Për Durrësin, porti detar është mushkëria që i jep jetës. Ndaj edhe kryerja aty më 6 janar e Shërbesës së bekimit të ujërave ishte kuptimplotë, sepse ishte një bekim për vetë të ardhmen e qytetit në mileniumin e ri.
Pas kryerjes së Liturgjisë Hyjnore, klerikët dhe kori, të shoqëruar gjatë gjithë rrugës nga mijëra besimtarë e qytetarë, iu drejtuan kalatave të portit. Aty, të hipur mbi një nga anijet e kapitenerisë, At Spiro Tole dhe At Jovan Koroveshi kryen Shërbesën e Ajazmës, e cila çdo vit ripërtërin bekimin që i dha ujit dhe gjithë njerëzve pagëzimi në Jordan i Jisu Krishtit;
Kryqi u kap nga një i ri orthodhoks e më pas klerikët e kori bënë një copë rrugë me anije në ujërat e bekuara, duke psalur “Në Jordan kur pagëzohesh, o Zot”, të shoqëruar nga përshëndetja e fuqishme e sirenave të anijeve, që dukej sikur e përcillnin bekimin në të gjithë qytetin.