Që kur u krijuan ëngjëjt kishin si punë lavdërimin e Perëndisë. E lavdëronin Atë në mënyrë të vetvetishme, lirisht, me dashuri, sepse me syrin e tyre ëngjëllor ata zbulojnë urtësinë e pambarim dhe përsosmërinë e Perëndisë, i cili është krijuesi i tyre, brenda asaj krijimtarie të Tij të pafund. E lavdërojnë “qysh kur u bënë yjet”, domethënë, që kur u realizua krijimi i Perëndisë. Vetëm kjo botë e bukur, të cilën edhe ne, në një farë shkalle, e shohim dhe e admirojmë. Dhe ata e bëjnë këtë, sepse krijimi përbën një pasqyrë shumë të qartë të urtësisë hyjnore, të plotfuqishmërisë hyjnore dhe të dashurisë së pambarim hyjnore. E lavdërojnë kur shohin punët e panumërta të Perëndisë për ruajtjen dhe qeverisjen e krijimit të pafund. Dhe nëse krijimi i tërë botës nga hiçi përbën më të vërtetë një mrekulli mahnitëse, një mrekulli akoma më e madhe dhe e pakonceptueshme është mbajtja e kësaj bote nga prishja, shkrirja dhe nga katastrofa. Por, në mënyrë të veçantë e lavdërojnë për atë që Ai bën pandërprerje për shpëtimin e njerëzve, si për secilin veç e veç ashtu edhe për të gjithë së bashku.
Po, njerëzit nuk i shihnin këto gjëra që bëheshin në qiell. Por, ja tani vepra lavdëruese e ëngjëjve bëhet e dukshme edhe për gjininë njerëzore, bile duke patur si shkas vetë njerëzit. Para syve plot habi të barinjve dashamirë të Vithleemit, që, si të thjeshtë e të dlirë, qenë përfaqësuesit e vetëm të përshtatshëm për të na përfaqësuar, shfaqet një armatë e tërë, një ushtri e panumërt ëngjëjsh, që himnojnë Perëndinë për ngjarjen më mahnitëse që mund të ketë ndodhur ndonjëherë. Dhe sigurisht, nuk psallin dhe nuk e lavdërojnë vetëm ata ëngjëj që u shfaqën atë moment para barinjve, por edhe e tërë bota qiellore e ëngjëjve, të gjithë sa gjenden në qiell pa përjashtim. Por, për çfarë ngjarje? Po, për ç’gjë tjetër? Për trupëzimin e Birit të Perëndisë, i cili, nga Perëndi që ishte, mori përsipër edhe natyrën njerëzore dhe kështu u bë njëherësh edhe Perëndi edhe njeri, për t’iu afruar njeriut jo së jashtmi dhe si një vizitor i huaj për të, por së brendshmi, nga brenda tij, domethënë si njeri i ngjashëm me të gjithë njerëzit. Ëngjëjt e shenjtë shohin se zbulohet për herë të parë një “mister i çuditshëm dhe paradoksal”. Asnjë mendje engjëllore, qoftë edhe më parashikuesja, më e ndritura dhe më depërtuesja nuk do të mundte kurrë, as edhe thjesht, që ta mendonte këtë veprim të Perëndisë, domethënë që të merrte fillim ai që është i pafillimshëm, ai që s’ka fillim, e të bëhet i konceptueshëm edhe për sytë materialë të njerëzve. Ai që as edhe ëngjëjt nuk mund ta shohin, e që vetë Krijuesi të bëhet krijesë!
Prandaj, kur shohin këtë mister të pashprehshëm, ata shpërthejnë në lavdërime, të mbushur me gëzim dhe entusiazëm të shenjtë, në gjendje ekstaze dhe të kënaqur, duke konstatuar edhe njëherë akoma dashurinë e pamasë të Perëndisë ndaj krijesës së tij të degraduar – njeriut. Perëndinë e pafund dhe pambarim “asgjë nuk e nxë”, ai që kërkund s’mund të përfshihet dhe i ka të tëra në gjirin e Tij, u bë njeri i përunjur, sa që e nxuri edhe ai grazhdi i thjeshtë; dhe Ai që është më lart se çdo gjë tjetër zbriti brenda varfërisë së tmerrshme dhe mjerimit të njerëzve, dhe si i ngjashëm me ta, për të vërtetuar se e do sa asgjë tjetër këtë njeri. Dhe prandaj ata (ëngjëjt) shpërthejnë në himnin: “Lavdi Perëndisë në më të lartat e paqe mbi dhe, e mirëdashje ndër njerëzit”! që do të thotë: i shkon përshtat dhe e meriton lavdërimin Perëndia që banon në qiejt. Lavdërimi i ka hije Perëndisë që zbriti në tokën e shumëvuajtur. Lavdi Perëndisë, sepse të begatshëm i zbuloi favoret dhe predispozicionin mirëdashës për njerëzit.
Krishti erdhi për të na sjellë paqe.
Dhe bashkë me ëngjëjt e shenjtë thërrasim edhe ne:
Lavdi më të lartit Perëndi, që me dashurinë e Tij jo vetëm e mendoi, por edhe e realizoi planin e shpëtimit tonë.
Lavdi më të lartit Perëndi, që jo se i mungon lavdia, por sepse sa më shumë që na zbulohet urtësia dhe mirësia e Tij e pafund, aq më e vetvetishme dhe më e thellë është për Të mirënjohja jonë dhe lavdërimi për tolerancën mirëdashëse të Tij.
Lavdi më të lartit Perëndi, sepse edhe sivjet na bëri prapë të denjë që ia arritëm këtyre ditëve të shenjta për të kremtuar Lindjen e shenjtë të Birit të Tij të trupëzuar.
Lindja e Krishtit, i cili është njëherësh edhe Perëndi edhe njeri shënoi rivendosjen e paqes midis Perëndisë dhe njeriut. Me trupëzimin e Perëndisë u përmbys pushteti dhe sundimi i mëkatit që e kishin bërë njeriun armik të Perëndisë dhe kjo tolerancë e pajton Krijuesin me krijesën e Tij. E si të mos ngazëllohet qielli me tërë botën e tij shpirtërore, e si të mos kremtojë këtë pajtim? Sido që të bënte njeriu, nuk do të mundte vetë që t’ia arrinte këtij paqësimi. Por, inisiativa e Perëndisë edhe të pamundurën e bëri të mundur dhe e realizoi të parealizueshmen.
Por, trupëzimi i Birit të Perëndisë nuk arriti vetëm pajtimin midis Perëndisë dhe njeriut, por përbën edhe fillimin e mundësisë së pajtimit të njerëzve midis tyre. “Dhe paqe mbi dhe” psall kori ëngjëllor me gëzim marramendës. Dhe kjo do të thotë se tashmë nuk është i pamundur paqësimi midis njerëzve, po të duan sigurisht, që, me gjithë zemër e me çdo rrjedhojë, të pranojnë në jetën e tyre Krishtin e lindur, i cili është paqja jonë me çdo mënyrë e në çdo marrëdhënie tonën.
Paqja, të cilën Krishti erdhi për të na e prurë, nuk është diçka që na imponohet nga jashtë, por diçka që më parë mbizotëron në jetën tonë e pastaj manifestohet në jetën tonë të përditshme, qoftë kur është fjala për individë të veçantë, qoftë edhe për grupe njerëzish apo për popuj të tërë, në jetën e tyre të jashtme e të brendshme.
arkimandrit Efsevios