EmailFacebookKontakt

Ku duhet të shpresojmë

Nuk janë thjesht këshillë këto fjalë, por janë pohim solemn, që e bënte përpara Perëndisë profet-mbreti David. Duke u gjendur edhe ai vetë shumë herë në mërzitje të ndryshme dhe trishtime, në të mes të të cilave e ngushëlloi dhe nga të cilat e shpëtoi shpresa tek Zoti, tani derdh Shpirtin e tij tek Perëndia dhe rrëfen, se me të vërtetë i lumtur është ai, që mbështet shpresat e tij tek Ai: “O Zot i fuqive, i lumtur njeriu që shpreson tek Ti”.

Fatkeqësisht nuk është kuptuar nga një pjesë e njerëzve fuqia e madhe ngushëlluese e fesë kristiane, as u çmua sa duhet vlera e shpresës tek Perëndia. Pothuajse të gjithë, të thithur nga përkujdesjet e jetës, kalojmë ditët tona pa provuar lehtësimin që jep Feja jonë në hidhërimet ekzistencës sonë të përditshme. Trishtohemi dhe nuk dimë si të lehtësohemi. Kemi agoni dhe nuk dimë ku të shpresojmë. Tronditemi dhe nuk dimë ku të gjejmë qetësinë. Dhe ndërsa kërkojmë të largohemi nga abisi, që hapet përpara nesh, biem shumë herë në kaos dhe dëshpërim, duke u bërë kështu më fatkeqët e njerëzve. Pse? Jo se janë të padurueshme shtrëngimet, as nga që janë të mëdha nevojat tona. Por, sepse nuk deshëm deri tani të vihemi nën ndikimin shpëtimtar të fesë së krishterë, t’i afrohemi më tepër Krishtit, dhe të provojmë ngushëllimin që Perëndia u jep atyre që shpresojnë tek Ai.

Davidi, mbret dhe profet, nga përvoja kishte gjetur se vetëm ai që di të shpresojë tek Perëndia është i lumtur në shtrëngimet e kësaj jete.

Ne çfarë presim? Lypet së paku ta imitojmë, domethënë ta bëjmë fenë e krishterë të gjallë në jetën tonë dhe të mësojmë të themelojmë shpresën tek Zoti në çdo rrethanë të jetës sonë. Atëherë bashkë me Davidin dhe ata që shpresuan tek Perëndia, do të jemi në gjendje të falemi përpara Zotit dhe me gëzim dhe entuziazëm të themi: “O Zot i fuqive, i lumtur është njeriu që shpreson tek Ti”.

Përgatiti: Vangjel Plepi