EmailFacebookKontakt

Kujtimi i Etërve të Sinodit IV Ekumenik

Sinodi i Katërt Ekumenik u mblodh në Kalqedoni në vitin 451. Në të morën pjesë 630 Etër të ardhur kryesisht nga dioqezat e Lindjes, me në krye shën Anatolin e Konstandinopojës (3 korrik), të dërguarit e Papës së Romës, shën Leontin, Maksimianin e Antiokisë dhe shën Juvenalin e Jerusalemit. Kjo asamble, u thirr nga perandorët Markian dhe Pulkeria, që të vendosej paqja dhe uniteti, të cenuara qysh në sinodin e rremë të Efesit (449) dhe të dënohej herezia e Eftihit.

Pas Sinodit të Tretë Ekumenik, partizanët e Shkollës teologjike të Aleksandrisë dhe të Antiokisë nuk kishin arritur në një mendje për Simbolin e Besimit, për sa i përket bashkimit në Krishtin të dy natyrave, atë hyjnore dhe njerëzore. Eftihi, një arkimandrit në Konstandinopojë, kishte qenë bashkëpunëtor i shën Kirilit. Në përpjekjet e tij për të çrrënjosur çdo gjurmë të nestorianizmit, thoshte se të dyja natyrat, hyjnorja dhe njerëzorja, nuk mund të dalloheshin njëra nga tjetra pas mishërimit, dhe se natyra njerëzore e Krishtit, në një farë mënyre, ishte “përthithur” nga natyra hyjnore. Ndërsa Nestori i kishte ndarë të dy natyrat, Eftihi ra në herezinë e kundërt dhe fliste për “përzierje” dhe “shkrirje” të të dy natyrave në një të vetme: atë hyjnore. Sipas këtij konceptimi të gabuar, dilte ose që Shpëtimtari nuk është vërtet i së njëjtës natyrë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, ose që nuk u kungua me natyrën tonë njerëzore. Eftihi i Dhorileos dalloi te mendimet e Eftihit një herezi që hidhte poshtë tërë misterin e shpëtimit, ndaj u mblodh një sinod në Konstandinopojë, nën drejtimin e shën Flavianit, i cili e dënoi arkimandritin (448). Por falë mbështetjes së oborrit, heretiku arriti ta kthente situatën në anën e tij, dhe pas ndërhyrjes së dhunshme të kryepiskopit të Aleksandrisë, Dioskorit, gjatë “Hajdutërisë së Efesit” (449), ai u shfajësua.

Shën Flaviani u shkarkua në mënyrë të padrejtë dhe vdiq pak kohë pas keqtrajtimeve që i bënë. Pas vdekjes së Theodhosit II, i cili kishte mbështetur Eftihin, mbretërit Markian dhe Pulkeria u ftuan nga papa shën Leoni dhe nga të gjithë orthodhoksët, që të ndreqnin padrejtësinë me anën e këtij Sinodi.

Fillimisht u thirrën në Nikea, në shtator të vitit 451 dhe pastaj Etërit shkuan në Kalqedoni, në bazilikën e Shën Efimisë (11 korrik). Ata këmbëngulën në dënimin e Nestorit, i cili ishte dënuar më përpara nga Sinodi i Efesit, dhe u përpoqën të rrëzonin monofizitizmin e Eftihit. Duke përdorur të njëjtën metodë pajtimi dhe sinteze si ajo e shën Kirilit dhe Joanit të Antiokisë (433), ata arritën të harmonizonin pikëpamjet respektive të Aleksandrisë, të Antiokisë dhe të Romës, dhe plotësuan veprën e Sinodit të Tretë Ekumenik, duke përkufizuar në mënyrë të saktë dogmën e Personit të Krishtit Shpëtimtar (dogma kristologjike).

Pasi shqyrtuan argumentet e Eftihit, në bazë të Shkrimeve të Shenjta dhe të vendimeve të Sinodeve të mëparshme, Etërit e shtrinë anatemën mbi këdo që do të shtonte ose të hiqte çfarëdo tek Tri Sinodet e para Ekumenike dhe, duke u bazuar në letrën e shën Leonit drejtuar Flavianit, të cilin e përshëndetën si kolonë të Orthodhoksisë, hartuan një përkufizim të besimit, i cili u lexua solemnisht në prani të perandorit, më 22 tetor. Në të thuhej:

“Duke ndjekur Etërit e shenjtë, të gjithë unanimisht mësojmë se ne pohojmë një Bir të vetëm, Zotin tonë Jisu Krisht, Perëndi i përkryer dhe njeri i përkryer, që ka shpirt të arsyeshëm dhe trup, i bashkëqenshëm me Atin sipas hyjnisë së tij, dhe njëkohësisht i bashkëqenshëm me ne sipas natyrës së Tij njerëzore, i ngjashëm në gjithçka me ne, përveç mëkatit; që lindi prej Atit para shekujve sipas hyjnisë, dhe që në kohët e fundit lindi prej Virgjëreshës Mari, Nënës së Perëndisë, për shpëtimin tonë, sipas natyrës njerëzore: Një Krisht i vetëm dhe i njëjtë, Bir, Zot, i Vetëmlindur, i njohur si person në dy natyra, papërzierje, pa ndryshim, papërçarje, pa ndarje, ku dallimi i natyrave nuk u fshi absolutisht për shkak të bashkimit, por veçantia e çdonjërës u ruajt, duke takuar tjetrën në një person unik dhe hipostazë unike: një Krisht i vetëm dhe i njëjtë, i Cili nuk u nda, nuk u përça në dy persona, por që është i vetmi dhe i njëjti Zot Jisu Krisht, Biri i Vetëm, Perëndi Fjalë, sikundër profetët e dikurshëm e shpallën, siç na mësoi vetë Jisu Krishti dhe ashtu si na e transmetoi Simboli i Etërve.” Të gjithë nënshkruan unanimisht.

Me këtë përkufizim të besimit, unik në thellësinë dhe saktësinë e tij, Etërit e shenjtë rrëfyen, pra, bashkimin e vërtetë të të dy natyrave, hynore dhe njerëzore, në Personin unik të Fjalës së Perëndisë. Falë besimit të këtij Sinodi, ne orthodhoksët kuptojmë se vetëm duke jetuar me Krishtin Perëndi-njeri mund të bashkohemi me Perëndinë dhe të hyjnizohemi, pa e humbur identitetin tonë të natyrshëm. Bashkimi pa ngatërrim i hyjnisë dhe i natyrës njerëzore në Krishtin, sipas hipostazës, te të krishterët bëhet bashkim pa ngatërrim të të dyja natyrave, sipas hirit të Shpirtit të Shenjtë…

Perëndinjeriu i përkufizuar nga Sinodi i Kalqedonisë është për ne të krishterët orthodhoksë, “vlera supreme dhe kriteri i fundit i së vërtetës”, pasi në Të dhe përmes Tij shkojmë te Perëndia dhe birësohemi prej Tij. Në sesionet e mëpasshme, Etërit trajtuan çështjet e rregullit dhe të disiplinës kishtare, dhe nxorën me ligj 27 Kanone, të cilave iu shtua edhe një dekret, që konfirmonte Kanonin e Tretë të Sinodit të Dytë Ekumenik dhe i jepte fronit të Konstandinopojës – si kryeqytet – rangun e dytë pas Romës dhe juridiksionin patriarkal mbi dioqezat e Azisë, të Pontit dhe të Thrakës, si dhe mbi komunitetet e krishtera jashtë kufijve të Perandorisë.

Shkëputur nga Sinaksari Korrik-Gusht, Vëllimi VI, i cili ndodhet në proces botimi