EmailFacebookKontakt

Kujdes i veçantë për mësimet e katekizmit

Nën kujdesin e Mitropolitit, Imzot Ignatit, në Berat, Urë Vajgurore e Kuçovë zhvillohen me fëmijët e të rinjtë mësime mjaft interesante rreth besimit tonë orthodhoks.

Drejtimi i tyre u është besuar tre mësuesve të katekizmit, të cilët kanë mbaruar studimet pranë Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit. Ata janë: Ilia Mazniku, Teodor Xhile, Emanuel Lusha.

Në bazë të një programi, i cili ka si pikësynim pajisjen me njohuritë për besimin në grupmosha të ndryshme, kanë përparësi edhe veprimtaritë konkrete, që fëmijët të njihen me vërtetësinë dhe thellësinë e besimit Orthodhoks. “Ashtu si piktorët i shohim të punojnë me kujdes ikonat, statujat, kështu dhe çdo prind të kujdeset për këto statuja të mrekullueshme, fëmijët e tij. Edhe ju, sikur ndërtoni kryevepra, jepni gjithë kujdesin tuaj për t’i bërë fëmijët statuja të mrekullueshme për Hirin e Perëndisë”; kjo thënie e Shën Joan Gojartit duhet të jetë motoja për edukimin e krishterë duke filluar nga familja, shoqëria dhe qendrat e katekizmit, porosit Imzot Ignati.

Në katekizëm, krahas njohjes së Ungjillit, psalmeve sipas muzikës bizantine, bëhet edhe shfaqja e pjesëve filmike me pamje nga vendet e shenjta. Të gjitha këto bëjnë që ora e katekizmit të jetë sa më pranë botës së fëmijëve.

Sot, në Berat ka disa pika-mësimi katekizmi; në Goricë pranë Shën Spiridhonit; në Kala – pranë Kishës së Ungjillëzimit, dhe në qendër, pranë Mitropolisë së re. Gjithashtu, grupet e katekizmit venë në mënyrë të organizuar çdo të enjte në Kishën e Profit Ilias (Shendëlli) dhe të dielave në Shën Spiridhon.

Këto grupe, pas montazhit të bukur të Krishtlindjes “Lindi Krishti – lindi jeta”, dhanë pjesë teatrale për Ngjalljen e Krishtit, Gratë Miroprurëse dhe janë duke u përgatitur për festivalin rinor, që organizon Kisha jonë. Gjithashtu, do të bëhen edhe veprimtari të tjera, si ekskursione, vizita në vende të shenjta.

Duhet theksuar, se puna e mirë dhe e palodhur, ka dhënë rezultate jo vetëm për sa i përket katekizmit, por të gjithë këta fëmijë janë model në jetë, si në mësime dhe në edukim. E njëjta punë po bëhet dhe në Urën Vajgurore dhe Kuçovë.