Fillimi i punës
Më 17 nëntor 1994, pas mjaft përpjekjesh intensive, nisi nga shërbimin për popullin e kryeqytetit Klinika shëndetësore e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë “Shën Lluka”. Në këtë ditë të shënuar, që përbënte një zhvillim të ri në punën e Kishës, Kryepiskopi Anastas nuk ishte vetëm për të bërë Ajazmën e bekimit, por merrte pjesë edhe si promotori dhe gjetësi i burimeve për financimin e saj, si Ai që e kishte ndjekur hap pas hapi dhe në çdo etapë realizimin e kësaj ëndrre.
Por, asgjë s’kishte qenë e lehtë. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme e këmbëngulëse, nga instancat përgjegjëse shtetërore nuk na u dha ndërtesë për të nisur veprimtarinë e klinikës. Ndryshe nga komunitetet e tjera fetare apo shoqatat e tyre, që kanë disponuar mbështetje e struktura të gatshme (pa përmendur këtu vështirësitë burokratike). Ndaj, u detyruam të merrnim me qera një ndërtesë në një lagje periferike dhe ta përshtatnim, duke harxhuar kështu fonde, të cilat duhej e mund të kishin shkuar për kurimin e pacientëve. Por, me dëshirën e ndihmën e Perëndisë çdo pengesë u kalua.
Gjetja e personelit
Pas një thirrjeje mjekëve, për të dhënë ndihmesë për klinikën, u bë i mundur krijimi i një grupi mjekësh të specialiteteve të ndryshme, të cilët punuan me të gjitha forcat që shërbimi i ofruar të ishte në nivelin e kërkesave të kohës. Duke nisur nga Dr. Naum Theodhosi, kirurg; Violeta Dhimitri, Jorgo Deçka e Harilla Aleksi, patologë; Keti Anastasi, Zhaneta Borova e Eli Foto, pediatre; Aleko Papa, okulist, Themistokli Sinjari, kardiolog, për të vazhduar me Prof. Anesti Kondilin, kardiolog, Klara Gjollmën, neurologe, Loni Ndonin e Tatjana Veron, eko abdominale dhe zemre etj. U krijua edhe një personel i përhershëm, i përbërë nga tre infermierë, një sekretare, dy roje dhe një pastruese.
Por, për mungesë mjedisesh, klinika nuk mundi ta zgjeronte, siç ishin mundësitë reale, numrin e shërbimeve të veçanta që ofron. Mungesa që do të plotësohen në klinikën e re, për të cilën janë dërguar e do të dërgohen edhe mjekë për specializim jashtë shtetit.
Një vend i veçantë dhe një falenderim i ngrohtë u takon edhe motrave infermiere nga Greqia, Dhomniqi, Athanasia, Krisulla e Maria, të cilat ndihmuan në hapjen e klinikës si dhe vazhdojnë të ndihmojnë në mbarëvajtjen e saj me përvojën e përkushtimin e tyre.
Veprimtaria mjekësore
Ajo është e bazuar në humanizmin e krishterë, duke ofruar falas gjithë shërbimet, si për vizitat ashtu edhe për ilaçet e kurat. Në pak më shumë se dy vjet të punës së saj numri i vizitave ka qenë rreth 12 mijë dhe shumica e pacientëve janë fëmijë dhe të moshuar. Vitin e kaluar në kartelat e klinikës u regjistruan edhe 2200 pacientë të rinj. 66 për qind e tyre janë gra dhe 34 për qind burra; 46 për qind banojnë në zonën rreth klinikës ndërsa 54 në pjesë të tjera të kryeqytetit etj.
Duhet theksuar se shërbimi bëhet pa dallim besimi fetar. Madje, mbi 65 për qind e të vizituarve janë jo orthodhoksë.
Klinika, gjithashtu, ka ndihmuar me ushqime falas edhe nënat me fëmijë nga 0-12 muaj, janë ndjekur të sëmurë ambulatorë, janë bërë operacione, janë dhënë karroca për invalidë etj.
Një ndihmë e ndjeshme është dhënë edhe në zonën e Shpatit në Elbasan, ku ka mangësi në mbulimin me shërbim shëndetësor, në Libofshë të Fierit etj., banorëve të të cilave u janë bërë ekzaminime ekografike, vizita të specialiteteve të veçanta, u janë dhënë ilaçe etj. Ndihma në medikamente e instrumenta janë dhënë edhe për spitalet e Tiranës.
Krahas këtyre, nga punonjësit e klinikave është bërë edhe veprimtari profilaktike në fushat e pediatrisë, kardiologjisë etj., si dhe biseda për çështje të ndryshme, që kanë lidhje me ruajtjen e shëndetit.
Bashkëpunimi me jashtë
Klinika ka pasur mjaft ndihma nga donatorë të huaj, si nga Greqia, Danimarka, Këshilli Botëror i Kishave etj. Gjithashtu, mjekë të huaj, si nga spitali “Evangjelizmo” i Athinës, nga qendra shëndetësore “Ergjia”, nga Spitali Universitar i Selanikut etj., kanë ardhur në klinikë dhe kanë bërë vizita e ndërhyrje të ndryshme specialistike, si në pediatri, endokrinologji, ortopedi, kardiologji, eko, kirurgji plastike etj. Bashkëpunimi ka funksionuar edhe në drejtimin e krijimit të mundësive për mjekët tanë për të marrë pjesë në specializime jashtë shtetit, siç ishte, p.sh. kohët e fundit një seminar 6-javor për një grup stomatologësh në Universitetin e Athinës. Ky bashkëpunim do të shtohet e zgjerohet mbi bazën e mundësive të shumta që do të ofrojë klinika e re.
Perspektiva e shërbimit shëndetësor të Kishës sonë
Në radhë të parë, ajo është e lidhur me mbarimin e ndërtesës së klinikës të re në Tiranë. Po punohet intensivisht si për anën ndërtimore ashtu edhe për skemat e programet se do të funksionojë ajo.
Sipërfaqja e përgjithshme e truallit ku po ngrihet është rreth 1800 m2. Ndërtesa do të ketë pesë kate, si dhe një kat të nëndheshëm dhe do të ketë parametra bashkëkohorë për funksionet që do të kryejë. Në të do të shërbejnë repartet e specialiteteve: kardiologji, kirurgji, okulistikë, endoskopi, gjinekologji, urologji, patologji, pediatri, ortopedi, stomatologji, mikrobilogji dhe radiologji. Gjithashtu, do të ketë edhe shërbimin e ndihmës së shpejtë, ndërhyrjeve të vogla kirurgjikale, encefalogram, EKO, tomografi dhe farmaci. Në katin e fundit, do të ketë edhe dhoma banimi për mjekët e huaj, që do të vijnë për të ndihmuar.
Por, puna e projektet nuk do të mbeten vetëm me Tiranën. Struktura të ngjashme, me përmasa më të vogla, do të ndërtohen edhe në qendrat e dioqezave dhe në qytete të tjera, si në Korçë, Berat, Gjirokastër, Kavajë etj. Ndaj nevojiten lutjet e të gjithëve, që me ndihmën e Perëndisë të mund të kalohet, si deri më sot, edhe çdo vështirësi e re që do të haset në të ardhmen.
Kjo do të jetë pamja e Klinikës së re.
Th. Dh.