EmailFacebookKontakt

Kuvendi i udhëheqësve orthodhoksë

Në atmosferën e ndriçuar të përvjetorit të shënuar të Apokalipsit, në vet vendin e shkrimit të tij, në ishullin e Patmos në Greqi, u zhvillua më 25-26 shtator Kuvendi i Kryetarëve të Kishave Orthodhokse.

Për 2 ditë, udhëheqësit e Kishave Orthodhokse lokale (autoqefale dhe autonome), diskutuan spektrin e gjerë të çështjeve kishtare dhe shoqërore të epokës sonë të cilat janë vazhdimisht në epiqendër të interesimit dhe të veprës së Kishës Orthodhokse.

Vend të rëndësishëm në këtë aspekt zuri roli dhe përgjegjësia e Kishës në jetën e shoqërisë bashkëkohore, perspektiva dhe shpresa që ajo sjell, që mundet dhe duhet të sjellë si vazhdim i veprës shpëtimtare të Zotit tonë Iisu Krisht (trup i të Cilit është) në hapësirë dhe në kohë. Kriza që ka përfshirë shoqërinë në kohën tonë, problemet e mëdha dhe të thella me të cilat ndeshet njeriu i sotëm mund të gjejnë zgjidhje në spiritualitetin orthodhoks, burimin e pashtershëm të ujit të jetës. Kisha Orthodhokse nga ana e saj ka edhe dëshirën edhe mundësinë për t’iu përgjigjur në nivelin e duhur përgjegjësisë që i takon në shoqërinë e sotme. Të gjitha çështjet e trajtuara në takimin dy-ditor të Patrikëve dhe Kryepiskopëve Orthodhoksë ose përfaqësuesve të tyre, u mishëruan në dokumentin final të kuvendit, në mesazhin që ata i drejtuan botës nga Patmosi, ishulli i Apokalipsit.

Në këtë kuadër vlen të përmendet se Kryepiskopi ynë, Fortlumturia e Tij Anastas u zgjodh nga Kuvendi dhe i priu Komisionit për hartimin përfundimtar të mesazhit.

Takimi i Patmosit është i dyti që zhvillojnë kryetarët e Kishave Orthodhokse me iniciativë të Patrikut Ekumenik Vartholomeu i I. I pari ishte zhvilluar më 15 mars 1992, ditën e Orthodhoksisë në Patrikanën Ekumenike. Gjithsesi pjesa më domethënëse, më e ndritshme dhe më e shënuar e kuvendit ishte Liturgjia Hyjnore që kryen së bashku Hierarkët Orthodhoksë jashtë shpellës ku është shkruar libri i shenjtë i Apokalipsit. Në fund të saj u lexua mesazhi (fq 7) dhe më pas hierarkët kaluan njëri pas tjetrit duke u lutur në shpellën e shenjtë të Apokalipsit.