Nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Frymë Dashurie” në Gjirokastër, në kuadër të aktiviteteve shkollore që ndërmarrin në lidhje me ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore, kanë krijuar edhe serën e tyre. Nën koordinimin e mësuesve të shkollës, aty u jepet mundësia të mbjellin jo vetëm bimë të ndryshme, por kryesisht të kultivojnë dashurinë dhe lidhjen me tokën.
Gjithashtu, kopshti i shkollës pasurohet herë pas here me pemë të ndryshme frutore, por edhe me bimë të tjera, si rigon, çaj, sherbelë etj. Nxënësit kanë krijuar me shumë përkujdesje produktet e tyre bio, të cilat i dhurojnë në kuadër të veprimtarive bamirëse që organizon shkolla.