Të bëhemi shembull me optimizëm
Të tejmbushur ishte të dielën e Shën Dhimitrit, Kisha e shenjtë e “Kryeengjëjve Mihail dhe Gavriil” në Gjirokastër, ku gëzimi ishte i madh për të gjithë besimtarët orthodhoksë, pjesëmarrës në Liturgjinë Hyjnore, që celebroi Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi. Ndodhej pranë tyre dhe bashkë me ta, sikundër veproi edhe në pranverë, kur kriza acrinte kulmin, Kryepiskopi i Paqes, i Dashurisë dhe i Sakrificës, që me gjunjëzimin e tij tek Tryeza e Shenjtë në një lutje të thellë përpiqet për ringjalljen e kishës sonë, te një kishe, që sikundër ai me krenari sqaron kudo, nxë në prehërin e saj të gjithë, pa dallim.
Kryepiskopi më parë na tregoi në pranverë, se armiku që kishim për të përballuar ishte frika e anarkisë. Ndërsa të dielën, në predikimin e tij për Ungjillin, bëri edhe një herë thirrje për një marrëdhënie më të thellë më Perëndinë; për përjetim të përditshëm të sakrificës së Zotit në kryq dhe gëzimit të Ngjalljes së tij, si mënyrën më të mirë për përballimin e të keqes. Të një të keqeje pa emër, por që, së pari, sëmur zemrën dhe shpirtin e njeriut, me synim që të dëbojë gëzimin nga jeta jonë, nga shoqëria jonë.
Duke shprehur edhe një herë shpresën e optimizmin e tij, se ditë më të mira vijnë për vendin tonë, Fortlumturia e Tij, Anastasi, u dha kurajo besimtarëve orthodhoksë, se kur Perëndia është me ne askush nuk mund të jetë kundër nesh. Nga të gjithë u psal gëzuar “Cili Perëndi është kaq i madh, sa Perëndia ynë, ti je Perëndi i vetëm, që bën çudira!”
Gjitashtu, ishte gëzim i madh për të gjithë besimtarët fakti, se Kryepiskopi hirotonisi në prift edhe një dhiak të ri, Sotir Bibi nga Leskoviku. Përveç thirrjes së tij të përsëritur, që njerëz të rinj të zonës të vendosin t’i shërbejnë Perëndisë nga Dhiakonia e Priftërinjve, Kryepiskopi dha këshilla shpirtërore për priftin e ri, duke marrë shkas nga Apostulli, që u lexua gjatë Liturgjisë Hyjnore.
Pastaj, Kryepiskopi zbuloi pllakën e vendosur në hyrje të Kishës, që përkujton veprën e rikonstruksionit nga themeli, që u zbatua në këtë kishë nën kujdesin dhe financimin e Kryepiskopit, pas dëmtimeve të rënda të përndjekjes komuniste.
Në fund të Liturgjisë Kryepiskopi pati takime të ngrohta me besimtarët pjesëmarrës dhe uroi në veçanti Dhimitrat, që festonin emrin.
Të hënën Kryepiskopi udhëtoi në Sarandë, ku vizitoi sërish manastirin e shenjtë të “Shën Gjergjit” në Çukë, për të theksuar përpjekjen e bërë, së bashku me gjithë ndihmësit, për rikthimin e pasurisë kishtare dhe manastiriale. Gjithashtu, Kryepiskopi përgatitet që së shpejti të filloj ndërhyrja rikonstruktive në këtë manastir të shenjtë.
Në kishën e shenjtë të “Shën Harallambit” në qytetin e Sarandës, Kryepiskopin e prisnin besimtarë, që kishin dëgjuar mbërritjen e tij, klerikë të zonës, epitropë etj. Pas Dhoksologjisë, që u psal si falenderim për ndihmën që Perëndia iu dha besimtarëve orthodhoksë të zonës, për kapërcimin me sa më pak humbje të periudhës së vështirë që kaluam, Kryepiskopi dëgjoi të pranishmit dhe diskutoi me ta ide të ndryshme për zhvillimin e veprës sociale të Kishës sonë. Edhe një herë ai vuri theksin tek nevoja e unitetit në gjirin e kishës dhe tek pjesëmarrja e të gjithë orthodhoksëve të bashkuar në çështjet e saj.
Të martën, 28 tetor, Kryepiskopi mori pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kishën e “Shën Thanasit”, në fshatin Bularat, si dhe kreu përshpirtje për ushtarët e rënë gjatë luftës italo-greke, në varrezat që ndodhen në këtë fshat.
Në sallën e katekizmit, që është ngritur nën kujdesin e tij në qendër të fshatit, Kryepiskopi u takua me fëmijët e korit të Derviçanit dhe të Bularatit dhe ndoqi programin që ata kishin përgatitur.
Korresp. i “Ngjalljes”