EmailFacebookKontakt

Kryepiskop që po shkruan historinë e Kishës Orthodhokse në Shqipëri

Fortlumturia juaj, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastas, me rastin e përvjetorit të tridhjetë e njëjtë nga Fronëzimi i Juaj në krye të Kishës në Shqipëri, dëshiroj, në përfaqësim të Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Gjirokastrës Imzot Dhimitrit, si edhe të gjithë grigjës së Mitropolisë sonë martirike, klerikëve dhe laikëve, të shpreh urimet më të thella të përzemërta dhe lutjet tona birërore, për ato sa Hiri i Perëndisë ju priu të realizoni dhe t’i ofroni Kishës sonë.

Nuk është vetëm fakti i mbinatyrshëm i rilindjes nga hiri i persekutimit ateist të saj, por, mbi të gjitha dhe para së gjithash, është bazamenti i thellë shpirtëror që ju themeluat përmes sakrificës personale kryqëzuese të përditshme dhe shembullit të përulur, të cilin, si një testament të paçmuar, na e lini të gjithëve ne. Një themel të patundur vaditur me lotin e lutjes suaj, djersën e agonisë dhe gjakun e shpirtit tuaj, ato elementë pra që vendosi edhe Vetë ndërtuesi i Kishës sonë mbi Kryqin e martirizimit dhe që vulosi me Ngjalljen e Tij të lavdishme, për themelim të Kishës së Dhiatës së Re.

Pra, mbi këtë themel shpirtëror u mbështetën gjithë ato përpjekje dhe mundime shpirtërore tuajat, i gjithë vizioni Juaj ngjallësor, për të sjellë dhe përhapur mesazhin e pavdekshëm të Ungjillit, faljen e Kryqit, shpresën ngjallësore dhe dritën e varrit të zbrazët, për çdo person njeriu të plagosur, jo vetëm nga armiku përjetshëm i gjinisë njerëzore, d.m.th. djalli, por dhe nga patologjia e pasrënies, që kaplon në panik çdo pasardhës të Adamit të rrëzuar dhe shpie në forma brutale të sjelljes ndaj njeriut pranë.

Nuk po i referohem, Fortlumturi, në mungesë të kohës për tregim, veprës suaj të pasur dhe shumëdimensionale kishtare, sociale, arsimore, humanitare, civilizuese, restauruese, ndërtuese dhe të çfarëdo tjetër forme kontribut dhe kujdes sakrifikues të veprës Suaj, të Kishës së shkretuar nga çdo pikëpamje të Shqipërisë. Një përpjekje titanike që në shumë sektorë dhe në forma të ndryshme ende vazhdon, me të njëjtën konsistencë rinore, predispozitë martirike, mendjemprehtësi profetike por edhe zell apostolik, duke kontribuar në të gjitha, pavarësisht moshës, orientimit fetar dhe origjinës së bijve Tuaj. Dhe kjo sepse përgatitja e thellë teologjike dhe përvoja Juaj shumëvjeçare pimantike dhe hierapostolike, dikton që ta bëni biomë dhe njëherësh predikim të fuqishëm fjalët e Zotërore: “Nuk ka më Jude a Grek, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër; sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jisu”. Madje, kjo ishte dhe një nga arsyet që përcaktuan, kohë më parë, t’i bindeni “porosisë së harruar” të Zotit, “shkoni pra dhe u mësoni gjithë kombeve”, dhe që të mundoheni për ta kaluar atë “nga letargjia në zgjim aktivizues…”. Përpjekje të cilën ende, me sukses dhe me frytshmëri, e shërbeni…

Fortlumturi, duke e përmbyllur këtë fjalën tonë të varfër, por të pasur në dashuri, vlerësim dhe respekt, përcjell edhe një herë urimet e përzemërta dhe mirënjohëse të Hirësisë së Tij, Mitropolitit tonë, Imzot Dhimitrit, si dhe gjithë etërve dhe vëllezërve më Krishtin të Mitropolisë së Gjirokastrës. Ju urojmë vite të shumta, të paqshme dhe më Krishtin për lavdi të Perëndisë dhe Kishës së Tij; paralelisht që në dhoksologji falënderojmë Hyjninë e Tridiellshme për bariun, atin dhe mësuesin që i tregoi Kishës së Vet… episkop që bariton grigjën e tij që ju besua jo me imponim, por në dëshirë, jo për përfitime të padrejta, por me frymë të gatshme, jo duke zotëruar si dinast trashëgiminë e Perëndisë, por duke marr trajtën e grigjës… Që na fali Kryepiskop i cili nuk ka për t’u shënuar thjesht në faqet e lavdishme të Kishës së Shqipërisë, por Kryepiskop që po shkruan historinë e Kishës në Shqipëri.