Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij, zotit Sali Berisha
Kryetarit të Kuvendit Popullor, Shkëlqesisë së Tij, zotit Pjetër Arbnori
Kryeministrit, Shkëlqesisë së Tij, zotit Aleksandër Meksi
Tirane
Zotërinj të nderuar,
Ne besimtarët orthodhoksë të qytetit të Gjirokastrës, të mbledhur në Kishën e Metamorfozës së Krishtit të këtij qyteti, sot më datën 23 Tetor 1994, ditën e Apostull Jakovit, pasi u meshuam në Liturgjinë Hyjnore kushtuar atij, dëgjuam Promemorien e Këshillit të Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilës i kushtuam vëmendje dhe kujdes të veçantë. Kjo, sepse ka të bëjë me të ardhmen e orthodhoksisë në vendin tonë.
Si përfundim, në një mendje dhe zemër, njëzëri u solidarizuam edhe për të forcuar zërin që lutja jonë të dëgjohet prej Perëndisë sonë dhe të arrijë në veshin tuaj. Qenia e Tij në krye të Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për të drejtuar punët e Perëndisë në Shqipëri, është bekim i madh për ngjalljen e besimit orthodhoks të përndjekur si asgjëkundi gjetkë. Kryepiskopi Anastas është Babai shpirtëror yni dhe domosdoshmëri që besimi ynë orthodhoks të zhvillohet dhe forcohet sipas kanuneve të shenjta në kushtet e reja të pluralizmit dhe demokracisë.
Shprehim besimin e thellë se lutja jonë do të dëgjohet prej Perëndisë dhe kërkesa jonë do të merret parasysh nga ana juaj, për të mirën e popullit shqiptar, Parlamentit, Qeverisë dhe Presidentit, për begatinë, lumturinë dhe qetësinë shpirtërore të njerëzve tanë, me bekimin e Krishtit!
Rasti i largimit të Kryepiskopit tonë, që Perëndia na e dërgoi, do të ishte një mëkat i madh përpara besimtarëve orthodhokse dhe Perëndisë, para së cilës një ditë do të japim fjalë.
Prandaj, na e dëgjoni këtë dëshirë dhe pranoni konsideratën tonë për këtë çështje!
Zoti ju ndriçoftë dhe t’ju ndihmojë Hiri i Tij i pasur!
Lavdi Zotit!
Me respekt
Besimtarët Orthodhoksë të qytetit të Gjirokastrës
Gjirokastër më 23.10.1994.