EmailFacebookKontakt

Kriza e shoqërisë njerëzore dhe zgjidhja sipas Ungjillit

Është bërë gjë e zakonshme të flitet sot kudo, sidomos në rrethet intelektuale, e në mënyrë të veçantë në mjetet e informacionit masiv, vendas e të huaj, për krizën e thellë e të gjithanshme që po kalon shoqëria njerëzore bashkëkohore. Thuhet se edhe epoka imperialiste, edhe vetë sistemi kapitalist e ka zhgënjyer njeriun dhe njerëzimin, po aq sa dhe komunizmi që sapo u shemb. Dhe kështu është. Veç një gjë duhet shënuar: kriza nuk lindi sot, as dje, as në një të shkuar shumë të afërt. Përkundrazi, ajo, në kuptimin filozofik biblik, është e vjetër sa vetë njerëzimi. Kriza, së pari shpirtërore e morale, lindi së bashku me mëkatin e parë.

Çdo fazë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore është përshkuar nga krizat e kohës, të cilat nuk kanë qenë më të pakta në kohët biblike, se në epokën e sotme. Kjo jo vetëm në shtrirje, në fushat e përfshira prej krizës, por dhe në dimensionet e tjera sasiore e cilësore të saj.

Natyrisht, ndryshime ka. Në radhë të parë në mënyrën dhe rrugët e përhapjes së krizës, e cila sot është e kushtëzuar edhe nga mjetet e shumta të mas-medias, nga shtypi dhe botimet e panumërta, nga shkolla dhe institucionet gjithashtu të panumërta kulturore, të cilat i japin krizës dimensione botërore, e bëjnë më të ndjeshme, më të kapshme, dhe natyrisht më të dhimbshme.

Degjenerimi, zvetënimi, imoraliteti, dekadenca, me të gjitha veset, plagët, rrjedhimet, pasojat, përbëjnë thelbin e krizës më të rëndë shoqërore që kishte përfshirë qytetet biblike të Sodomës e Gomorës. Krishti e quan brezin e tij të pabesë, të përdalë, imoral. Kriza në shoqërinë skllavopronare çoi në ndodhë ndryshe në shoqërinë njerëzore. Në kohën e Dhiatës së Vjetër, njeriu ishte i dënuar nga mëkati stërgjyshor të jetonte në krizë. Në epokën e sotme të Dhiatës së Re, kur ky mëkat u shlye me kryqëzimin e Iisu Krishtit, mëkati mbartet në mosnjohjen e mbretërisë së Perëndisë, pra të besimit në Krishtin. Rrjedhimisht edhe kriza është e do të jetë e pranishme siç thotë Apostull Pavli: Kjo vjen sepse ”…veprat e mishit janë të dukshme, dhe janë: papastërti, ndyrësi, plangprishje, idhujtari, magji, armiqësira, përçarje, zili, zemërime, grindje, ndarje, herezira, smirë, dehje, zhdërhallje, dhe të tjera si këto.” Gal. 5:16-21

Spontane e të organizuara, që sollën përmbysjen e rendit skllavopronar dhe lindjen e një rendi të ri, të feudalizmit. Por a u zhduk edhe kriza bashkë me rendin e vjetër? Jo, natyrisht. Përkundrazi, ajo vetëm ndërroi formë, por jo dhe përmbajtjen. Kështu deri në shoqërinë e sotme bashkëkohore, pavarësisht nga ngjyrat dhe format, nga mënyrat dhe rrugët e përhapjes, kriza është përcjellë nga shoqëria në shoqëri, nga brezi në brez, nga individi në individ. Nuk ka si të ndodhë ndryshe.

Atëherë lindin natyrshëm pyetjet: A është e pashmangshme kriza? Po qe se është e tillë, si mund të dalim nga ajo? Apo jemi të dënuar nga Perëndia i gjithëpushtetshëm e tërëfuqishëm të rrojmë përjetësisht nën mëkat, përkatësisht në krizë?

Dhe përgjigja është e qartë. Po të mundohemi ta zgjidhim atë me mjete njerëzore, nuk do të mund ta shmangim dot kurrë, do të jetojmë brez pas brezi të kërrusur nën peshën e saj shtypëse, mbytëse, të pamëshirshme, që na e sjell ferrin të gjallë që në këtë jetë, si shenjë paralajmëruese për ferrin e vërtetë të jetës që do të vijë.

Zgjidhja e vetme është me anë të rrugës hyjnore, të besimit tek Perëndia, tek Ungjilli i Shenjtë i Zotit tonë Iisu Krisht. Vetëm formimi i ndërgjegjshëm me parimet e këtij Ungjilli, zbatimi i tyre në çdo veprim të jetës sonë, me bindjen se një ditë secili do të japë llogari për to para Perëndisë; pra vetëm besimi i plotë tek Krishti dhe jetesa sipas mësimeve të krishtëra janë alternativa e vetme e kapërcimit të çdo krize, për çdo njeri në veçanti dhe për gjithë shoqërinë në tërësi, sepse siç thotë Apostull Pavli: ” fryti i Shpirtit është dashuri, gëzim, paqe, shpirtmadhësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi, vetëpërmbajtje…

Dhe ata që janë të Krishtit, e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pësimet e tij dhe me dëshirimet e tij. Nëse rrojmë sipas Shpirtit, ecim gjithashtu sipas Shpirtit.” (Gal. 5:22-25).

Thoma Qendro