EmailFacebookKontakt

Lamtumire dhimiter bedulit

Në 16 janar, sic njoftuam shkurtimisht në numrin e kaluar, fjeti z. Dhimitër Beduli, theolog i shquar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të saj Petar.

Ceremonia e përmortshme u celebrua në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit nga Kryepiskopi Anastas dhe klerikë të vjetër e të rinj, nga të katër dioqezat. Bashkë me të afërmit e miqtë, në ceremoni morrën pjesë edhe qindra besimtarë orthodhoksë, që donin t’i shprehnin atij lamtumirën e fundit.

Në këtë numër të “Ngjalljes”, ku z. Dhimitër ishte themelues, kryetar i Këshillit Botues dhe bashkëpunëtori më i rregullt, po botojmë kujtime nga bashkëpunëtorë dhe njerëz që e kanë njohur atë nga afër, për ta ndricuar sadopak këtë figure madhore të orthodhoksisë shqiptare.

“Lum ai njeri që duron ngasje; sepse pasi të provohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën u është zotuar Zoti atyre që e duan” (Jakovi 1:12). Mes provash të mundimshme jetoi Dhimitër Beduli, që sot i themi lamtumirë. Duroi ngasje, u provua, mori kurorën e jetës, të cilën Perëndia u premtoi atyre që e duan.

Para se të gjithash, ishte njeri me besim të patundur dhe përkushtim të thellë te Krishti. Që nga mosha e tij rinore vendosi t’i përkushtohej Kishës. Në vitet e provës së madhe, të persekutimit të frikshëm, besimi i tij jo vetëm që rezistoi, por u bë edhe më i ndritshëm, porsi floriri në fonderi. Sapo lindi liria e besimit, shpalli me gjithë fuqinë e shpirtit të tij sigurinë se Krishti është shpresa edhe për Shqipërinë. “Edhe në ecsha në luginën e hijes së vdekjes, nga asnjë e keqe s’do të kem frikë, se ti me mua je;” (Psalmi 22:4). Këto vargje, të cilat ai i psallte në mënyrë melodioze në Kishë, përcaktonin sjelljen e tij dhe e mbështesnin në udhën e tij të vështirë. Besimin e tij të thellë, të kthjellët dhe të fortë e përcillte, gjithashtu, me predikimin e tij në këtë kishë, me fjalën e shkruar, por edhe kur heshtte, me shembullin e tij. Me gjithë jetën e tij, rrezatonte besimin e mirëfilltë që e karakterizonte.

Një cilësi e dytë thelbësore: Ishte njeri i kultivuar, me dije të shumanshme dhe thelbësore. I lindur në 10 korrik 1914, në Skore të Gjirokastrës, që nga periudha e parë e jetës së tij i deshi shumë shkronjat. Arsimin e mesëm e mbaroi në Athinë, për të vazhduar me studime teologjike në Rumani. Ishte njohës i thellë i gjuhës shqipe, i greqishtes së vjetër dhe të re dhe i rumanishtes. Ndaj edhe u shqua si përkthyesi më me përvojë i teksteve biblike dhe liturgjikalë të Kishës në gjuhën shqipe. Me mendje kritike dhe krijuese, ai ishte theologu më i formuar i Kishës sonë, theologu orthodhoks i Shqipërisë. Kjo kishë e shenjtë njeh edhe një aftësi dhe njohuri tjetër shumë të rëndësishme të tij. Kishte studiuar muzikën bizantine si rrallë kush në vend. Por Beduli nuk ishte thjesht njeriu i cili dikur kishte studiuar diçka. Gjithë jeta e tij qe studim i vazhdueshëm. Deri në moshën 82-vjeçare studionte vazhdimisht, me entuziazëm të rrallë që të kujtonte një student dinamik. Ishte pikërisht kjo arsyeja që kombinonte përvojë, dije të përtërirë dhe urtësi. Sot kur mësova se Perëndia e mori pranë Vetes, kisha ndjenjën se u dogj një bibliotekë e gjallë, e cila ruante vazhdimësinë e traditës së Kishës sonë.

Cilësi e tretë e Dhimitrit ishte kontributi i tij i veçantë në Kishë dhe në shoqëri. Që kur ishte shumë i ri, që në 1930, ishte pedagog dhe më vonë drejtor i seminarit të arsimit të mesëm “Apostull Pavli” dhe më vonë drejtor i revistës mujore “Jeta Kristiane”. Gjatë gjithë periudhës së persekutimit mbeti një kandil i ndezur. Edhe kur punonte në kombinatin e autotraktorëve, mbështeti dhe ngushëlloi shumë njerëz me urtësinë dhe dashurinë e tij. Kur populli gjendej nën hijen e vdekjes, Beduli mbetej një llambadhë e fshehtë Ngjalljeje. Përkrahja e tij ishte për të gjithë: për ata që besonin, ata që besonin në diçka të ndryshme dhe për ata që nuk besonin në asgjë. Në veçanti gjatë 5 viteve të fundit, qëkur dielli i lirisë fetare u rikthye sërish në vendin e munduar, Beduli ishte bashkëpunëtori më i përgatitur dhe më i shumëanshëm në Kishë. Përgjegjës për përkthimet, sekretar i Këshillit të Përgjithshëm të Kishës, kryetar i Këshillit Kishëtar të Kishës Katedrale, protopsallt, kryetar i këshillit botues, “bashkëpunëtor i palodhur më Zotin” megjithë moshën e vet. Kontributi i tij në rimëkëmbjen e Kishës sonë qe përcaktues dhe do të mbetet historik.

E katërta: Personalitetin e veçantë të Bedulit e stoliste një sintezë virtytesh. Ishte me të vërtetë njeriu që frymëzohej prej Shpirtit të Shenjtë. I qetë, modest, zemërgjerë, i durueshëm, me vetsakrificë të heshtur, qëndroi gjithmonë mbi paratë, mbi komoditetet dhe pretendimet e tjera. Njeri i drejtë, fisnik dhe i vërtetë, më kujtonte atë varg të Psalmit që thotë: “O Zot, kush do të rrijë në tendën tënde?” Dhe përgjigja është: “Ai që ecën drejt dhe bën drejtësi dhe thotë të vërtetën siç e ka në zemër” (Psallmi 14:1-2).

Dhimitër Beduli ishte i respektuar jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Ndaj Tërëshenjtëria e Tij Patriku Ekumenik z.z. Varthollomeu në vizitën tonë të fundit në Patrikanë e nderoi me ofiqin e Arhondit Mësues të Ungjillit. I butë në thjeshtësi, në autenticitetin e tij, ishte me të vërtetë një arhond. Për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do të mbetet një personalitet i madh; me tërë kuptimin e fjalës i pazëvëndësueshëm. Prania e tij ishte gjithmonë e ndjeshme dhe bamirëse. I tillë edhe kujtimi i tij.

Sot, i themi lamtumirë plot me ndjenja falenderimi dhe mirënjohjeje. Dhe më tej me një lutje të fuqishme: Perëndia të nxjerrë imitues të tij si në rradhët e klerikëve që ishin nxënës të tij, ashtu edhe në rradhët e laikëve që me kaq vëmendje dhe respekt e dëgjonin. Dhimitër Beduli do të na kujtojë vazhdimisht të gjithëve se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që kaloi, përballon dhe do të përballojë stuhi, do të mbështetet jo vetëm te klerikët, por edhe te laikët e ndriçuar.

Do të dëshiroja të përfundoja dhe t’i themi lamtumirë bashkëpunëtorit tonë të shtrenjtë dhe të respektuar më Zotin me vargjet nga kapitulli i fundit i Apokalipsit: “Edhe ja tek vij shpejt; edhe paga ime është bashkë me mua, që t’i’a paguaj gjithsecilit sikundër do të jetë puna e tij. Unë jam Allfa dhe Omega, të nisurit edhe të mbaruarit, i pari dhe i pastajmi. Lum ata që bëjnë porositë e Atij, që të kenë pushtet mbi drurin e jetës edhe me anë të portave të hyjnë në qytet” (Ap. 22:12-14).

I përjetshëm kujtimi yt, o vëllai ynë i gjithëlumur, i vyer dhe i paharruar!

Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
+Anastasi