I shoqëruar nga përfaqësuesi i përgjithshëm arkieratik, At Jani Trebicka, At Ilia Kotnani, dhjakon Sotir Xhaferi dhe autoritete të tjera kishtare të Korçës ditën e hënë, më 4 Prill, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, vizitoi fshatin e Polenës të Mitropolisë së Korçës.
Të veçantën e kësaj dite nuk e përbënte as pjesëmarrja e gjithë banorëve të këtij fshati, as shërbesa e bekimit të truallit dhe as përshëndetjet e shkëmbyera. E veçanta qëndronte te pjesëmarrja e fëmijëve të vegjël, të cilët me ikonat e Krishtit, Tërëshenjtës Mari dhe shënjtorëve të tjerë, si dhe me buqetat e luleve rrethuan Kryepiskopin gjatë gjithë procesionit të besimtarëve për në truallin e Kishës së re. Shenjë kjo e dashurisë, simbol i besimit, shenjë e shpresës.
Ishin po këto lule që u vendosën të parat në truallin e kishës, për t’u shoqëruar nga kontributi modest i gjithë besimtarve dhe nga besimi i shprehur nga Kryepiskopi se Perëndia bekon atë që ekziston, sado të pakët, por jo hiçin, duke kujtuar bekimin e pesë bukëve e të dy peshqve të Zotit Krisht për të ushqyer njerëzit në shkretëtirë.
Kisha e re, që do të mbajë emrat “Metamorfoza e Shpëtimtarit (Sotirës)” dhe “Fjetja e Tërëshenjtës Mari” do t’u shtohet kishave të vjetra në kodrat e këtij fshati, tashmë të restauruara me kontributin e vetë besimtarëve, dhe do të jetë simbol i qëndresës së madhe që fshati besimtar i Polenës i ka bërë regjimit ateist.
Kryepiskopi u përshëndet me besimtarët, me shpresën e ndërsjelltë se së shpejti do të rikthehet për përurimin e kishës së re.
Korresp. i “Ngjalljes”