EmailFacebookKontakt

Kryeengjëlli Gavriil lajmëron Shën Marinë

Edhe në të gjashtin muaj, engjëlli Gavril u dërgua prej Perëndisë në një qytet të Galilesë, që e kishte emrin Nazaret, te një virgjëreshë, që ishte fejuar me një burrë, që quhej Josif, prej shtëpisë së Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Mariam. Edhe engjëlli kur hyri tek ajo, tha: Gëzohu, o hirplote. Zoti është bashkë me ty. E bekuar je ti në mes të grave. Edhe ajo, kur e pa, u turbullua për fjalën e tij; dhe mendohej ç’të jetë vallë kjo përshëndetje? Edhe engjëlli i tha: Mos u tremb, Mariam; sepse gjete hir pranë Perëndisë. Edhe ja tek do të mbetesh shtatzënë, dhe do të lindësh djalë, dhe do t’ia quash emrin Jisu. Ky do të jetë i madh, dhe Bir i të Lartit do të quhet; dhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit në jetë tëjetëve, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Edhe Mariami i tha engjëllit: Si do të jetë kjo punë, sepse unë s’njoh burrë? Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty, dhe fuqia e të Lartit do të të hieshojë; prandaj edhe ajo foshnjë e shenjtë që lind prej teje do të quhet Bir Perëndie. Edhe ja Elisabeta, farefisi yt, edhe ajo mbeti shtatzënë me bir në pleqëri të saj, dhe ky muaj është i gjashti i asaj që quhet shterpë. Sepse s’ka punë që të jetë e pamundur për Perëndinë. Edhe Mariami tha: Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate.

p J Llukai 1:26-38