Eshtë ndërtuesi i Manastirit të Shën Joan Theologut në Patmos, ku muajin e kaluar u kremtua 1900-vjetori i Shkrimit të Apokalipsit (për këtë ngjarje shih në artikujt e tjerë).
U lind rreth vitit 1020 në Nikea të Vithinisë në pjesën veriperëndimore të Azisë së Vogël dhe duke patur dhunti natyrore, u edukua mjaft. Prindërit e tij e fejuan, por para martesës Joani (kështu ishte emri i tij i pagëzimit) iku në malin Olimp Vithinik dhe u bë murg dhe u quajt Kristodhuli (1043). Pas vdekjes së avait të tij, ai udhëtoi për në Romë (1045) si pelegrin dhe për pak kohë u bë murg në Jerusalem, gjersa dyndjet turke e çuan në malin Latros të pjesës jug-perëndimore të Azisë së Vogël. Etërit të mrekulluar nga asketizmi i tij, kërkojnë ta bëjnë igumen, dhe kështu me ndërhyrjen e patrikut, ai pranon. Por rreziku turk i dëbon që andej, dhe përfundojnë në ishullin Ko, në juglindje të Egjeut, ku dhe krijojnë Manastirin e Hyjlindëses.
Ndërkohë, turma e madhe e njerëzve e detyrojnë jerondin të shkojë në Kostandinopojë për t’i kërkuar Perandorit Aleksi I (1081-1118) ishullin e shkretë, por të shenjtë të Apokalipsit, Patmosin, afër ishullit Ko. Ia jep dhe e ndihmon të ndërtojë Manastirin e Joan Theologut (1088), të cilin shenjti dijetar e pasuron me shumë dorëshkrime. Përsëri presioni turk i shtyn ata, më 1092, drejt Eubesë, në perëndim të Egjeut. Aty fjeti (rreth vitit 1100) novatori i monakizmit, më 16 mars. Njerëzit e tij morën lipsanin e tij dhe e çuan, siç e kishte kërkuar vetë, në Patmos, një natë fshehurazi, pasi eubeasit nuk deshën të ndaheshin prej tij. Çuarja e lipsanit kremtohet më 21 të këtij muaji. Herë pas here shumë veta janë përpjekur ta marrin nga ishulli me të mirë ose me forcë, por ndërhynte oshënari dhe i zbuste. Edhe kur qe gjallë bënte mrekullira. P.sh me pak bukë ngopi një turmë njerëzish në periudhë urie; shëroi një murg të tij që ishte demonizuar sapo e kishte shard; bëri të dalë një burim; profetizoi se Perëndia do t’u dërgonte grurë për t’ua dhënë të varfërve – dhe me të vërtetë mbërriti atëhere një anije plot me grurë. Shkroi tekste asketike: Kanonin monastik, Hipotipozin Autobiografik dhe Testamentin Mistik të tij.
At Ju.