EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi Anastas zgjidhet Zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave

“Duhet të fuqizojmë zërin e kishave në Evropë”

Konferenca Evropiane e Kishave është një organizatë në të cilën marrin pjesë 126 kisha, orthodhokse, protestante, anglikane dhe kishat e vjetra anglikane nga e gjithë Evropa, si dhe 43 organizata në asocim. CEC ka një bashkëpunim të ngushtë edhe me Konferencën Evropiane të Episkopëve Katolikë.

Siç ju kemi informuar në një nga numrat e kaluar, nga data 25 qershor deri më datën 2 gusht 2003, në Trondheim të Norvegjisë u zhvillua Asambleja e 12-të e Konferencës Evropiane të Kishave (CEC). Ajo zgjodhi Komitetin Qendror, ku ishte dhe Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi.

Ky organizëm drejtues u mblodh në Gjenevë, nga data 13-18 dhjetor, për të zhvilluar mbledhjen e tij të parë. Anëtarët e Komitetit Qendror të Konferencës Evropiane të Kishave zgjodhën Presidencën e re, prej 9 anëtarësh. Për vendin e Zëvendëspresidentit (post, i cili sipas një rotacioni, i takonte këtë radhë anëtarëve të Kishave Orthodhokse pjesmarrëse, sepse në gjashtë vitet e mëparshme Presidenti i CEC-ut kishte dalë nga ato) ishte propozuar Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Pr. Dr. Anastasi.

Në fjalën para zgjedhjes së tij si Zëvendëspresident, Fortlumturia e Tij Anastasi tha ndër të tjera: “Ishte një surprizë për mua, kur Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropian të Kishave Dr. Keith Klements më telefonoi dhe më pyeti, se a do të dëshiroja të shërbeja në këtë post. Unë i thashë, se si është e mundur kjo gjë. … Por, ndihesh më i çliruar, kur të tjerët të kërkojnë diçka, të cilën nuk e ke menduar më parë. Siç ishte dhe rasti për të kandiduar dhe kërkuar një post të tillë. Por, nëse ju mendoni se unë mund të shërbej, jam i hapur për këtë. Ju dëgjuat të përmbledhur biografinë time, por doja të theksoja se janë katër fusha specifike, në të cilat unë shoh shërbimin tim në Kishë:

a) Dekada e para studimeve të mia në teologji ishte puna me të rinjtë,
b) së dyti, puna në Universitet, si pedagog,
c) më vonë misionarizmi, në fillim në Afrikë dhe tani në Shqipëri,
d) dhe së fundi, angazhimi dhe mësimi i vazhdueshëm në Lëvizjen Ekumenike, sepse personalisht e konsideroj lëvizjen ekumenike si një universitet të vërtetë, i cili na ndihmon ne për të na hapur horizonte të reja dhe për të qëndruar gjithmonë student…

Për sa i përket detyrës sime të re, në radhë të parë mendoj se është shumë e rëndësishme, që të përqendrojmë përpjekjet dhe gjithë fuqitë tona për unitet midis kishave, për të kuptuar njëri – tjetrin. Dihet se kjo gjë nuk është një detyrë e lehtë, sepse tashmë ne kemi humbur entuziazmin e parë dhe ndodhemi në një periudhë të vështirë tranzicioni, por unë mendoj se është e domosdoshme të vazhdojmë përpjekjen tonë.

Së dyti, duhet që zëri ynë të dëgjohet më fort në Evropë. Sepse çdokush flet sot në Evropë për çështje të ndryshme, por zëri i kishave në shumë raste është i dobët. Prandaj ne duhet ta fuqizojmë këtë zë.

Së treti, duhet të shtojmë ndjeshmërinë tonë për një këndvështrim më universal. Ne bëmë shumë gjëra të mira, por në të njëjtën kohë dhe shumë dëme ndaj kontineteve të tjerë dhe kemi një përgjegjësi shumë të madhe në këtë periudhë të re të globalizmit.

Dhe natyrisht, ajo që duhet të karakterizojë organizata si kjo e jona, është nevoja që të shohim të rinjtë që të marrin më shumë përgjegjësi në strukturat drejtuese dhe në përgjithësi në Kishë. Unë besoj, se këto janë përparësi shumë të rëndësishme, që duhet të kemi parasysh në përpjekjen tonë në Konferencën Evropiane të Kishave dhe për sa kohë që Zoti do të na japë fuqi dhe shëndet, ne duhet të bëjmë më të mirën për t’iu përgjigjur këtyre sfidave. Unë mendoj gjithashtu, se liria për të pranuar “Zërin” e Perëndisë është gjithmonë një çështje kritike dhe them se çdo gjë që bëmë në Shqipëri gjatë këtyre viteve të fundit, nuk ishte thjesht një gjë personale, por ishte në emër të të gjithëve ju. Dhe CEC-u ishte gjithmonë pranë nesh në këtë periudhë të vështirë. Çdo gjë që ne do të bëjmë këtu, në këtë detyrë që kërkon përgjegjësi, nuk do të jetë gjë tjetër veçse të veprojmë dhe të mendojmë në emër të të gjithë juve dhe të shërbejmë sipas fuqisë që Zoti do të na japë. Përsëri po ju them, se është një surprizë. Faleminderit dhe jam gati që të pranoj vendimin tuaj.”

Gjatë votimit ra në sy se Kryepiskopi Anastas ishte i vetmi nga të 9 anëtarët e Presidiumit, që u votua unanimisht, nga anëtarët e Komitetit Qendror, të pranishëm në këtë mbledhje, pa pasur asnjë votë kundra.

Presidiumi, së bashku me Komitetin qendror dhe stafin e ri të CEC-ut, do të shërbejnë deri në Asamblenë e ardhshme të Konferencës Evropiane të Kishave, që do të mbahet në vitin 2009.

Komiteti Qëndror gjatë mbledhjes së tij të parë aprovoi dhe dy deklarata. E para, lidhej me një apel ndaj qeverive dhe Kishave të Evropës, për forcimin e të drejtave të emigrantëve, duke marrë shkas nga Dita Ndërkombëtare e Emigracionit, e cila është më 18 dhjetor dhe së dyti, aprovoi një letër të drejtuar Kishave të Evropës për vitin 2004. Në këtë letër theksohen dhe disa nga sfidat, me të cilat do të përballet Evropa gjatë vitit 2004 dhe sidomos situata e re që do të krijohet në Këshillin e Evropës së Bashkuar pas zgjerimit të saj me anëtarë të rinj, zgjedhjet për Parlamentin Evropian, vazhdimin e diskutimeve për Kushtetutën e në proces aprovimi të Evropës së Bashkuar etj.

Letra tregon edhe se cili është roli i Kishave në këto sfida të reja:

Për vite me radhë Kishat kanë punuar papushim për të forcuar lidhjet midis popujve dhe kulturave në Evropë… Ato kanë theksuar se procesi i Evropës së Bashkuar ka kuptim vetëm nëse ai përfshin në një mënyrë të përshtatshme gjithë kontinentin evropian dhe duhet të përfshijë jo vetëm dimensionin politik dhe ekonomik…. Kishat duhet të vazhdojnë të jenë instrumente paqeje dhe pajtimi në Evropë dhe në mbarë botën.

Zgjedhja e Kryepiskopit Anastas, si Zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave është një ngjarje historike jo vetëm për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por dhe më gjerë. Kjo zgjedhje është gjithashtu një nder i madh që i bëhet Kishës sonë, sepse do të ketë në këtë institucion prestigjioz mbarëevropian ambasadorin e saj, i cili do të çojë në këtë organizatë problemet dhe zërin e vendit tonë.

Korresp. i “Ngjallja”

Konferenca Evropiane e Kishave është një organizatë e themeluar që në vitin 1959, në të cilën marrin pjesë 126 kisha, si orthodhokse, protestante, anglikane dhe kishat e vjetra anglikane nga e gjithë Evropa si dhe 43 organizata në asocim. Anëtare e saj me të drejta të plota është dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. CEC ka edhe një bashkëpunim të ngushtë me Konferencën Evropiane të Episkopëve Katolikë. Në këtë organizatë të krishterë, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme janë angazhuar që të jetojnë dhe të dëshmojnë së bashku nën frymën e ekumenizmit, mirëkuptimit, shkëmbimit të mendimeve e respektit reciprok. Zyrat e saj gjenden në Gjenevë, Bruksel dhe Strasburg.

Kryepiskopi Anastas me (nga e majta) Zv. Presidenten tjetër të CEC, Margarethe Isberg, Presidentin Jean-Arnold Clermont dhe Sekretarin e Përgjithshëm Keith Clements