EmailFacebookKontakt

Kujtimi i Sinodit II Ekumenik – 22 Maj

Ky Sinod i shenjtë e i madh, i cili u thirr nga perandori Theodhosi i Madh, që kur hyri në Konstandinopojë, mblodhi njëqind e pesëdhjetë episkopë të Lindjes, mes muajve maj dhe korrik të vitit 381. Fillimisht ishte nën kryesimin e shën Meletit të Antiokisë (12 shkurt), përkrahësit të madh të Orthodhoksisë, të cilin perandori e nderonte në mënyrë të veçantë. Pas vdekjes së tij të papritur, disa ditë pas hapjes së sesioneve dhe pas varrimit, në të cilin mori pjesë perandori dhe të gjithë Etërit, për të kryesuar diskutimet u zgjodh shën Grigor Theologu, i cili u fronëzua kryepiskop i Konstandinopojës. Meqë episkopët nuk arritën dot të binin dakord se kush do ta pasonte Meletin në fronin e Antiokisë dhe e akuzuan Grigorin se ishte transferuar në Konstandinopojë duke thyer Kanonet e shenjta, ai u tërhoq (shih 25 janar). Atëherë zgjodhën për ta pasuar shën Nektarin (11 tetor), si në fronin patriarkal dhe në kryesinë e Sinodit.

Ndër Etërit e Shenjtë që shkëlqyen në këtë Sinod, ishin shën Kirili i Jerusalemit (18 mars), shën Amfiloku i Ikoniumit (23 nëntor) dhe të dy vëllezërit e shën Vasilit: shën Petroja i Sevastisë dhe veçanërisht shën Grigori i Nisës (10 janar). Ky ishte frymëzuesi i vërtetë i debateve, i cili shpalosi veprat e të vëllait (1 janar), aq sa mund të thuhet se, me anë të vëllezërve dhe dishepujve të tij, shën Vasili, që tashmë kishte dy vjet që kishte fjetur, ishte i pranishëm me shpirt në këtë Sinod, i cili shënoi edhe kurorëzimin e punëve të tij, si në planin teologjik, ashtu edhe në nivelin e organizimit kishtar.

Të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, ata shpallën Atin me të njëjtën natyrë me Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, duke i dhënë fund arianizmit, i cili e kishte ndarë mizorisht Lindjen për më tepër se pesëdhjetë vjet.

I dënuan me anatemë pasuesit e Makedonit, pnevmatomakët, të cilët i kishin bashkëngjitur Personit të Shpirtit të Shenjtë blasfemitë e Ariosit për hyjninë e Birit dhe rrëzuan tërë heretikët e tjerë: Savelin, Markelin e Angjirës, Fotin e Smirnës, Evnomin, Aikin, Pavlin e Samosatës dhe Apolinarin (Kanoni 1). Ata konfirmuan pa dyshim besimin te Trinia e Shenjtë dhe e pandarë: tek Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, tre Persona hyjnorë, të bashkësubstancshëm dhe të dallueshëm dhe në Mishërimin e Birit të Perëndisë, përcaktuar nga Etërit e Sinodit të Parë Ekumenik. Pastaj plotësuan dhe vulosën përfundimisht Simbolin e Besimit, të cilin ia transmetuan Kishës si përkufizim të përsosur të misterit të Shpëtimit. Kjo shprehje madhore dhe e matur e doktrinës së krishterë u konfirmua nga të gjitha Sinodet Ekumenike të mëpasshme dhe u konsiderua si kriter i parrëzueshëm i Besimit Orthodhoks, i patjetërsueshëm gjatë shekujve. Duke u recituar përditë nga besimtarët, ky “Himn hyjnor i shpresëtarisë orthodhokse, vulosur nga hiri i Shpirtit të Shenjtë” i bën pjesëmarrës të besimit të Etërve të shenjtë, trashëgimtarët e Apostujve dhe e mban tërë Kishën në unitet e mirëkuptim.

Para se të ndaheshin, Etërit nxorën shtatë Kanone, që paraqesin rregulla disiplinore për marrëdhëniet e Kishave lokale, duke deklaruar në veçanti se episkopi i Konstandinopojës, Romës së Re, seli e administratës perandorake, do të ketë parësi nderi pas episkopit të Romës (Kanoni 3).

Më 30 korrik 381, perandori Theodhos shpalli një edikt, që ratifikonte veprën e Sinodit, urdhëronte të quheshin orthodhoksë vetëm ata që ishin në kungim me Etërit dhe kishat që mbaheshin peng nga heretikët t’u ktheheshin orthodhoksëve.

Simboli i Besimit

Besoj në një Perëndi, Atë të tërëfuqishëm, krijues të qiellit edhe të dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave.

Dhe në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve.

Dritë prej drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha.

Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve dhe u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.

Dhe u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi e u varros.

Dhe u ngjall të tretën ditë sipas shkrimeve.

Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit.

Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim.

Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot, Jetëbërës, që buron prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve.

Në një Kishë të shenjtë, katholike dhe apostolike.

Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve.

Dhe jetën e ardhshme të amshuar. Amin.

Shkëputur nga “Sinaksari” Vëllimi II: Janar – Shkurt