EmailFacebookKontakt

Kryqi yt, o Zot, është jetë dhe ngjallje për popullin tënd

Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë

Nr. 4 (19), Prill 1994

Çmimi: 2 lekë

“Kryqi yt, o Zot, është jetë dhe ngjallje për popullin tënd”

Antifoni i 15-të i së Premtes së Madhe

Sot varet mbi dru Ai që vari dhenë ndër ujëra.

Kurorë prej gjëmbash i vihet rreth kryes Mbretit të Engjëjve.

Me purpur të gënjeshtër vishet Ai që vesh qiellin me re.

Shuplakë denjoi Ai që çliroi Adamin në Jordan.

Me gozhdë u mbërthye Dhëndëri i Kishës.

Me shtizë u shpua i Biri i Virgjëreshës.

U falemi Pësimeve të tua o Krisht.

Tregona dhe Ngjalljen tënde të lavdëruar.

Kryqëzimi sipas Ungjillit të Markut (Kreu 15)

Kryqëzimi i Jisuit

…24 Pastaj e kryqëzuan dhe i ndanë rrobat e tij, duke hedhur short për të caktuar se kujt do t’i takonin. 25 Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan. 26 Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit të tij, thoshte: Mbreti i Judejve. 27 Dhe bashkë me të u kryqëzuan dy kusarë, njëri në të djathtë e tjetri në të majtën e tij. 28 Dhe u përmbush Shkrimi që thotë: “Dhe ai u numërua me të paudhët”. 29 Dhe ata që kalonin aty afër e shanin, duke tundur kryet e duke thënë: Ua, ti që shemb tempullin dhe në tri ditë e ndërton, 30 shpëto veten dhe zbrit nga kryqi! 31 Në të njëjtën mënyrë edhe kryepriftërinjtë me shkruesit, duke u tallur, i thoshin njëri-tjetrit: Shpëtoi të tjerët e nuk mund të shpëtojë vetveten! 32 Krishti, Mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që ta shohim e ta besojmë! Edhe ata që ishin kryqëzuar me të, e shanin…

Vdekja e Jisuit

…33 Dhe rreth orës së gjashtë u bë errësirë në të gjithë tokën, deri në orën e nëntë. 34 Dhe në orën e nëntë Jisui thirri me zë të lartë: “Elloi, Elloi, llama sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë: Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë nga unë? 35 Dhe disa nga të pranishmit, kur dëgjuan këtë, thoshin: Ja, po thërret Ilian! 36 Dhe njëri prej tyre vrapoi, dhe si mbushi me uthull një sfungjer, e vuri në majë të një kallami, e ia dha të pinte, duke thënë: Pritni, të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë. 37 Dhe Jisui, si lëshoi një thirrje të fortë, dha shpirt. 38 Dhe perdja e tempullit u shqye më dysh, nga kreu në fund. 39 Dhe kryeqindëshi, që ndodhej i pranishëm aty përballë tij, kur e pa që dha shpirt duke thirrur në atë mënyrë, tha: Me të vërtetë, ky njeri paska qenë Bir Perëndie!…