EmailFacebookKontakt

Kthimi i pronave të Kishës – problem primar

Problem gjithmonë akut – kthimi i Kishave që ndodhen në territore ushtarake

Në territoret e reparteve ushtarake ende mbeten mjaft Kisha Orthodhokse, të cilat duhet të na kthehen sa më shpejt:

1) Territori (trualli) dhe ndërtesat e manastirit të Shën Joan Vladimirit, në fshatin me të njëjtin emër të Elbasanit.

2) Manastiri i Kodrës (trualli dhe ndërtesat e tij), që ndodhet afër Këlcyrës.

3) Manastiri i Shën Gjergjit, në fshatin Çukë të Sarandës.

4) Kisha e Shën Kollit në fshatin Qeparo (Porto-Palermo).

5) Kisha e 40 Shenjtorëve në qafë të Likuvsit afër Sarandës.

6) Kisha e Shën Kollit në fshatin Stan-Karbunar të Lushnjës.

7) Kisha e Shën Kollit në fshatin Frakull të madhe, e cila përdoret tani si lavanderi nga ushtria.

8) Manastiri i Pepelit në Dropullin e sipërm.

9) Kisha Orthodhokse në Bularat.

10) Kisha Orthodhokse në Bodrishtë.

11) Shtëpitë e oficerave në Shkodër dhe në Lushnjë janë të ndërtuara mbi truall të kishave tona orthodhokse.

Të gjitha këto na janë marrë e mbajtur (shkatërruar) për rreth 30 vjet dhe në trojet e tyre ushtria ka ndërtuar ose përshtatur ndërtesat sipas nevojave të saj duke dëmtuar ato që i përkisnin Kishës. Ndaj, ne kërkojmë dhe na takon të na kthehen, si ndërtesat e vjetra ashtu edhe ato që janë ndërtuar më vonë.

Na thuhet që duhet të paguajmë ndërtesat e reja, por harrohen shkatërrimet që u bënë në to dhe dëmi i jashtëzakonshëm që pësoi Komuniteti Orthodhoks, pa përmendur shfrytëzimin e tyre pa i paguar asgjë Kishës. Eshtë anormal kërkimi i parave për kapanone e ngrehina të dorës së tretë, kur vlerat e shkatërruara ishin unike e të pariparueshme, si për Kishën edhe për Kombin.

Kishat nuk kthehen, ndërkohë që dëmtohen dita-ditës

Fundi i muajit Qershor dhe fillimi i Korrik ishin të shoqëruar me festimin e tri të Kremteve të Mëdha, Lindja e Shën Joan Prodhromit, Shën Petrit e Shën Pavlit dhe Shënjtorëve Kozma e Damian. U bënë 3 panaire madhështore: në Voskopojë, në Vithkuq dhe në Hoçisht.

Shtimi nga viti në vit i pjesëmarrjes së besimtarëve në to tregon, gjithashtu, ndërgjegjësimin e besimit dhe shpresën te Zoti ynë Iisu Krisht. Edhe kësaj radhe ishin me qindra ata që bënë agripni në këto kisha natën para së Kremtes.

Mirëpo, krahas gëzimit të kremtimeve, një shqetësim i madh është vazhdimisht në zemrat e besimtarëve: Këto shtëpi të Zotit, të ndërtuara shekuj më parë vazhdojnë të mbahen nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, pra, nga shteti. Kur ato do t’i kthehen Kishës mëmë? Ç’kuptim ka t’i mbajë mbyllur Atelieja e monumenteve dhe të shkatërrohen? Dhe këto i themi me fakte:

Kishës së Shën Marisë në Voskopojë i është shëmbur një pjesë në mes të çatisë. Ka rrezik që dhe qemeri poshtë të bjerë dhe kjo bën që të bien nga lagështia edhe afresket e brendshme.

Kishës së Shën Petrit dhe Shën Pavlit në Vithkuq para tre vjetësh ju muar ikonostasi nga Atelieja për restaurimin dhe përfundoi në Itali. Pas shumë kërkesash u kthye. Por akoma s’është kthyer në Kishë. Ndërkohë, për mungesë restaurimi një pjesë e madhe e afreskeve të mureve të Kishës kanë rënë e vazhdojnë të bien.

Në Kishën e Shën Kozmait e Damjanit, 20 m larg Kishës së Shën Petrit në Vithkuq, muri mbajtës nga ana e poshtme është prishur, dhe si rezultat muri i Kishës është hapur rreth 10 cm. Ka rrezik që së shpejti të shëmbet. Edhe Kisha e Shën Mihailit, po në Vithkuq, pikon në disa vende dhe po bien afresket.

Kishën e Ngritjes së Zotit Krisht në qiell në fshatin Mborje studjuesit e çmojnë si një vepër të hershme dhe me peshë të artit bizantin. Por, siç të thonë fshatarët, një skelë u montua brenda kishës me qëllim restaurimi që para 10 vjetësh dhe ende ndodhet atje. Ajo vetëm se ka penguar shërbesat fetare dhe nuk ka vlejtur për asgjë tjetër.

U organizua një simpozium nga muzeu Historik Mesjetar i qytetit të Korçës. Viheshin në dukje vlerat e ikonave. Por harrohej të vihej në dukje shkatërrimi. Bujë se u gjend një ikonë e shekullit të 16-të, “u zbulua”, por harrohen 3000 ikona të burgosura në arshivën me igrasi të muzeut dhe që po shkatërrohen nga dita në ditë. Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje? Kur do t’i kthehen Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë këto prona të saj?

Kështu po shkatërrohen jo vetëm vlerat shpirtërore të orthodhoksëve, të krijuara në shekuj, si dëshmi besimi të thellë, por edhe kultura e kombit. Dhe brezat e ardhshëm nuk do të na i falin të gjithëve këtë shkatërrim. Ndaj, iu bëhet thirrje Qeverisë, Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës, që t’i kthehen këto vlera Kishës. Ato janë pronë e Kishës. Nuk është e drejtë që ato që i vodhi Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë regjimi komunist të mos ia kthejë ende shteti demokratik. Kisha dhe besimtarët, siç kanë ditur t’i mbrojnë e t’i mirëmbajë në shekuj, do të dinë t’i mirëmbajnë edhe tani.

Ndërkohë, Atelieja e monumenteve të kulturës duhet të bashkëpunojë me Kishën, që të ruhen këto vlera kombëtare. Por, në qoftë se vazhdon kështu, këto perla të orthodhoksisë së shpejti do të shëmben, siç ndodhi me Kishën e Fjetjes së Shën Marisë në Barmash ose Kishën e Evangjelizmoit në Vithkuq dhe asnjë kronikë televizive euforike s’do të mund t’i shpëtojë.

Para një viti na u premtua që do të restauroheshin 3 kisha, midis tyre dhe kisha e Analipsit në Mborje. Nuk u bë asgjë. Ndaj, na i ktheni pronat tona. Populli besimtar orthodhdoks i Shqipërisë do të dijë të kontribuojë për restaurimin e kishave, por mos na pengoni.

Raste të tjera problematike

– Mitropolia e Vlorës, ish shtëpi pionieri po përdoret si magazinë dhe nuk na kthehet, me pretendime të ndryshme, ndërkohë që është arritur deri aty sa të tentohet të jepen mjedise me qera.

– Jemi në gjyq për disa prona që dihet botërisht se janë tonat, si p.sh dyqane në Kavajë etj.

– Në Libohovë nuk kthehet ndërtesa e Kishës, ku banojnë familje, megjithëse disa prej tyre kanë edhe banesa të tjera.

– Mitropolia e Durrësit, ku janë strehuar familje, nuk po na kthehet as formalisht, megjithëse na e jep të drejtën ligji dhe po shkatërrohet çdo ditë e më shumë etj.

Korresp. i “Ngjalljes”