “Plangprishësit” por e “Atit të dashur”.

A nuk është tragjikisht paranoike të kemi një At të tillë, ta shikojmë që na vjen në takim krahëhapur, dhe ne përçmueshëm t’i shmangemi, duke ikur larg Tij?

Por kush e bën këtë? – do të pyesë ndokush. Ne, vëllezërit, kur nuk pendohemi!

+ Anastas