EmailFacebookKontakt

Kultivimi i ullirit dhe manastiret e Myzeqesë

Ulliri është një kulturë e Mesdheut që ndeshet në vendin tonë që në periudhën antike. Myzeqeja dhe veçanërisht treva e Fierit, e favorizuar kryesisht nga klima dhe relievi i alternuar fushoro-kodrinor, ka një traditë të vjetër dhe shekullore në kultivimin e kësaj bime. Në veprën e tij “Gjeografia’’, të shkruar në shek. I, Straboni, kur përshkruan Ilirinë, shkruan: “Ky vend i ngrohtë dhe frytdhënës është plot me ullishta dhe vreshta’’. Për traditën vendase të ullirit flet edhe një literaturë e pasur historike si dhe materialet e shumta që vijnë nga gërmimet arkeologjike kryesisht në qytetin antik të Apollonisë. Kjo traditë e vjetër ka vijuar edhe gjatë shekujve të Mesjetës, kur Apollonia u shndërrua në një qendër manastiriale. Dëshmi janë ullishtet që rrethojnë apo se në manastir, midis objekteve të shumta arkeologjike ruhen edhe dy mokra, të cilat i shërbenin dikur mullirit të vajit që funksiononte atje.

Të dhëna të tjera rreth kulturës së ullirit në këtë zonë gjejmë kohë më pas edhe në defterët osmanë, si edhe nga autorët bashkëkohorë.

Kështu, ullirin e ndeshim edhe përgjatë fushës në perëndim të Apollonisë, pranë kishës mesjetare të “Shën Parashqevisë’’. Në të majtë të këtij pylli ndodheshin edhe disa rrënjë ullinj, në grup, si një korije e vogël, ngjitur me drurët pyjorë. Ishin ullinj me kokrra të vogla dhe bërthamë të madhe, por shumë vajës. Në të folmen e vendit quheshin “ullastra”, mbase nga latinishtja “oleastro”, ulli i egër. Prania e atyre ullinjve afër kishës së Shën e Premtes të sjell ndërmend ullinjtë tek kodra e Apollonisë, atje tek hyrja e tempullit të Artemidës’’, shkruan rreth tij në artikullin e tij studimor, ‘’Spinarica, porti detar i Apollonisë’’, shkrimtari dhe publicisti Aristotel Mici. Ndërkohë që ullinjtë janë kultivuar edhe përgjatë vargjeve të tjera kodrinore të Myzeqesë, si ato të Divjakës dhe Ardenicës. Në manastirin bizantin të Ardenicës ruhet në gjendje shumë të mirë mulliri i vajit, një vepër e mirëfilltë e “inxhinierisë popullore’’. Deri në mesin e shekullit të kaluar ai ishte në gjendje pune dhe përpunonte sasi të konsiderueshme të vajit të ullirit. Për ullinjtë e këtij manastiri na jep të dhëna edhe piktori anglez Eduard Lir. Në ditarin e tij të udhëtimit, të datës 18 tetor 1848, midis të tjerave, shkruan: “Në orën dhjetë e gjysmë, Protopapa dhe shërbyesit e tij zbritën me mua kodrën e bukur të Ardenicës. Pas një ore arritëm tek trapi i Beratinos për të kaluar lumin. Kjo na mori shumë kohë sepse varka ishte e vogël dhe kuajt duheshin shkarkuar dhe hipur në trap një nga një. Dita ishte e ngrohtë, por shiroku që nisi të frynte po ja zbehte ngjyrat peizazhit të bukur, i cili, nga lartësitë sipër lumit i ngjan shumë Richmond Hill – vetëm se me ullinj (sepse këtej ka shumë pemë, për të cilat kujdeset manastiri) në vend të vidhave’’. Ndërsa përpara shpronësimit të tij prej shtetit komunist, ky manastir, përveç tokës bujqësore, kullotave, korijeve, livadheve, pyllit dhe drurëve frutorë, kishte në pronësi edhe 1050 rrënjë ullinj.

Ndërkohë dihet gjerësisht se gjatë Mesjetës, pranë manastireve funksiononin jo vetëm shkolla, biblioteka, punishte, spitale por shkruheshin edhe kodikë, libra, kopjoheshin libra të vjetër dhe shkruheshin vepra të ndryshme. Njëkohësisht, ato shërbenin edhe si qendra të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, ku zhvilloheshin edhe panaire tregtare dhe kultivoheshin bimë mjekësore. Midis të tjerave, manastiret e Myzeqesë dalloheshin për ullishtarinë dhe prodhimin e vajit të ullirit. Nga shfletimi i dokumenteve të pronësisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, shohim se këto manastire zotëronin një numër të konsiderueshëm ullinjsh. Kështu, manastiri i Apollonisë kishte në pronësi 300 rrënjë ulliri, manastiri i Kolkondasit dhe ai Shën Nikollës në Divjakë, 150 rrënjë ulliri secili, manastiri i Shën Nikollës në Kadipashaj 50 rrënjë ulliri, ndërsa ai i Shën Trifonit në Sheqishte numëronte 207 të tillë. Krahas tyre edhe kishat zotëronin sipërfaqe të mbjella me këtë bimë. Sipas një letër lajmërimi të Zyrës së Bujqësisë të Lushnjës, të datës 30 mars 1939, kisha e Shën Gjergjit në Libofshë, zotëronte në vendin e quajtur, “Faqe e Malit’’, 57 rrënjë ullinj. Kurse në bazë të të dhënave të buxhetit të vitit 1946, të kishës së Shën Nikollës në Frakull, ajo kishte 65 rrënjë ullinj në Vlorë dhe Nartë, krahas 5 rrënjëve të tjera që ndodheshin në oborrin e saj. Prej këtyre ullinjve nxirrej vaj jo vetëm për nevojat e shërbesave kishtare dhe ndriçimin e kandilave, por edhe për t’u përdorur për gatim për mensat e murgjërve (trapezaritë), apo personelin laik që shërbente pranë këtyre manastireve. Kjo traditë shërbeu në kishat dhe manastiret e Myzeqesë që nga periudha e Antikitetit të vonë e deri në vitin 1967, kur kishat dhe manastiret e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u shpronësuan nga shtetit komunist ateist. Atyre ju morën forcërisht jo vetëm godinat dhe kishat, por edhe tokat, kullotat, pyjet, ullinjtë, vreshtat dhe drufrutorët. Pavarësisht këtyre masave, ullinjtë e kishës mbetën fizikisht të paprekur në formë masivesh apo pemësh të veçuara. Ato u përdorën padrejtësisht duke u shfrytëzuar pa kriter për një kohë të gjatë nga fermat shtetërore dhe kooperativat bujqësore, ku shumë prej tyre edhe sot nuk u janë rikthyer Kishës, si pronare e ligjshme.

Pavarësisht kësaj përvoje, ullinjtë, këto bimë shekullore, janë të pranishëm përsëri pranë kishave dhe manastireve të Myzeqesë. Një gjë e tillë konstatohet edhe nga pelegrinët, turistët dhe vizitorët e ndryshëm, të cilët krahas vlerave historike, kulturore dhe artistike të krijuara në këto institucione, shohin dhe prekin nga afër këtë vepër të kryer me mund dhe sakrificë përgjatë shekujve nga kleri dhe komunitetet e murgjërve.

Ilirjan Gjika