Nga data 13-17 mars, Organizata e Rinisë “Bijtë e Dritës” ishte ftuar në një veprimtari të organizuar në Strasburg nga WSCF (Federata Botërore e Studentëve Kristianë). Veprimtaria, e cila ishte organizuar në bashkëpunim me Qëndrën e Rinisë së Këshillit të Europës, kishte si temë problemet e periferive e diskriminimeve të të gjitha llojeve.
Më 22 mars, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga kryedhiakoni Sotir Kanxheri dhe zz. Aleko Dhima dhe Lek Tasi vizituan Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, ku i uruan Kryegjyshit Baba Reshat Bardhi dhe baballarëve të tjerë festën e Novruzit.
Më 22 mars, ish kongresmeni amerikan me origjinë shqiptare Joseph DioGuardi i bëri një vizitë Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas.
Më 26 mars, në Tiranë u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Kishtar të Dioqezës së Tiranës, në të cilën u diskutuan probleme të mbarëvajtjes së punës.
Më 26 mars, Sekretari i Këshillit Pontifikal për dialogun ndërfetar të Vatikanit, Mgr. Majkëll Fitzerald, i shoqëruar nga Nunci Apostolik Mgr. Ivan Dias dhe Arqipeshkvi i Tiranës Rrok Mirdita, pati një takim me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas.
Më 3 prill, një përfaqësi e Kishës sonë e përbërë nga At Kristo Sharko, dhiakon Joan Pelushi dhe z. Aleko Dhima, i uruan Pashkën Kishës Katolike.