Botimi më i fundit për Fortlumturinë e Tij, promovuar në Athinë ditët e fundit
Në muajin nëntor në Greqi, qarkulloi libri “Kryepiskopi Anastas në rrugëtim…”, nga botimet “Patakkis”, dedikuar Kryepiskopit të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai është njëherësh biografi, didaktikë biomatike në jetën shpirtërore dhe qasje ekzistencialiste nga optika e Teologjisë Orthodhokse.
Libri është një bashkëbisedim dhe dialog i shtrirë në një periudhë trevjeçare nga gazetarët Natasha Bastea dhe Makis Provatas, me hierarkun e shquar në hierapostullim, akademikun produktiv dhe intelektualin e angazhuar në veprimtari të drejtpërdrejta humanitare.
Brenda një kohe të shkurtër u shndërrua ndër librat më të pëlqyer në llojin e vet. Disa ditë para se të dilte në qarkullim, mediat më të mëdha elektronike të informimit i dedikuan një vend të konsiderueshëm, me pjesë të zgjedhura në ribotim. Nuk ishte thjesht fushatë promocioni nga ana e realizuesve të librit apo shtëpisë botuese; është shumë përtej kësaj.
Ato që pasqyrohen në libër lidhen kryesisht me gjendjen që kalon shoqëria e sotme, me shterpësinë e ideve, me dëshmimin publik me guxim të pikëpamjeve jokonformiste, që kanë sjellë suksesin e tij. Një shoqëri e shokuar nga krizat ekonomike, izolimi antisocial i imponuar për përballimin e pandemisë, frika e tensioneve ndërshtetërore e rajonale, përplasjet fetare dhe lëvizjet tektonike demografike, ka nevojë për fjalë paqtimi, për vaj mëshire të ofruar nga një personalitet që i është dedikuar këtij misioni.
Nën titullin “Kryepiskopi Anastas në rrugëtim…” libri, më shumë se të njohë lexuesin me aspekte të jetës dhe biografisë së Kryepiskopit, synon në mënyrë origjinale t’i komunikojë atij pikëpamjen Orthodhokse për jetën, për shpëtimin, për Hyjnoren. Duke përdorur episode të jetuara nga Fortlumturia e Tij, ai përcjell nevojën për dashuri, mirëkuptim, solidaritet; në një kohë kur këto i mungojnë gjithmonë e më shumë shoqërisë dhe mënyrës së të jetuarit të njeriut të sotshëm.
Përmbajtja e librit është e organizuar në tri nënndarje të mëdha, që korrespondojnë pothuajse secila me tri dekada të jetës nëntëdhjetëvjeçare të Kryepiskopit Anastas, duke ofruar secila emocionin analog dhe mundësinë e meditimit. Tridhjetë vitet e para i kushtohen momenteve të ardhjes në jetë, fëmijërisë dhe kryesisht përpjekjes në asimilimin e dijes, formimin e karakterit dhe përjetimin e Besimit Orthodhoks. Në vijim, periudha e vendimeve të mëdha të përkushtimit te Perëndia dhe marrëdhënia e thellë me Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht. Përpjekja hierapostolike në Kontinentin Afrikan, për të ndarë me banorët e tij thesarin e vyer të Besimit Orthodhoks. Kjo, paralelisht me mësimdhënien në Universitetin e Athinës.
Veçanërisht theksohet pjesëmarrja aktive dhe me ide origjinale në lëvizjet mbarorthodhokse e mbarëbotërore për unitetin, komunikimin, mirëkuptimin, bashkëjetesën paqësore…
Për tridhjetë vitet që vijojnë pas 1991-shit, më shumë se libri jemi ne dëshmitarë.
Edhe kritika e priti librin me artikuj që theksonin idenë se është një primat Kishe Orthodhokse me grigjë reale dhe besnike. Në të përshkruhet përpjekja për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri dhe frymëzimin e kësaj grigje për të përballuar sfidën e dëshpërimit dhe kapërcyer frymën e frikës, ngurrimit, armiqësisë së mbjellë simbolikisht nga bunkerët e paranojës dhe urrejtjes…
O.B.