EmailFacebookKontakt

“Le ta lemë zemrën tonë të mbushet me gëzim!”

“Krishti lindet, lavdërojeni.” Me këtë frazë nis fjalimin e tij Shën Grigor Teologu. Dhe këtë frazë Kisha jonë, me gojën e poetit, e bëri një hymn dhe një lutje të të gjithë të krishterëve, të të gjithë epokave.

Krishti lindet, le ta lavdërojmë, na thotë. Le të lemë zemrën tonë të mbushet me gëzim. Sepse lindja e tij zhduk vdekjen, dërrmon dëshpërimin, na çliron nga frika, zgjidh çdo gjë të pazgjidhur.

Lindja e tij nuk është një ngjarje biologjike. Eshtë hyrja e Perëndisë brenda në jetën tonë. Eshtë ngjitja e njeriut te Perëndia. Eshtë takimi i Perëndisë dhe i njeriut. Sepse, te personi i Iisu Krishtit takohet Hyjnia dhe njerëzia, natyra hyjnore dhe ajo njerëzore. E krijuara përfshihet nga e pakrijuara dhe transformohet në mosprishje. Natyra njerëzore hyjnizohet “Perëndia bëhet njeri, që Adamin (njeriun) ta përpunojë në Perëndi” (Shën Thanasi i madh). Merr pjesë “në më të keqen”, që të na japë “më të mirën”.

Kështu që, rënia jonë bëhet shkak të vijë në botë Perëndia e të shfaqet tek ne dhe në terë krijesën rrugën shpirtërore dashuria e Perëndisë për njeriun. Perëndia ndezi si një dritë “trupin e Tij” dhe kërkon nëpër errësirën e çorientimit tonë dhe të prishjes tonë të gjejë “ikonën e tij të prishur prej nesh me pasionet” dhe ta sjellë te Perëndia – At, pasi më parë ta pastrojë me gjakun e Tij dhe ta shenjtërojë me hirin dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë.

Me këtë mënyrë, na hap rrugën të gjithëve dhe na jep mundësinë që mbretërinë e Tij, gëzimin e Tij, përjetësinë e Tij, t’i bëjmë dhe tonat. Neve na le vetëm lirinë dhe dëshirën, si fuqia bazë, për të ndjekur rrugën që na çeli ardhja e tij në tokë.

Le t’i lemë, pra, zemrat tona të ndëpërshkohen nga dashuria e tij vepruese dhe le ta lavdërojmë me shumë mirënjohje. Së bashku me engjëjt, me barinjtë dhe me magët.