– Ndihmë për të varfrit me rastin e Krishtlindjeve, nga Grupi i Grave Orthodhokse të Tiranës “Përhapja e Dashurisë” –
Grupi i Grave Orthodhokse të Tiranës “Përhapja e Dashurisë”, me punën e palodhur në shërbim të nevojtarëve, shpreh bindjen e plotë ndaj porosisë “Ta doni njëri-tjetrin… Prej kësaj do t’ju njohin juve të gjithë që jeni nxënësit e mi” (Joan 13:34-35).
Përdëllimi ndaj të varfërve, mbështetja për të mënjanuarit nga jeta, dashuria për jetimët, kujdesi për të sëmurët, si dhe vizitat në burgje e azile, kanë mbushur aktivitetet e grupit me rastin e Krishtlindjeve.
Muaji dhjetor filloi me zbatimin e mini-projektit “Më ndihmo”, që u hartua në bashkëpunim me zyrën e kishës “Shërbimi i Dashurisë”. Ndërgjegjësimi i komunitetit besimtar për të marrë pjesë në veprime humanitare do të jetë fokusi kryesor i këtij projekti.
Pas lajmërimeve dhe fletë-informacioneve, që u shpërndanë në dy kishat e qytetit, brenda tri javëve u grumbullua nga besimtarët një kontribut prej 100.000 lekësh (të reja) dhe 160 kg ushqime. Me to anëtaret e grupit përgatitën pako ushqimore dhe i shpërndanë në 100 familje shumë nevojtare, në prag të Krishtlindjeve.
Veprimtaritë vazhduan më tej me ndihmën e madhe prej 600.000 lekësh të reja, që dha Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas. Së pari, u ndihmuan edhe 300 familje nevojtare në Tiranë. Gjithashtu, u shpërndanë pako edhe rreth 200 individëve në nevojë, që banojnë në fshatrat përreth kryeqytetit.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua festimit të Krishtlindjeve me fëmijët e jetimores, Tiranë, për të cilët u përgatitën pako me lodra dhe ëmbëlsira. Kryepiskopi Anastas ua shpërndau ato me dashuri 80 fëmijëve jetimë, duke iu transmetuar njëkohësisht edhe bekimin e Perëndisë për Vitin e Ri.
Zyra “Shërbimi i Dashurisë”, ndihmoi që në festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri të përfshihen edhe pleqtë e azilit të Tiranës dhe burgu 325.
Veprimtaritë e organizuara në këto institucione transmetuan përkujdesjen Hyjnore të Perëndisë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga rrethanat ku ndodhen. Syri i dhembshur i Krishtit depërton dhembjen dhe e kthen në paqe dhe dobësinë tonë e shndërron në ngushëllime forcë.
Grupi i Grave Orthodhokse të Tiranës “Përhapja e Dashurisë”