EmailFacebookKontakt

Kryqi është kapitali i shpëtimit tonë

“Si u mbërtheve mbi kryq o Jeta e të gjithëve…”

Kryqi është kapitali i shpëtimit tonë

“… Festë kryejmë sot dhe panair, të dashur; Zoti ynë mbi kryq gjendet me gozhda mbërthyer. Dhe mos u çudit nëse një ngjarje të trishtuar feitojmë; kështu janë shpirtëroret, në kundërshti me zakonet njerëzore. Dhe për ta kuptuar mirë këtë, kryqi më parë qe çështje dënimi, veç tani i çmuar dhe i shtrenjtë u bë; kryqi më parë ishte çështje turpi edhe dënimi, tani u bë shkak i lavdisë dhe i nderit. Dhe për të kuptuar se kryqi është lavdi dëgjo Krishtin i Cili thotë: At lavdëromë me lavdinë që kisha pranë teje para se të krijohej bota, duke quajtur lavdi Kryqin. Kryqi është kapitali i shpëtimit tonë; kryqi është bazë të mirash të pafundme. Në sajë të kryqit ne që më parë ishim të çnderuar dhe të rrëzuar, u pranuam në vendin e bijve; në sajë të tij nuk mashtrohemi më, por njohëm mirë të vërtetën; në sajë të tij ne që më parë u faleshim drurëve dhe gurëve, tani njohëm mirë Krijuesin e të gjithëve; në sajë të tij, ne shërbëtorët e mëkatit, u lartësuam në lirinë e përligjjes; në saj të tij toka u bë qiell.

Ai na çliroi nga mashtrimi, ai na udhëhoqi te e vërteta, ai bëri pajtimet e Perëndisë drejt njerëzve, ai pasi na shkëputi nga thellësia e së keqes na ngriti në vet majën e virtytit, ai shuajti kurthin e demonëve, ai mashtrimin e rrëzoi. Në saj të tij nuk ka më tym dhe erë mishi dhe derdhje gjaku kafshësh pa shpirt, por kudo bëhen adhurime shpirtërore, himne dhe lutje. Në sajë të tij demonët largohen, në sajë të tij djalli merr këmbët, në sajë të tij natyra e njerëzve konkuron sjelljen engjëllore, virgjëria ekziston mbi dhe, sepse pasi lindi Biri i Virgjëreshës, njohu natyra e njerëzve rrugën e këtij virtyti. Ai na ndriçoi ndërkohë që rrinim në errësirë, ai na bëri të afërm ndërkohë që ishim larg, na bëri familjarë ndërkohë që ishim larguar, ai na bëri qytetarë të qiellit ndërkohë që ishim bërë të huaj, ai u bë për ne ndërprerja e luftërave, ai u bë për ne siguria e paqes. Në saj të tij nuk kemi më frikë shigjetat e zjarrta të djallit, sepse gjetëm burimin e jetës, në sajë të tij nuk jemi më skllevë, se dhëndrin e shijuam, në sajë të tij nuk i trembemi më ujkut, sepse njohim bariun e mirë. Unë jam – thotë – bariu i mirë. Në sajë të tij nuk i trëmbemi tiranit, sepse gjetëm strehë te Mbreti”.

(Fragmente nga Homelia e Dytë e Shën Joan Gojartit e mbajtur të Premten e Madhe e të Shenjtë.)

Kryqi simboli i Krishtit

Para njëzet shekujsh, kryqi ishte mjet i dënimit poshtërues dhe i vdekjes së frikshme. Romakët dënonin me kryqëzim kriminelët më të mëdhenj.

Sot, kryqi mbizotëron në të gjithë jetën e besimtarëve të krishterë, në të gjithë jetën e Kishës sonë, si mjet flijimi, shpëtimi, gëzimi, shenjtërimi dhe hiri. Siç shkruan Shën Joan Gojarti (Krisostomi), “ky simbol i mallkuar dhe i neveritshëm i dënimit më të rëndë, tani është bërë i dashur dhe i shtrenjtë”. E sheh kudo. “Në Trapezën e shenjtë, në hirotonitë e priftërinjve, në Liturgjinë Hyjnore; në shtëpitë, në tregjet, në shkretëtirat dhe në rrugët; në detet, në anijet dhe në ishujt; në krevatet dhe në veshjet; në martesat, në gostitë, në enët e arta dhe të argjendta; në stolitë dhe afresket… Kaq i shtrenjtë u bë për të gjithë kjo dhuratë e mrekulluesheme, ky hir i papërshkruar”.

Me të vërtetë, ngado që të hedhësh vështrimin, brenda dhe jashtë kishës, do shikosh shenjën e kryqit. Si simbol skematik, i dukshëm, por edhe si gjest i shenjtë. Shenja e kryqit mbizotëron në jetën e Kishës. Por, përse?

Sepse, që atëhere, kur mbi kryqin u mbërthye dhe vdiq për shpëtimin e botës vet Perëndia, Zoti ynë Jisu Krisht, ky mjet i dënimit u bë mjet i shpëtimit. “…Nuk është më masë dënimi, por trofe i shpëtimit tonë u bë” – thotë një tropar. Objekti i tortures u bë lavdia e Kishës. Simboli i mallkimit u bë “shpërblesë e mallkimit të lashtë”. Druri i vuajtjes dhe i vdekjes, u bë “shenjë e gëzimit” dhe “thesarmbajtës i jetës”. Dhe të gjitha këto, ngaqë mbi drurin e kryqit, bashkë me trupin e Tij të përmbikulluar, Zoti mbërtheu edhe mëkatet tona. Siç shkruan Apostulli i shenjtë Pavli, na fali “gjithë fajet; duke shuar dorëshkronjën e porosive që ishte kundër nesh…. duke e mbërthyer atë mbi kryq” (Kol.2:14).

Kryqi i Krishtit na pajtoi me Atin qiellor, nga i Cili na kishte ndarë djalli duke mashtruar njerëzit e parë. Kryqi i Krishtit na hapi Mbretërinë e Qiejve, përderisa deri në kryqëzimin e Tij, ferri përpinte në mënyrë të pangopur madje edhe të drejtët. Prandaj ka kaq fuqi edhe hir, fuqinë dhe hirin e Krishtit, që, kur u kryqëzua, e kaloi në mënyrë mistike dhe të pakuptueshme te kryqi i Tij i nderuar, siç na e thotë me urtësi edhe himnologjia: “Kryqi yt, o Zot, edhe pse duket dru në thelb, është i veshur me pushtet hyjnor; edhe pse është i dukshëm në botë, shpirtërisht bën mrekullinë e shpëtimit tonë…”.

Kryqi pra, u bë simboli i vet Krishtit. Simbol të cilit i dridhen demonët.