EmailFacebookKontakt

Kthimi

Shpirti im i gjorë po vjen tek ty, o Atë,
nga një vend i largët dhe plot mundim;
Rruga ish e lodhshme, rruga ish e gjatë,
po vjen Tek ty, o Atë, që të gjejë pushim.

Në mes një pylli t’errët, një pylli të zi,
shpirti im i mjerë me mundim kaloi;
Herë me guxim e herë me drithmë në gji,
përmes pyllit të errët mezi ai shpëtoi.

Dhe ja para Teje erdhi ai sot,
për shpirtin tim të mjerë, ki mëshirë, o Atë!
Të vinte deri këtu, ka derdhur shumë lot,
rruga ish e lodhshme, rruga ish e gjatë.

Bishat e pyllit shpirtin e sulmonin,
po krahu yt i fortë gjithmonë e ndihmoi;
Të dilte prej pyllit, ta linin nuk donin,
mëshira jote e madhe prej tyre e çliroi.

Si një femijë kur e rrahin dhe ai me lot,
vrapon tek ati i dashur, mbrojtje të kërkojë;
Ashtu dhe shpirti im i rrahur nëpër botë,
vrapon tek Ati i tij, ai ta shpëtojë.

Shkëputur nga libri: Malli i Parajsës