EmailFacebookKontakt

Kryqëzimi dhe Ngjallja – Ungjilli sipas Mattheut, Kap. 26-28

Ungjilli sipas Mattheut
Kryqëzimi dhe Ngjallja
Kap. 26-28

Kreu 26

1 Dhe kur mbaroi gjithë këto fjalime Iisui, u tha nxënësve të tij: 2 Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka, dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar. 3 Atëherë kryepriftërinjtë dhe shkruesit dhe pleqtë e popullit u mblodhën në obonin e kryepriftit që quhej Kaiafa; 4 dhe vendosën në këshillin e tyre ta kapnin Iisuin me dredhi, dhe ta vritnin. 5 Por thoshin: Jo të kremten, se mos të ndodhë trazirë në popull. 6 Dhe kur Iisui ishte në Vithani, në shtëpinë e Simon leprozit, 7 erdhi tek ai një grua që kishte një alabaster me mirë shumë të shtrenjtë, dhe e derdhi në kryet e tij, ndërsa po rrinte shtrirë. 8 Kur panë këtë nxënësit u zemëruan e thanë: Pse ky shpenzim i kotë? 9 Sepse kjo mirë mund të shitej shtrenjtë dhe paratë t’u jepeshin të varfërve. 10 Por Iisui, që i kuptoi, u tha atyre: Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo ka bërë një vepër të mirë kundrejt meje. 11 Se të varfërit i keni përherë me ju; po mua nuk do të më keni gjithmonë. 12 Se ajo, duke derdhur këtë mirë mbi trupin tim, e bëri këtë për varrimin tim. 13 Me të vërtetë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në të gjithë botën, do të tregohet edhe kjo që ajo bëri për mua, në kujtim të saj. 14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, që quhej Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë dhe u tha: 15 Sa do të më jepni, që unë t’jua dorëzoj atë? Dhe ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. Dhe që nga ai çast kërkonte rastin e përshtatshëm për ta dorëzuar.

17 Dhe ditën e parë të të pabrumëtave, nxënësit iu afruan Iisuit dhe i thanë: Ku dëshiron të përgatitim që të hash pashkën? 18 Dhe ai tha: Shkoni në qytet te filani, dhe i thoni: Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do ta bëj pashkën tek ti, bashkë me nxënësit e mi. 19 Dhe nxënësit bënë ashtu si i porositi Iisui, dhe përgatitën pashkën. 20 Dhe kur u ngrys, u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët. 21 Dhe ndërsa po hanin, tha: Me të vërtetë unë po ju them: Një nga ju do të më tradhëtojë. 22 Dhe ata, thellësisht të brengosur, filluan t’i thoshin njëri pas tjetrit: A mos jam unë, Zot? 23 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: Ai që vuri dorën bashkë me mua në pjatë, ai do të më tradhtojë.

24 Biri i njeriut po ikën ashtu siç është shkruar për të; po mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Do të kishte qenë më mirë për atë njeri, të mos kishte lindur. 25 Dhe Juda, ai që e tradhëtoi, i tha: A mos jam unë ai, rabbi? Iisui i tha atij: Ti e the.

26 Dhe ndërsa ata po hanin, Iisui mori bukën, dhe bëri falenderimin, e theu, dhe duke ua dhënë nxënësve të tij, tha: Merrni e hani; ky është trupi im. 27 Pastaj mori kupën dhe si bëri falenderimin, ua dha atyre, duke thënë: 28 Pini të gjithë prej saj, sepse ky është gjaku im, i dhiatës së re, i cili derdhet për shumë vetë për ndjesën e mëkateve. 29 Unë po ju them se që tani e tutje nuk do të pi më nga ky frut i hardhisë, deri në atë ditë që do ta pi bashkë me ju në mbretërinë e Atit tim.

30 Dhe pasi kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve. 31 Atëherë Iisui u tha atyre: Sonte, ju të gjithë do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: “Unë do të godas bariun, dhe dhentë e tufës”. 32 Dhe pasi të ngjallem, unë do të shkoj përpara jush në Galile. 33 Por Petri, duke iu përgjigjur, i tha: Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për ty, unë nuk do të skandalizohem kurrë. 34 Iisui i tha: Me të vërtetë po të them se këtë natë, para se këndezi të këndojë, ti do të më mohosh tri herë. 35 Petri i tha: Edhe sikur të duhet të vdes bashkë me ty, unë nuk do të të mohoj. Të njëjtën gjë thanë edhe të gjithë nxënësit.

36 Atëherë Iisui erdhi bashkë me ta në një fshat të quajtur Gjethsimani, e u tha nxënësve: Rrini këtu deri sa unë të shkoj atje e të falem. 37 Dhe si mori me vete Petrin, dhe të dy bijtë e Zevedheut, nisi të brengosej e të ishte në ankth. 38 Atëherë u tha atyre: Shpirti im është i hidhëruar deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua. 39 Dhe si shkoi pak më tutje, ra me fytyrë përmbys, duke u lutur e duke thënë: Ati im, po të jetë e mundur, të hiqet nga unë kjo kupë! Por jo si dua unë, po ashtu si do ti.

40 Pastaj erdhi te nxënësit, dhe i gjeti duke fjetur, e i tha Petrit: Si, nuk qetë në gjendje të rrini zgjuar bashkë me mua një orë vetëm? 41 Rrini zgjuar dhe faluni që të mos bini në ngasje; se shpirti është i gatshëm, por mishi është i pafuqishëm. 42 Përsëri, për të dytën herë, shkoi e u fal, duke thënë: Ati im, në qoftë se nuk është e mundur të hiqet nga unë kjo kupë pa e pirë, u bëftë dëshira jote. 43 Dhe kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, sepse sytë e tyre ishin rënduar. 44 Dhe si i la ata shkoi përsëri e u fal për të tretën herë, duke përsëritur të njëjtat fjalë. 45 Pastaj vjen te nxënësit e u thotë atyre: Flini pra, e prehuni! Ja, erdhi ora, dhe Biri i njeriut jepet në duar mëkatarësh. 46 Ngrihuni, shkojmë; ja ai që do të më dorëzojë, u afrua.

47 Dhe ndërsa po fliste ende, ja tek erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të një turmë e madhe me thika e shkopinj nga ana e kryepriftërinjve dhe e pleqve të popullit. 48 Dhe ai që do ta dorëzonte, u dha atyre një shenjë, duke thënë: Ai që do të puth unë është; kapeni. 49 Dhe në atë çast, iu afrua Iisuit e i tha: Gëzohu, Rabbi! dhe e puthi. 50 Dhe Iisui i tha: Mik, pse erdhe? Atëherë iu afruan, vunë duart mbi supet e Iisuit, dhe e morën.

51 Dhe ja, një nga ata që ishin me Iisuin, zgjati dorën, nxori thikën e tij dhe goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 52 Atëherë Iisui i tha: Vëre thikën tënde në vendin e vet, se të gjithë ata që vënë dorën mbi thikë, prej thikës do të vdesin. 53 Apo ti ndoshta mendon se unë nuk do të mund t’i lutesha Atit tim që të rreshtonte për mua më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Si do të përmbusheshin pra Shkrimet, sipas të cilave kështu duhet të ndodhte? 55 Po në atë kohë Iisui u tha njerëzve: Ju keni dalë me thika e shkopinj për të më zënë si një kusar. Çdo ditë rrija në tempull duke dhënë mësim, dhe ju nuk më zutë. 56 Po e gjithë kjo u bë që të plotësohen shkrimet e profetëve. Atëherë të gjithë nxënësit e lanë, dhe ikën.

57 Dhe ata që kapën Iisuin, e çuan te Kaiafa, kryeprifti ku ishin mbledhur shkruesit dhe pleqtë. 58 Po Pjetri e ndoqi pas nga larg, deri sa arritën në oborrin e kryepriftit; dhe si hyri brenda, ndenji me rojet, për të parë fundin. 59 Dhe kryepriftërinjtë e pleqtë dhe i gjithë Sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Iisuit, që ta dënonin me vdekje; 60 por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. 61 Më në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë që thanë: Ai ka thënë: Unë mund ta shemb tempullin e Perëndisë dhe ta ndërtoj atë për tri ditë. 62 Dhe kryeprifti, pasi u ngrit në këmbë, i tha: Nuk përgjigjesh fare? Çfarë dëshmojnë këta kundër teje? Por Iisui heshtte.

63 Dhe kryeprifti i tha: Të vë në be për Perëndinë e gjallë të na thuash nëse je ti Krishti, Biri i Perëndisë. 64 Iisui iu përgjigj: Ti e the, por unë po ju them se tani e tutje do ta shihni Birin e njeriut të rrijë në të djathtë të Fuqisë, dhe të vijë mbi retë e qiellit. 65 Atëherë kryeprifti çorri rrobat e tij, duke thënë: Ai blasfemoi; ç’nevojë kemi për dëshmitarë? Ja tani e dëgjuat blasfeminë e tij. Si ju duket? Dhe ata, duke iu përgjigjur, i thanë: Eshtë fajtor për vdekje. 67 Atëherë e pështynë në fytyrë dhe e goditën me grushta; dhe të tjerë e qëlluan me shuplaka, 68 duke thënë: O Krisht, gjeje, kush të qëlloi? 69 Dhe Petri ndërkohë po rrinte jashtë në obon; dhe një shërbëtore iu afrua, duke thënë: Edhe ti ishe me Iisu Galileasin. 70 Por ai e mohoi para të gjithëve, duke thënë: Nuk di se ç’thua ti. 71 Dhe si doli në portën e jashtme, një tjetër e pa dhe u tha atyre që ishin atje: Edhe ky ishte me Iisu Nazaretasin. 72 Dhe ai përsëri e mohoi duke u betuar: Nuk e njoh këtë njeri. 73 Dhe pas pak, ata që ishin atje, iu afruan e i thanë Petrit: Vërtetë, edhe ti je një nga ata, se edhe mënyra e të folurit tënd e tregon këtë. 74 Atëherë filloi të mallkonte e të betohej: Nuk e njoh atë njeri. Dhe në atë çast këndoi gjeli. 75 Atëherë Petrit iu kujtua fjala e Iisuit që i pati thënë: Para se këndezi të këndojë, ti do të më mohosh tri herë. Dhe doli jashtë e qau me hidhërim.

Kreu 27

1 Dhe kur erdhi mëngjesi, të gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit, bënë këshillë kundër Iisuit, për ta dënuar me vdekje. 2 Dhe si e lidhën, e nisën dhe e dorëzuan tek guvernatori Ponti Pilat. 3 Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, duke parë se Iisui u dënua me vdekje, u pendua dhe ua ktheu të tridhjetë monedhat e argjendta kryepriftërinjve dhe pleqve, 4 duke thënë: Mëkatova, duke tradhëtuar gjak të pafajshëm. Por ata i thanë: Ç’na duhet neve? puna jote. Dhe ai, si i hodhi monedhat në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten. 6 Dhe kryepriftërinjtë, si i morën ato monedha, thanë: Nuk është e ligjshme t’i vëmë këto në thesarin e dhuratave, se janë çmim gjaku. 7 Dhe si u këshilluan, blenë me ato para arën e poçarit që të shërbente për varrosjen e të huajve. 8 Për këtë arsye kjo arë, deri në ditët tona, quhet: Arë gjaku. 9 Atëherë u përmbush ajo që qe thënë me anë të profetit Jeremia: “Dhe morën të tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi me të cilin e kishin vlerësuar bijtë e Izraelit, dhe i dhanë për arën e poçarit, ashtu siç më kishte porositur Zoti”.

11 Dhe Iisui doli para guvernatorit; i cili e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judejve? Dhe Iisui i tha: Ti po e thua. 12 Dhe kur u akuzua nga kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk u përgjigj fare. 13 Atëherë Pilati i tha: A nuk dëgjon ti sa gjëra dëshmojnë kundër teje? 14 Por ai nuk iu përgjigj asnjë fjalë; aq sa guvernatori po habitej shumë.

15 Dhe çdo festë Pashke guvernatori e kishte bërë zakon t’i lironte turmës një të burgosur, cilindo që të donin ata. 16 Dhe kishin atëherë një të burgosur famëkeq, me emrin Baraba. 17 Ndërsa ata ishin mbledhur, Pilati i pyeti: Kë doni që t’ju liroj, Barabain, apo Iisuin që quhet Krisht? 18 Sepse ai e dinte që ia kishin dorëzuar nga smira. 19 Dhe ndërsa ai po rrinte në fronin gjyqësor, e shoqja i çoi fjalë: Mos i bëj asnjë të keqe atij të drejtit, se sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij. 20 Por kryepriftërinjtë dhe pleqtë i bindën turmat të kërkonin Barabain, dhe të vritej Iisui. 21 Dhe guvernatori u tha atyre: Cilin nga të dy doni që t’ju liroj? Dhe ata thanë: Barabain. 22 Pilati u tha atyre: Ç’të bëj pra me Iisuin që quhet Krisht? Të gjithë iu përgjigjën: Të kryqëzohet. 23 Dhe guvernatori u tha: Po pse, ç’të keqe ka bërë? Por ata më keq çirreshin: Të kryqëzohet! 24 Dhe Pilati duke parë se nuk ia dilte dot, por po nitej trazira, mori ujë dhe lau duart para turmës, duke thënë: Unë jam i pafajshëm për gjakun e këtij të drejti; ju do të përgjigjeni. 25 Dhe gjithë populli, duke iu përgjigjur, tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë.

26 Atëherë ai u liroi atyre Barabain; dhe Iisuin, pasi e fshikulloi me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohej. 27 Atëherë ushtarët e guvernatorit e çuan Iisuin në pretore 3) dhe mblodhën rreth tij gjithë trupën e ushtarëve. 28 Dhe si e zhveshën, i hodhën mbi supe një rrobë të gjatë të kuqe; 29 dhe si thurën një kurorë me gjemba ia vunë mbi krye, e i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe duke u gjunjëzuar para tij, e tallnin duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judejve! 30 Dhe si e pështynë, morën kallamin, dhe e qëllonin mbi krye. 31 Dhe pasi e vunë në lojë, i hoqën rrobën e kuqe, dhe e riveshën me rrobat e tij; pastaj e çuan për ta kryqëzuar.

32 Dhe duke dalë, gjetën një njeri nga Kireneja të quajtur Simon, dhe e detyruan të mbante kryqin e Iisuit. 33 Dhe kur erdhën në vendin e quajtur Golgota, që do të thotë: Vendi i Kafkës, i dhanë të pinte verë të përzier me vrer; 34 por ai si e provoi, nuk deshi ta pinte.

35 Pastaj, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij, duke hedhur short. 36 Dhe ndenjën atje për ta ruajtur. 37 Dhe mbi krye i vunë të shkruar shkakun e dënimit: Ky është Iisui, mbreti i Judejve. 38 Atëherë u kryqëzuan bashkë me të dy kusarë, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë. 39 Dhe ata që kalonin andej, e përshanin atë, duke tundur kokën e duke thënë: 40 Ti që prish tempullin dhe e rindërton në tri ditë Shpëto veten tënde; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi! 41 Po ashtu, kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit dhe pleqtë e i Farisejtë, duke u tallur, thoshin: 42 Ka shpëtuar të tjerë dhe nuk mund të shpëtojë vetveten. Në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, dhe ne do të besojmë në të. 43 Në qoftë se ka shpresuar në Perëndinë, le ta shpëtojë tani, nëse Ai e do: se ka thënë: Jam Biri i Perëndisë. 44 Po kështu e shanin edhe kusarët e kryqëzuar bashkë me të.

45 Dhe nga ora e gjashtë u bë errësirë në të gjithë vendin, deri në orën e nëntë. 46 Dhe rreth orës së nëntë, Iisui thirri me zë të lartë: “Ili, Ili, lam savahthani?”, që do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë nga unë? 47 Dhe disa nga të pranishmit, kur dëgjuan këtë, thanë: Ai thërret Ilian. 48 Dhe menjëherë njëri prej tyre vrapoi të merrte një sfungjer, e njomi me uthull dhe e vuri në majë të një kallami, e ia dha ta pinte. 49 Dhe të tjerë thoshin: Lëre, të shohim nëse vjen Ilia për ta shpëtuar.

50 Dhe Iisui, duke thirrur përsëri me zë të lartë, dha shpirtin. 51 Dhe ja, perdja e tempullit u shqye më dysh, nga kreu në fund, dhe toka u drodh, dhe gurët u çanë; 52 dhe varret u hapën, dhe shumë trupa shenjtorësh që flinin, u ngjallën; 53 dhe si dolën nga varret pas ngjalljes së tij, hynë në qytetin e shenjtë, dhe iu shfaqën shumë vetëve. 54 Dhe kryeqindëshi e ata që bashkë me të i bënin roje Iisuit, kur panë tërmetin dhe ato që kishin ndodhur, u frikësuan shumë e thanë: Me të vërtetë, ai qe Bir Perëndie. 55 Dhe atje ishin shumë gra që po vërenin nga larg, të cilat e kishin ndjekur pas Iisuin që nga Galileja për t’i shërbyer midis tyre ishin Maria Magdalena, dhe Maria nëna e Jakovit dhe e Josiut, dhe e ëma e bijve të Zevedheut.

57 Pastaj, kur u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimathea, i quajtur Josif, i cili gjithashtu ishte bërë nxënës i Iisuit. 58 Pasi u paraqit te Pilati, ky kërkoi trupin e Iisuit. Atëherë Pilati urdhëroi që t’ia jepnin trupin. 59 Dhe Josifi mori trupin, e mbështolli në një pëlhurë të pastër; 60 e vuri në varrin e vet të ri, që e kishte hapur në shkëmb, dhe si rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit, iku. 61 Dhe Maria Magdalena e Maria tjetër ishin atje, duke ndenjur përballë varrit.

62 Dhe të nesërmen, që ishte pas të premtes, kryepriftërinjtë e Farisejtë u mblodhën tek Pilati, duke thënë: 63 Zot, na kujtohet se ai mashtruesi, ndërsa jetonte ende, tha: Pas tri ditësh do të ngjallem. Jep urdhër pra që varri të ruhet deri në ditën e tretë; kështu që nxënësit e tij të mos vijnë ta vjedhin e t’i thonë popullit: U ngjall nga të vdekurit; dhe gënjeshtra e fundit do të ishte më e keqe se e para. 65 Pilati u tha atyre: Rojën e keni: shkoni dhe sigurojeni siç dini. 66 Dhe ata shkuan e siguruan varrin, duke vulosur gurin, dhe vunë roje.

Kreu 28

1 Dhe si shkoi e shtuna, duke gdhirë e diel, dita e parë e javës, Maria, Magdalena, dhe Maria tjetër erdhën të shihnin varrin. 2 Dhe ja, u bë një tërmet i madh; sepse një engjëll i Zotit, që zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe qëndroi mbi të. 3. Dhe fytyra e tij ishte si prej vetëtime; dhe veshja e tij e bardhë si borë. 4 Dhe nga tmerri që patën, rojet u frikësuan e mbetën si të vdekur. 5 Po engjëlli u tha grave: Ju mos u frikësoni; se unë e di që kërkoni Iisuin, që u kryqëzua. 6 Ai nuk është këtu; sepse u ngjall, ashtu siç pati thënë. Ejani shikoni vendin ku ishte shtrirë Zoti. 7 Dhe shkoni shpejt e ua thoni nxënësve të tij: Ai u ngjall prej së vdekurish, dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shikoni. Ja, jua thashë. 8 Dhe ato ikën shpejt nga varri me frikë dhe me gëzim të madh, duke vrapuar për t’ua dhënë lajmin nxënësve të tij. 9 Dhe ndërsa ato po iknin t’u jepnin lajmin nxënësve të tij, ja, Iisui i takoi ato, duke thënë: Gëzohuni! Dhe ato i’erdhën pranë, i zunë këmbët dhe iu falën.

10 Atëherë Iisui u tha atyre: Mos kini frikë; shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile; dhe atje do të më shohin. 11 Dhe ndërsa ato po iknin, ja disa nga rojet erdhën në qytet, dhe i vunë në dijeni kryepriftërinjtë për gjithçka kishte ndodhur. 12 Dhe ata, si u mblodhën bashkë me pleqtë, e mbajtën këshillë, u dhanë një shumë të madhe paresh ushtarëve, duke thënë: 13 Thoni: Ndërsa ne po flinim, nxënësit e tij erdhën natën dhe e vodhën. 14 Dhe nëse kjo i vjen në vesh guvernatorit, ne do t’ia mbushim mendjen dhe ju s’do të ndëshkoheni.

15 Dhe ata, si morën paret, bënë sipas mësimeve që u dhanë. Dhe kjo fjalë u përhap ndërmjet Judejve, deri në ditët e sotme. 16 Dhe të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në malin që kishte porositur Iisui. 17 Dhe kur e panë, iu falën; po disa megjithatë dyshuan. 18 Dhe Iisui, duke iu afruar, u foli atyre, duke thënë: Çdo pushtet m’u dha në qiell e mbi dhe.

19 Shkoni pra, mësoni të gjithë popujt, dhe i pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë. 20 I mësoni ata t’i ruajnë të gjitha sa ju kam porositur. Dhe ja, unë do të jem me ju çdo ditë, deri në mbarim të jetës. Amin.