Atë e kanë vazhduar pasuesit e tyre: Episkopët, priftërinjtë e dhiakonët. Kudo ku janë krijuar komunitetet kishtare, Apostujt kanë hirotonisur Episkopët, si pasues të tyre, kurse këta, për ndihmën e vet, kanë marrë priftërinjtë dhe dhiakonët. Kjo është hierarkia kishtare. Ajo e ka zanafillën nga vetë Zoti Krisht dhe Shpirti i Shenjë, i cili ka zbritur tek Apostujt. Apostujt u kanë transmetuar pasuesve të vet atë që kanë marrë nga Zoti: të njëjtën fe, të njëjtin pagëzim, të njëjtat Mistere të Shenjta, të njëjtën jetë sipas Perëndisë. Pasuesit e tyre ua kanë transmetuar këtë, nëpërmjet hirotonisjes (përmes Misterit të Shenjtë të Priftërisë), pasuesve të vet, ndërsa këta – pasuesve të tyre dhe kështu ky trashëgim i pandërprerë, garanci apostolike, vazhdon gjer sot e do të vazhdojë gjer sa të ketë jetë. Kleri predikon, ruan fenë orthodhokse dhe kryen Misteret e Shenjta: pa to nuk mund të ketë Kishë, sepse pa to Kisha nuk do të kishte mundësi të kryente shërbimin e vet shpëtimtar.
Predikimet Apostolike të Krishtit dhe Veprën e tyre të Shenjtë e vazhdojnë të gjithë të krishterët. Të gjithë ata janë të thirrur të bëhen apostuj të Krishtit, të bëhen kripa dhe drita e botës; të bëhen dëshmitarë të Krishtit, me fjalën, veprat dhe nëse është e nevojshme, edhe gjakun prej martiri, sepse populli i Perëndisë është ruajtës i fesë orthodhokse.
Zgjedhja dhe përkushtimi në hierarkinë orthodhokse vjen nga sipër, nga qielli. Vetë Krishti i ka zgjedhur të dymbëdhjetë Apostujt. Ata më vonë kanë zgjedhur episkopët e parë, ndërsa Sinodet e Episkopëve kanë zgjedhur episkopët e rinj. Në fakt, Krishti, me anën e Shpirtit të Shenjtë, vazhdon të thërrasë në shërbimin apostolik të zgjedhurit e vet, nëpërmjet sinodeve të Episkopëve. Kjo do të thotë se Kisha Orthodhokse është fillesë e vetme e Trinisë së Shenjtë, Mbretërisë së Perëndisë mbi tokë.
Mbreti dhe Zoti ynë Iisu Krishi ka zbritur nga qielli që të na çlirojë nga të gjitha shqetësimet: nga tmerri i frikës së vdekjes, me Ngjalljen e vet, si dhe nga shqetësime të shumta të jetës së re, me provën e dashurisë ndaj të gjithëve, sepse çdo njeri është lloj i pazëvendësueshëm, pavarësisht nga shkalla e arsimimit apo mungesa e tij.