Kuptimi i Predikimit të Krishtit në mal
“Hyni përmes derës së ngushtë”
Nga at Luka Veroni
(vijon nga numri i kaluar)
“Lum ata që kanë zemër të pastër; sepse ata do të shohin Perëndinë” (Matth. 5:8)
Në Bibël, zemra shpesh është konsideruar qendra e jetës së brendshme, pasi të gjitha virtytet varen nga cilësia e zemrës. Një “zemër e pastër” përfaqëson jo vetëm një pastërti të brendshme morale të sinqertë, e cila kundërshton respektin e jashtëm fals dhe hipokrit (si mjaft farisenj gjatë kohës së Jisuit), po, gjithashtu përfaqëson edhe një zemër të çliruar nga çdo interes jashtë vullnetit të Perëndisë. Pastërtia nënkupton besëlidhjen e besnikërisë ndaj urdhëresave të Perëndisë. Idealet tona duhet t’i referohen vetëm Perëndisë dhe asgjëje tjetër.
Një person me një zemër të tillë të pastër do ta “shohë Perëndinë”. Kjo përbënte një thënie themelore të Jisuit, sepse shumë Judej në kohën e Tij besonin në padukshmërinë e Perëndisë Jahve (Eksodi: 33:20). Sidoqoftë ekzistojnë referime të tjera në Dhjatën e Vjetër, të cilat nxjerrin përfundimin, se zemërpastërit do të ngjitin “Kodrën e Zotit” (Psalmi 24:3,6). Në kontekstin e lumërimeve, ideja e parjes së Perëndisë nuk paraqet problem. Nëse dikush do të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë, si në vargun 3 dhe më pas në vargun 10, nënkupton se ai do ta shohë Perëndinë. Megjithëse përmbushja e këtij shpërblimi nuk do të vijë deri në fundin e erës së re, përsëri mund të realizohet progresivisht në proporcion të pastërtisë së zemrës së personit.
Ne mund ta përmbledhim këtë duke thënë: “Lum njeriu, motivet e të cilit janë plotësisht të kulluara dhe të fokusuara në vullnetin e Perëndisë, sepse ky njeri do të fillojë të shohë Perëndinë e Gjithëpushtetshëm!”
Le të pyesim vetveten: “A kam dëshiruar mirësi, dlirësi e shenjtëri? A jam dhënë pas motiveve dhe qëllimeve të liga? A u kam lënë udhë mendimeve, fjalëve dhe veprave të papastra? A kam qënë hipokrit, i shtirur apo vetëfalës ndaj pasioneve të mëkatit?”
“Lum ata që bëjnë paqe; sepse ato do të quhen bij Perëndie” (Matthen 5:9)
Lumërimi i paqes mbulon një çështje të një shqetësimi të vazhdueshëm, si në Dhjatën e Vjetër, ashtu dhe në të Renë. Jisui jep një Lumërim, i cili paraqitet në jetën dhe qenien e Tij. Ai është paqebërësi i përkryer dhe Ai u bën thirrje dishepujve të Tij, që gjithashtu të bëhen paqebërës aktivë. Por, nëpërmjet shembullit të Tij, Ai tregon se paqebërja, për të cilën u bën thirrje dishepujve nuk është një paqëtim i thjeshtë, por një paqebërje e vështirë dhe e kushtueshme (Kol 1:20; Efes 2:15-17; Matth 10:34-36).
Brenda çdo personi zhvillohet një luftë midis të mirës dhe të ligës. Paqja e vërtetë e brendshme mund të vijë vetëm kur personi rri në krahë të Perëndisë dhe banon brenda Tij. Kjo paqe është më e rëndësishmja, sepse pa një paqe të tillë të brendshme dikush nuk mund të veprojë si një paqebërës midis të tjerëve.
Vetëm pasi bën paqe me Perëndinë në zemrën e Tij, atëherë një person mund të fillojë të jetë një paqebërës në botë. Sidoqoftë ka një ndryshim midis paqedashësve dhe paqebërësve. Paqja, të cilën Bibla e cilëson të bekuar nuk vjen prej shmangies së çështjeve, por prej përballjes me to, duke u marrë me to dhe duke i mposhtur ato. Ne duhet të dalim jashtë vetes sonë për t’u sjellë paqe të tjerëve. Megjithëse një paqebërje e tillë do të jetë e vështirë, ajo kërkohet si një përgjegjësi e pranimit të bekimit të dhënë.
Termi “fëmijë të Perëndisë” është një shprehje e Dhjatës së Vjetër, e cila përfaqësonte marrëdhënien e veçantë, që ekzistonte midis njerëzve të zgjedhur të Perëndisë dhe Atij vetë. Kjo marrëdhënie tani u ofrohet atyre që janë paqebërës.
Këtë mund ta përmbledhim, duke thënë: “Lum njeriu, që krijon një marrëdhënie të drejtë midis vetes dhe Perëndisë dhe më pas midis personave të tjerë, sepse ai do të kryejë një vepër të Perëndishme.”
Le të pyesim vetveten: “A kam paqe Perëndie në zemrën time? A kam qënë zemërak me të padrejtë, agresiv apo i padurueshëm? A kam punuar për paqen në familje, punë, Kishë dhe shoqëri apo kam qënë irritues, polemizues apo përçarës?”
“Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse e tyrja do të jetë Mbretëria e Qiejve. Të lumtur jeni ju kur njerëzit ju shajnë, ju përndjekin dhe thonë një qind të zeza të rreme kundër jush për shkakun tim. Ngazëllohuni dhe gëzohuni, sepse paqa juaj është e shumtë ndër qiejtë; sepse kështu përndoqën dhe profetët, që kanë qënë para jush” (Matth. 5:10-12).
Termi drejtësi përdoret përsëri, sikurse në Lumërimin e katërt. Por, në këtë rast nuk është diçka për t’u dëshiruar, por diçka, të cilën dishepujt e zotëronin aktualisht dhe për shkak të së cilës ata u përndoqën. Si Shën Joan Gojarti, ashtu dhe Shën Agustini theksojnë rëndësinë e të kuptuarit, se përndjekja në vetvete nuk është një bekim. Thjesht të vuash për ndonjë kauzë nuk meriton vëmendje. Pjesa përbërëse e deklaratës është vuajtja apo përndjekja për hir të drejtësisë, siç përshkruhet në Lumërimin e katërt. Shembulli ideal për dikë, që vuan për hir të drejtësisë është vetë Jisu Krishti, i Cili vdiq mbi Kryq si njeri i pamëkat. Ai, i Cili predikoi dhe jetoi “drejtësinë e mbretërisë” i dha fund jetës së Tij, duke vdekur për po këtë drejtësi.
E gjithë kjo temë e përndjekjes për shkak të Jisuit, mund të vlejë si një parathënie për bisedën e ardhshme të Krishtit për dishepullimin, në Matheun kap.10. Atje, Ai jep një përshkrim të detajuar për vuajtjet dhe mjerimet, të cilat dishepujt do t’i hasnin në ditët që do të pasonin. Kështu, Lumërimi vepron si një ngushëllues dhe fuqidhënës për ditët e vështira vijuese.
“Ngazëllohuni dhe gëzohuni” tregon për gëzimin, që dishepujt duhet të kenë, duke pasur mbi vete bekimin e madh të të qenit i përzgjedhur nga Perëndia, për t’u përndjekur për shkak të Tij. Kjo përndjekje për shkak të Tij do të çojë në shpërblimin e Mbretërisë së Qiejve. Mattheu përfundon fragmentin me frazën: “sepse kështu u përndoqën dhe profetët, që kanë qënë para jush”, si një përkujtesë për lexuesit e tij rreth të gjithë njerëzve të drejtë, që vuajtën në të shkuarën. Kjo përkujtesë vepron si një ngushëllues i pranishëm, duke lejuar dishepujt të lidhin vuajtjen e tyre me vuajtjen e profetëve të së shkuarës.
Le të pyesim vetveten: “A jam ankuar kur jam përndjekur për hir të Perëndisë? A jam lutur për përndjekësit e mi? A kam dështuar së mbrojturi ndonjë njeri të drejtë nga frika prej poshtërimit apo përndjekjes? A kam pasur guximin të ngrihem për ç’ka është e drejtë, pa marrë parasysh kritikat, talljen apo përndjekjen? A është gëzimi i Krishtit në zemrën time, qoftë dhe në momente hidhërimi? A jam kënaqur me të vërtetë me premtimin për thesarin e Perëndisë në qiej?”
Si përfundim, është bërë e dukshme se seicili nga tetë Lumërimet është thurrur së bashku në të vetmin kuadër të dishepullimit më Jisu Krishtin. Kuadri i plotë shihet më së miri përmes shembullit të Jisuit, i Cili jo vetëm është Mësuesi, por dhe modeli ideal për çdo aspekt të paraqitur në Lumërimet. Sikurse jeta e Jisuit frymëzoi rrënjësisht ligjet jetësore të kohës së Tij në mënyrë të njëllojtë, dishepujt e Tij u thirrën për të asimiluar po të njëjtin karakter rrënjësor. Nëpërmjet pranimit të ftesës së Tij dishepujt u bënë “kripa e tokës…(dhe) drita e botës” (Matth 5:13-14). Këto bekime dhe virtyte, që dishepujt mishërojnë bëhen një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit. Megjithatë, kjo jetë e re, në të cilën Jisui thërret gjithë pasuesit e Tij nuk përmban vetëm shpërblime ngushëlluese të tanishme, por gjithashtu, premtime eskatologjike. Kështu, Mattheu i paraqet Lumërimet si jeta e re e bekuar, në të cilën dishepujt e Jisuit hyjnë tani dhe për gjithë përjetësinë.