Nr. 10 (358) Viti XXX i botimit. TETOR 2022. Çmimi 20 lekë
Në datat 4-8 tetor 2022, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi ishte në Poloni, ku u nderua me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Akademia Teologjike e Krishterë e Varshavës. Ai shoqërohej nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani dhe Kryedhjakon Spiro Topanxha.
Kryepiskopi u prit nga Mitropoliti i Varshavës dhe primat i Kishës Autoqefale të Polonisë, Fortlumturia e Tij, Sava, i shoqëruar dhe nga klerikë të Kishës së Polonisë. Në datën 5 përfaqësia e Kishës sonë vizitoi Katedralen e Shën Maria Magdalenës në Varshavë.
Pas Dhoksologjisë, Kryepiskopi Anastas pati një takim me klerikë polakë në Qendrën Kulturore Orthodhokse.
Mesditën e së enjtes, më 6 tetor 2022, në sallën e tejmbushur të konferencave të Akademisë Teologjike të Krishterë të Varshavës, në prani të krerëve fetarë, politikë e diplomatikë, të Senatit, profesorëve dhe studentëve të Akademisë, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, u nderua me titullin “Doktor Nderi” i këtij Institucioni të Lartë Arsimor ndër të krishterë. Propozimi për këtë çmim u bë nga Mitropoliti i Varshavës, Sava, me vendim unanim të Sinodit të Shenjtë.
Pas fjalës së rektorit të Akademisë, Kryepiskopit të Wroclavës dhe Czhechinit, prof. Jerzy Pankowski, u lexua teksti i nderimit, hartuar nga Mitropoliti i Kitros, prof. Georgios, bashkëpunëtor i Akademisë. Mëpas vijoi dorëzimi i titullit dhe i simbolit të nderimit Kryepiskopit Anastas, i cili është tashmë Doktor Nderi i shumë Departamenteve të Shkencave Humane e Sociale nga 27 universitete të shteteve të ndryshme të Evropës, Lindjes së Mesme dhe të SHBA-ve. Në vazhdim, Fortlumturia e Tij mbajti fjalën me temë: “Të jetuarit më Krishtin në shoqërinë e mbarëbotshme multifetare”.
Mes të tjerash, Kryepiskopi Anastas përmendi se pikëpamjet e të krishterëve mbi bindjet e shumëllojshme fetare shfaqin mospërputhje serioze dhe teoritë e ndryshme të formuluara përgjatë shekujve paraqesin një spektër të gjerë, nisur që nga tërësisht mohueset deri në ato tërësisht afirmuese. Duke sjellë ndër mend se me studimet sistematike në fushën e religjionit, fe të ndryshme kanë theksuar disa parime morale universale, Fortlumturia e Tij nënvizoi se: “Përvoja fetare nuk kufizohet në vlerat morale. Ajo mbështetet sidomos në rrugëtimin personal drejt Transhendentes. Feja përbën një shumësi komplekse dhe të gjithanshme adhurimesh, bindjesh, rrugëtimesh e parimesh, të cilat lidhen me të Hirshmen, të Shenjtën, dhe ndikojnë në mbarë gjindjen e shoqërinë”.
Gjithashtu, në lidhje me qëndrimin e të krishterëve në shoqërinë bashkëkohore, ai tha: “të qëndruarit në Perëndinë” “të jetuarit më Krishtin” është ajo çka përcakton përmbushjen e përvojës së krishterë. Bëhet fjalë për një marrëdhënie me të Vërtetin, një lidhje personale dashurie me Atë që është vetë Dashuri. Sa jetojmë brenda shoqërisë së mbarëbotshme multifetare, paralelisht me respektin dhe lirinë e çdo personi njerëzor dhe përpjekjen për bashkëekzistencë paqësore, le të mos lëmë pas dore faktin se nxënësit e Krishtit duhet të jenë “drita e botës” (Mt. 5:14).
“Misioni dhe përgjegjësia e Kishës, – përfundoi fjalën e tij Kryepiskopi Anastas, – është të lidhë njerëzimin me Perëndinë e Vërtetë të Dashurisë”.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Arsimit, Besimeve Fetare dhe Autoriteteve Diplomatike të Polonisë, anëtarët e Senatit dhe Personelit Akademik, studentë dhe klerikë të Kishës Orthodhokse të Polonisë.
Në vijim u bë prezantimi i personit që nderohet me titullin “Doktor Nderi” (Doctor Honoris Causa) dhe dhënia e dekoratave dalluese nga Kryepiskopi i Wroclawës dhe Czhechinit, Georgio, Profesor dhe Rektor i Akademisë.
Ceremonia u përmbyll me ligjëratën e Primatit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë me temë “Të jetuarit më Krishtin në bashkësinë e mbarëbotshme multifetare”, duke theksuar mesazhin se “Misioni dhe përgjegjësia e Kishës është të lidhë njerëzimin me Perëndinë e Vërtetë të Dashurisë”.
S. T.