Kostandini ishte një arvanitas nga ishulli i Hidras. Në moshën 18 vjeç u largua nga vendlindja dhe shkoi në ishullin e Rodit, ku hyri në shërbim të guvernatorit turk. Atje ai u detyrua të mohonte fenë e të parëve dhe për këtë u mbulua me ndere nga zotëria i tij. Por, shumë shpejt filloi që ta vrasë ndërgjegjja për çfarë kishte bërë. U pendua dhe mbasi jua ndau tërë pasurinë që kishte të varfërve, vendosi të merrte pagëzimin e martirit. Meqënëse ati i tij shpirtëror nuk i dha lejen, ai u nis për në Krimi dhe prej andej për në Konstandinopojë. Atje u takua me patrikun Grigori i V, i cili i dha këshilla të vlefshme shpirtërore. Nën këshillën e patrikut ai shkoi në malin Athos, në manastirin e Ivironit, ku kaloi një kohë në praktikimin e asketizmit. Në agjërim dhe në lutje ai bënte një jetë pendese.
Ndërgjegja e vriste vazhdimisht për atë që kishte bërë me mohimin e fesë së Krishtit, dhe i lutej Zotit se si ta shlyente atë faj. Kështu që një ditë vendosi që vetëm martirizimi do e shlyente fajin. U nis për në vendin ku kishte mohuar besën, për në ishullin e Rodit. Atje trimërisht rrëfeu që ishte penduar për sa kishte bërë dhe se ishte kthyer përsëri në besën e të parëve.
Guvernatori turk, i tërbuar nga zemërimi dha urdhër të arrestohej. Atje ai iu nënshtrua torturave më çnjerëzore, që vetëm fantazia e të ligut mund t’i mendojë. Gjatë torturave martiri i ri përsëriste papushim: “Kujtomë o Zot në mbretërinë tënde”. Mbas këtyre torturave të egra Shën Kostandinin e varën në 14 nëntor të vitit 1800. Pak më vonë lipsanet e tij të shenjta u sollën në vendlindjen e tij, në Hidra, nga nëna e tij. Kisha jonë e kujton në 14 nëntor.