Kryepiskopi Joan mori pjesë në Takimin Ndërkombëtar “Osare la pace”, (Të guxojmë për paqen), organizuar nga Komuniteti i Sant’Egidios në Romë, Itali, në datat 26-28 tetor 2025.
Në këtë Takim morën pjesë 296 përfaqësues të feve kryesore, kulturës, shoqërisë civile dhe të politikës dhe mijëra pjesëmarrës nga 55 vende të botës, për të trajtuar sfidat urgjente të kohës: bashkëjetesën paqësore, solidaritetin dhe ndërtimin e vizioneve të reja të paqes. Nga dëshmitë, diskutimet dhe fjalimet e mbajtura nga 165 liderë u theksuan se paqja është një detyrë e përbashkët dhe kërkon guxim, dëgjim, vëmendje dhe përkushtim.
Në fillim të fjalës së Tij me temë: “Rizbulimi i rrugës drejt bashkimit të krishterë”, Kryepiskopi Joan shpjegoi se Tema e bashkimit të krishterë përbën një veprim të guximshëm që lidhet drejtpërdrejt me kërkimin e paqes në botën tonë. Për të kuptuar udhëtimin drejt bashkimit, duhet së pari të diagnostikojmë rrënjën e ndarjes. Ndarja e parë dhe më tragjike ndodhi kur njeriu u largua nga Krijuesi i tij_ .
Ndërsa në mbyllje të fjalës ai konkludoi se guximi i vërtetë për paqen dhe rizbulimin e rrugës drejt bashkimit të krishterë sot nuk është të projektojmë një bashkim tjetër, të bazuar vetëm në përpjekjet njerëzore, ose përpjekje për të krijuar një Babel të ri, por të guxojmë të vendosim përsëri Perëndinë në qendër të jetëve tona. Bashkimi që kërkojmë nuk është thjesht një arritje njerëzore, por një dhuratë hyjnore. Ai vjen kur hapim zemrat tona për hirin e Tij, kur bëhemi instrumente të dashurisë së Tij, kur lejojmë Shpirtin e Shenjtë të na shndërrojë, nga individë të ndarë, në gjymtyrë të një Trupi të Krishtit. Të pranojmë se Ai është Zoti dhe se pa Të nuk mund të bëjmë asgjë. Sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë – thotë Zoti (Jn. 15:5). … Le të jetojmë një jetë të shenjtë që do të na afrojë me Perëndinë dhe kështu do të jemi më afër njëri-tjetrit dhe le të guxojmë të ecim në rrugën e bashkimit të krishterë, që është fryt i drejtësisë dhe dashurisë së Perëndisë dhe dashurisë për të afërmin.
Në fund të këtij Takimi Ndërkombëtar, Komuniteti i Sant’Egidio publikoi Apelin e Paqes 2025, një thirrje e fuqishme për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet popujve. Në tekstin e apelit pjesëmarrësit theksojnë se çdo luftë e lë botën më keq se e gjeti dhe e quajnë atë një dështim të politikës dhe të njerëzimit, një dorëzim përballë të keqes.
Moment i veçantë ishte Ceremonia Solemne për Paqen në pasditen e së martës, 28 tetor, në amfiteatrin historik të Koloseut, ku Shenjtëria e Tij, Papa Leoni XIV dhe përfaqësues të feve të ndryshme, liderë shpirtërorë, politikanë dhe qytetarë nga mbarë bota u bashkuan në një moment reflektimi dhe lutjeje, duke shprehur shqetësimin e thellë për konfliktet që vazhdojnë të plagosin planetin.
Nga qendra historike e Romës u lëshua mesazhi: “Asnjë luftë nuk është e shenjtë, vetëm paqja është e shenjtë. Zoti i dhuroftë botës dhuratën më të çmuar, paqen”!