EmailFacebookKontakt

Le të thërrasim vëllezër edhe ata që na urrejnë

“Le të thërrasim vëllezër edhe ata që na urrejnë”

Nga Dr. Piter Gillhert

Shpesh ne këndojmë himnet e Kishës pa pyetur se nga kanë ardhur ato. Ndoshta, mund të supozojmë, se, ashtu si malet e deti, ato kanë qenë gjithmonë aty. Por, kjo s’është e vërtetë. Ashtu si njerëzit, duke parë prindërit, mund të zbulojnë natyrën e fëmijës, kështu ndodh edhe me lutjet e Kishës. Nëse ne dimë se si ato janë shkruar, kjo na ndihmon t’i kuptojmë.

Në një nga himnet e Kanonit të Pashkës, gjejmë këto fjalë: ‘Eshtë dita e Ngjalljes dhe fillimi është i mbarë. Le të ndriçohemi të gjithë në këtë panair; le të përqafojmë njëri-tjetrin. Le t’u themi o vëllezër edhe atyre që na urrejnë; dhe jo vetëm atyre që na dhanë dhe u dhamë dashuri”. Këto janë fjalë të lavdishme dhe plot gëzim, që i përshtaten shumë të Kremtes së të Kremteve. Nga vijnë ato?

Ato gjenden në një predikim të bërë ditën e Pashkës në vitin 362, në qytetin e Nazianzit (në Kapadoki, pjesë e Turqisë së sotme) nga një prift i ri, i quajtur shën Grigor Theologu. Në fakt, ato ishin fjalët hapëse të predikimit të tij të parë si prift. Shumë më vonë, në shek VIII, shën Joan Damaskinoi, një tjetër At i Kishës, i shkëputi këto fjalë nga predikimi i shën Grigorit dhe i vendosi në himnin që ne këndojmë në kohën e Pashkës. Shumica e himnologjisë kishtare të Shën Joanit u kompozua në këtë mënyrë, duke marrë pasazhe nga shkrimet e shenjtorëve të hershëm dhe duke i vënë në nota muzikore.

Kush është shën Grigor Theologu? – Nëse keni qenë në Katedralen e Tiranës, ju, do ta keni parë ikonën e Shën Grigorit, ndoshta pa e kuptuar. Shën Grigori, mjekërbardhë, qëndron bashkë me shën Vasilin e Madh dhe shën Joan Gojartin në ikonën e “Tre Hierarkëve të Mëdhenj”, në fund të anës së majtë të ikonostasit (Në kisha të tjera, kjo ikonë ndonjëherë gjendet në mur, prapa altarit). Këta burra jetuan dhe shkruan të gjithë në shekullin e IV, kohë e një rëndësie të veçantë në Histo-rinë e Kishës (Shën Joan Gojarti, që ishte pak më i ri se të tjerët, jetoi për pak vite në shekullin e V). Nga të tre, shën Vasili e shën Grigori ishin miq shumë të ngushtë, pasi kishin shkuar së bashku në Universitetin e Athinës. Ata quhen “Tre Hierarkët” për shenjtërinë e jetës së tyre dhe për ndikimin e thellë që patën në predikimin dhe teologjinë e Kishës sonë, veçanërisht në lidhje me doktrinën e Trinisë së Shenjtë.

Shekulli i IV ishte një periudhë jetike në shumë drejtime. Ishte koha kur Krishtërimi doli nga persekutimet për t’u bërë feja e Perandorisë Romake. Ishte koha kur Monasticizmi filloi t’i japë trajtën traditës shpirtërore të Kishës, monasticizëm i cili lindi pjesërisht si reagim ndaj afrimit të ngushte midis Kishës e Shtetit. Ishte koha kur jeta liturgjikale e Kishës filloi të marrë formën që vazhdon të mbajë edhe sot në Kishën Orthodhokse: Nuk është për t’u habitur fakti se dy liturgjitë tona kryesore janë ato të shën Joan Gojartit dhe shën Vasilit. Mbi të gjitha, ishte koha e rilindjes letrare, kur poezia, fllozofia e oratoria e botës antike u transformuan dhe u bënë pjesë e trashëgimisë së Kishës dhe në këtë mënyrë, u ruajtën për brezat e ardhshëm. Të gjithë këta faktorë historikë kanë hyrë në një farë mënyre në mendimin e shën Grigor Teologut.

Por, realiteti qëndror për mendimin e jetën e shën Grigorit ishte gjithmonë Perëndia. Thotë shën Grigori: “Një njeri duhet të mendojë për Perëndinë më shumë se sa merr frymë”. Jo më kot shën Grigori quhet “Theologu”. Kisha nderon me titullin “Theologu” edhe dy njerëz të tjerë, shën Joan Ungjillorin dhe mistikun e shek X shën Simeonin (Teologu i Ri).

Shkrimet e shën Grigorit janë të mbushura plot me dritën e pakrijuar të Trinisë. Për këta njerëz, Perëndia nuk ishte teori, por një prani e gjallë, e cila e transformoi jetën e tyre. Nga ky transformim – hyjnizim më Krishtin – ata shkruan ato që shkruan dhe shkrimet e tyre na tregojnë ç’nënkupton teologjia e vërtetë, jo një njohuri teorike, akademike, e arritshme me anë të dritës së arsyes njerëzore, por një njohuri e dhënë nga fryma e gjallë e Shpirtit të Shenjtë, e Shpirtit të së vërtetës.