Në datën 6 korrik, në Durrës, u kremtua hieromartiri i shenjtë Asti. Liturgjia Hyjnore u krye në kishën që mban emrin e Apostull Pavlit dhe këtij hierodëshmori të shenjtë. Ajo u bë nga Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti, dhe nga klerikë të qytetit. Në fund u bë edhe litania tradicionale me ikonën e shenjtorit
Shën Asti (ose Asteri) ishte episkop i Dyrrahut, kryeqytetit të Epirit të Ri (sot është Durrësi), nën sundimin e Trajanit (rreth vitit 100). Fisnikët e qytetit: Numeriusi, Nearku, Aglaido dhe Ariani donin ta detyronin t’u sakrifikonte idhujve të Dionisit, por të gjitha përpjekjet mbetën të kota. Në çastin kur ushtarët iu afruan për ta kapur, shenjtori pati një vizion, ku e shikonte veten mbi një shkëmb, të mbuluar me rrëshirë e vaj. Ai u thirri klerikëve të tij: “Duhet të vuaj për Krishtin, por ju largohuni ku të mundni”. U dorëzua në duart e Agrikolës, i cili urdhëroi ta goditnin me doreza plumbi dhe ta kamxhikonin me deje buajsh. Meqenëse nuk e thyenin dot, magjistrati dha urdhër ta lyenin me mjaltë, ta lidhnin me një kryq e ta ekspozonin në diell, jashtë qytetit. Një re grerëzash dhe mizash e sulmuan shenjtorin, duke e thumbuar rëndë e duke i siguruar kështu kurorën e martirit. Trupin e mori dhe e varrosi shën Peregrini dhe shokët e tij, të cilët e paguan me jetën e tyre këtë veprim (7 korrik).
“Gëzohu, o pishtar i hyjshëm i shpresëtarisë;
dhe ndriçues i madh e udhëheqës i Kishës.
Gëzohu, o yll i shkëlqyer i Durrësit;
himnojmë hirin tënd, o shën Ast i mahnitshëm!”