Në vazhdën e nderimeve që i janë bërë Kryepiskopit Anastas për veprën e tij shkencore sociale dhe baritore, ishte dhe dorëzimi kohët e fundit (16 maj), i Titullit të Doktorit të Shkencave Humanitare (Doctor of Humane Letters), nga Universiteti i Bostonit (SHBA), për veprën e tij kishtare, teologjike dhe shoqërore.
Kryepiskopi Anastas mbajti edhe fjalën e rastit para anëtarëve të bashkësisë universitare, të mbledhur në University Chapel (Baccalaureate Address). Kjo fjalë në vitet e shkuara është mbajtur nga figura të tilla si Xhorxh W. Bush, Fransua Miteran, Henri Kisinger, Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA, laureatë të Çmimit Nobel etj.
Para gradimit, profesori i njohur i këtij universiteti për filozofinë, fetë, teologjinë dhe njëkohësisht kapelan i Universitetit të Bostonit, Rev. Robert Cummings Neville, do t’i deklaronte shtypit, se Kryepiskopi Anastas ka qenë misionar në zona të ndryshme të globit dhe ai përfaqëson shembullin e parimit kristian të bërjes të vetat të shqetësimeve dhe njëkohësisht të ndarjes së gëzimit me popuj të ndryshëm nga ai i origjinës. Puna që ai ka bërë në Shqipëri në këto vite jep shpresë për një ringritje të këtij vendi dhe ne kemi shumë për të mësuar nga ai, rrugët për arritjen e paqes dhe të pajtimit.
Ndërsa gjatë ceremonisë së dorëzimit të titujve Presidenti i Universitetit, Aram Chobani, vuri në dukje para auditorit kontributin humanist të një jete të tërë të Fortlumturisë së Tij Anastasit, duke u ndalur veçanërisht në ndikimin e tij në gjithë botën Orthodhokse, punën e tij humanitare në Afrikë dhe së fundi, përpjekjet për ringjalljen e Kishës në Shqipëri, që ndihmoi gjithë shoqërinë, nëpërmjet veprës sociale dhe ndihmës humanitare.
Gjithashtu, edhe në stadiumin e Universitetit të Bostonit, ceremonia e dhënies së diplomave, u hap me një “Lutje” (invocation), nga Kryepiskopi Anastas.
Në ceremoni, në prani të rreth 4 mijë të rinjve që përfunduan studimet në të 17 fakultetet e ndryshme të Universitetit të Bostonit, të të gjithë pedagogëve dhe rreth 20 mijë studentëve e të afërmve të tyre, iu dorëzuan disa tituj nderi edhe personaliteteve të shquara të jetës shkencore e publike të SHBA, si shkencëtarit tepër të njohur për hartimin e hartës së geneve njerëzore J. Craig Venter etj.
Universiteti i Bostonit është i katërti për nga madhësia në SHBA, me më shumë se 29 mijë studentë, nga 140 vende të botës. Ai ka mbi 3500 pedagogë, nga të cilët 5 janë të nderuar me çmimin Nobel. Është e njohur se ai ka qenë gjithnjë në pararojë të universiteteve amerikane në fushat e shkencës, artit dhe atyre shoqërore.
Duke iu drejtuar anëtarëve të bashkësisë universitare në University Chapel (Baccalaureate Address), Kryepiskopi Anastas e nisi fjalën e tij: “Duke kërkuar urtësi dhe liri”, me referencën e vargut të T. S. Eliot: “Ku është urtësia që kemi humbur në njohje? Ku është njohja që kemi humbur në informacion?” Dhe theksoi: “Urtësia i jep gjykimit largpamësi, pamje të gjithçkaje dhe qëndrimit njerëzor krijimtari dhe butësi. Ajo nuk njësohet me zgjuarsinë dhe erudicionin. Ajo është produkt i një pjekurie të përgjithshme të brendshme, i një sinteze të gjerë: mendje-mprehtësie, përvoje dhe njohurish, kthjelltësie shpirtërore dhe mirësie… në Shkrimin e Shenjtë theksohet me ngulm se burimi i urtësisë është Perëndia”.
Dhe shtoi: “Ku është liria që kemi humbur në liberalizëm? Ku është liberalizimi që kemi humbur në egocentrizëm?… Në të gjitha nivelet, personal, familjar, lokal, botëror, liria pa përgjegjësi është veçanërisht e rrezikshme. Por më tepër se çdo gjë tjetër e minon përgjegjshmërinë dhe tjetërson karakterin e lirisë interesi personal; rrotullimi rreth idhullit të vetes sonë me format dhe ngjyrat e larmishme që merr. Armiku i paskrupullt i lirisë, egocentrizmi, bëhet më tinëzar kur fshihet në unin kolektiv të grupeve dhe popujve”.
Në vijim të fjalës së tij, vuri pyetjen: “Ku është besimi, që kemi humbur në një spiritualitet të papërcaktuar? Ku është spiritualiteti autentik që kemi humbur në ceremonialet e ndryshme? Në fillimet e shek. XXI vëmë re në shumë anë kthim të besimit. Por në këtë lulëzim të ri të të interesuarit për Transhendencën, për të Shenjtën, për Perëndinë, dallohen dy rreziqe: i pari, tjetërsimi i përvojës fetare me produkte teorish dhe sistemesh të ndryshme me prejardhje të shumëllojshme, që propozojnë një spiritualitet të papërcaktuar. Përvoja fetare e hap horizontin tonë në pafundësi. Por jo që të lëshohemi në një “zbrazëti” pasive, të papërcaktuar, në kaos dhe në vetmi. Rreziku i dytë është shtrembërimi i ndjenjës fetare, dhe madje i vetë besimit, me orientim dhunën dhe urrejtjen… Bota perëndimore duhet të ndërgjegjësohet se padrejtësia dhe varfëria në botë, për të cilat edhe vetë ka pjesë përgjegjësie, lehtësojnë shfrytëzimin e ndjenjës fetare… Por nëse përjetimi fetar tjetërsohet dhe trazohet, më e keqja, shtrembërohet, atëherë, shfaqen marrëzia, skizofrenia, agresiviteti i paskrupullt dhe gjendje të ndryshme paranoike… Besimi i vërtetë tek Perëndia është në esencë lidhja personale e të besuarit dhe dashurisë me Atë që është Dashuria”.