EmailFacebookKontakt

“Kush përbuz të pambrojturin, përbuz Krishtin e kryqëzuar”

Në Liturgjinë Hyjnore që u mbajt në Katedralen e Ungjillëzimit të Tiranës, të dielën më 30 mars, e cila u transmetua të nesërmen në disa emisione lajmesh të Televizionit dhe Radios (që po e japim më poshtë), Fortlumturia e Tij, Kryeepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, tha:

Jemi shumë të prekur nga ngjarja tronditëse e kanalit të Otrantos, ku humbën jetën dhjetra njerëz të dëshpëruar. Marrim pjesë në dhimbjen e thellë. Ishte një humbje e pajustifikueshme, e cila iu shtua të vrarëve të kësaj periudhe, po ashtu në mënyrë të pajustifikueshme. Kushdo që përbuz të pambrojturin, përbuz Krishtin e kryqëzuar.

Të dielën, në Katedralen Orthodhokse të Tiranës, bëmë një lutje të veçantë për viktimat: «I përjetshëm kujtimi i tyre». I shprehim ngushullimet tona familjeve që humbën të dashurit e tyre. I lutemi Perëndisë që t’u japë prehje shpirtrave të atyre që u ndanë prej nesh dhe që të tregojë mëshirën dhe dashurinë e Tij për vendin tonë të dashur, që së shpejti i gjithë populli të ketë paqe, drejtësi, dinjitet dhe pajtim.