Tri dekada janë një periudhë e mjaftueshme për nxjerrë në pah dhe lëvruar elemente të fushës së kulturës, artit dhe të shprehjes së tij. Analizojmë në veçanti veprimtarinë e gjerë ripërtëritëse dhe iniciativat hierapostolike për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën frymëzimin dhe drejtimin e Kryepiskopit Anastas. Periudha paraprijëse e persekutimit ateist pati pasojat e veta në lëmin e kulturës së krishterë, madje rezultoi në zhdukjen e gjithë shprehjes së gjinive artistike të kësaj fushe.
Ndonëse vendi ynë njohu që në shekujt e hershëm ndikimin e Krishterimit dhe, sidomos gjatë lulëzimit të Bizantit krijimtaria kulturore dhe artistike kishtare mori hov të madh, tragjedia e pushtimit Osman dhe braktisja në masë e Krishterimit për të përqafuar Islamin ndikoi mjaft rëndë edhe në drejtim të kulturës dhe artit.
Këto dy aspekte historike ndihmojnë për të kuptuar më mirë zhvillimet në jetën kulturore dhe artin kishtar gjatë periudhës së ringritjes së Kishës sonë, falë horizontit të gjerë të Kryepiskopit Anastas dhe veprimtarisë së tij hierapostolike. Ndërsa përgjatë tri dekadave vendi u përball me kriza ekonomike, sociale, rënie demografike dhe neglizhencë të theksuar për zhvillimin shoqëror, Kisha investoi shumë pikërisht fushën e kulturës dhe të artit, duke u bërë promotore e mundësive të reja e duke fuqizuar interesimin e të rinjve, artistëve dhe intelektualëve.
Shpeshherë, duke iu referuar kontributit të Kishës në fushën e kulturës, kufizohemi në sektorin e restaurimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore orthodhokse. Natyrisht, ky i fundit është elementi më i prekshëm dhe sfera ku është investuar më së shumti, por jo i vetmi.
Iniciativat e ndërmarra dhe të financuara nga Kryepiskopi Anastas anembanë vendit, në periudha ku ndihmat e destinuara nga shteti për këtë aspekt ishin mjaft të kufizuara, krijuan terrenin e nevojshëm të kualifikimit të specialistëve të rinj, të këmbimit të përvojave me ekspertë nga vende të tjera, të krijimit të kulturës së promovimit dhe rritjes së ndjeshmërisë të besimtarëve për thesarin e trashëgimisë.
Edhe vetë jeta shpirtërore që zhvillohet në komunitetet lokale orthodhokse, krijon kulturë: Kulturën e besimit në Zotin, të bashkëjetesës në terren pluralizmi kulturor dhe fetar, të ndjeshmërisë ndaj fenomenit të izolimit social, të ndihmës dhe solidaritetit ndaj personave në vështirësi etj. Pjesëmarrja e gjerë e Kishës sonë në të tilla aspekte përbën kontribut të vyer për rezistencë aktive ndaj tendencave të kohës të shthurjes morale, prishjes së familjes tradicionale, individualizmit dhe indiferentizmit shoqëror, duke promovuar kulturën që Krishterimi i ka falur njerëzimit.
Kryepiskopi Anastas përbën shembull për sa i përket mbështetjes për zhvillimin e gjinive artistike të veçanta që, në kushte të tjera, në vendin tonë do të donin shumë kohë për t’u aplikuar dhe zhvilluar. Dashuria dhe vizioni i tij e kanë shndërruar në inkubator dhe kujdestar paradigmatik të mbështetjes së artistëve të gjinive të larmishme: të ikonografisë bizantine, artit psaltik, arkitekturës kishtare, trajtimit urbanistik, komunikimit gjuhësor, përkthimeve e botimeve, kërkimit arkivor dhe historik etj.
Në Kishën tonë janë zhvilluar në liri të plotë aspekte të artit kishtar në respekt të traditës, por edhe me prurje të reja. Arkitektura, piktura, mozaiku, muzika, të gjitha në një harmoni të mrekullueshme të historikes, nën sigurinë e vazhdimësisë së tradicionales dhe me pasurim të prurjeve në kontekstin e modernes…
Për të gjitha këto, nevojitet guximi i artistëve për të eksploruar edhe fryma krijuese nga ana e prijësit, në këtë rast të një personaliteti që nuk ka nguruar të ecë në shtigje të pashkelura, për të frymëzuar dhe nxitur të tilla ide dhe propozime. Të gjitha këto për zhvillimin e Kishës dhe për lavdi të Perëndisë!
Orfea Beci